1 Gusht, 2018 - 11:59 pm
Përpara fillimit të vitit të ri shkollor, përmes miratimit të një ligji të ri në Parlament gjatë së martës, Franca ka ndaluar përdorimin e të gjitha “smartphone”-ve apo tabletave nëpër shkolla.
Ndalimi i telefonave do të aplikohet për të gjithë nxënësit në Francë, deri në moshën 15 vjeç, që prej nisjes së shkollës në muajin shtator të këtij viti.
Ligji i ri përmbush kështu një premtim elektoral të presidentit Emmanuel Macron, edhe pse është kritikuar ashpër nga opozita si një parandalim publiciteti.
Ligjvënës të partisë së qendrës “LREM”, të Macronit, dhe aleatë të tij e miratuan projektligjin të hënën, ndërkohë që gjatë votimit të ditë ssë martë, deputetë nga e majta dhe e djathta abstenuan.
Opozita e ka quajtur këtë projektligj si “kozmetik” dhe tha se nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në jetën reale. Sipas ligjit të ri, të gjitha pajisjet elektronike telefonike ose jo duhen lënë në shtëpi, apo të mbahen të mbyllura deri në përfundim të orarit mësimor.
Shkollat mund të bëjnë përjashtim për “raste pedagogjike”, për aktivitete ekstrakurrikulare, apo për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Shkollat e mesme, ndërkohë, mund të vendosin vet nëse do të preferojnë një ndalim të pjesshëm apo të plotë të këtyre pajisjeve.
Ligji i mëparshëm, i miratuar në vitin 2010, ndalonte përdorimin e “smartphone”-ve gjatë qëndrimit në klasa.
Ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer ishte shprehur më herët se ligji ekzistues nuk gjente zbatim të gjithanshëm dhe se nuk ishte i ashpër sa ç’duhej, ndërsa ky i riu i miratuar së fundi e zhvendos Francën në “shekullin e XXI-të”.
“Kjo i jep një mesazh shoqërisë franceze, sikurse edhe vendeve anembanë botës”, tha ai. Afro 9 në 10 adoleshentë francezë, të grupmoshës nga 12-17 vjeç zotërojnë tashmë një “smartphone”./TCH