12 Janar, 2019 - 9:28 am
Kur fillon të lexosh librat e Murakamit, jeta nis të marrë hijen e tyre. Kjo është karakteristika magjike e romanëve të shkrimtarit japonez Haruki Murakami.
Në një intervistë për klubin e librit Guardian në Festivalin Ndërkombëtar të Librit në Edinburg, Murakami ka ndarë me lexuesit e tij eksperiencën dhe ëndrrat.
Shumë pak i shfaqur në publik apo në media, Murakami ishte i qeshur, i qetë dhe shumë argëtues teksa u përgjigjej të gjitha pyetjeve në anglisht. “Kam jetuar në Havai për disa kohë, ndaj anglishtja ime është e ndryshme nga juaja”, paralajmëroi ai. Megjithatë, asistonte edhe një përkthyese, që sipas shkrimtarit, një herë e një kohë kishte qenë kameriere në një bar ku kishin shkuar Murakami dhe gruaja e tij Yoko.
Autori i 13 romanëve dhe shumë tregimeve, pranoi se kishte harruar plotësisht çfarë kishte shkruar; gjë që dukej se nuk e bezdiste aspak. “Vërtet?” dhe “Nuk më kujtohet kjo”, ishin dy nga përgjigjet e tij më të shpeshta. Ai e bënte audiencën të qeshte sa herë përgjigjej: “Është botuar 20 vjet më parë dhe nuk e kam lexuar që atëherë!”
***
E kam shkruar romanin e parë në vitin 1979. Që atëherë, i kam shkruar të gjithë romanët e mi në vetën e parë. Kam provuar disa herë të shkruaj në vetë të tretë (m’u deshën 20 vjet), i pari ishte “Kafka në Breg” – dhe nuk ndihem rehat, më duket sikur i shoh personazhet nga lart-poshtë. Dua të qëndroj në të njëjtin nivel me personazhet e mi. Kështu është demokratike.
***
“Imagjinata ime është një lloj kafshe. Ndaj veprimet e mia e mbajnë gjallë”
Jam i fiksuar me puset. Elefantin. Frigoriferin. Macen. Dhe hekurosjen. Nuk mund ta shpjegoj.
***
Kur filloj të shkruaj nuk kam asnjë ide se çfarë do të vijë më pas. Për shembull, te “Kronika e Zogut Kurdisës” e vetmja gjë që kisha në fillim ishte cicërima e një zogu, dhe për shkak se dëgjova një zog në kopshtin pas shtëpisë, m’u duk sikur po parashikoja diçka dhe doja të shkruaja rreth kësaj. Pastaj po gatuaja spageti – këto janë gjëra që më ndodhin mua! Po gatuaja spagetit kur dikush më thërriti. Kisha këto dy gjëra për t’ia nisur. Për dy vite vazhdova të shkruaj. Është qejf! Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas, çdo ditë! Zgjohem, i afrohem tavolinës, ndez kompjuterin dhe i them vetes: “Pra, çfarë do të ndodhë sot?” Është argëtuese!