12 Janar, 2020 - 7:41 pm
Sot feston ditëlindjen Haruki Murakami, një prej shkrimtarëve më të mirë dhe i lexuar nga miliona njerëz në mbarë botën.
Japonezi sot feston 71 vjetorin e lindjes, ndërsa me penën e tij ka bërë që të jetë i njohur në mbarë botën, i përkthyer në disa gjuhë dhe i dashur edhe për lexuesin shqiptar falë përkthimeve të denja që kanë ardhur në shqip e që mbajnë vulën origjinale të Murakamit.
Për ta njohur më mirë fantazinë e shkrimit letrar të Haruki Murakamit, nisni me leximin e këtyre tre librave që ne sonte po propozojmë për ju.
E dashura ime Sputnik – Haruki Murakami
Haruki Murakami, një autor i përbotshëm bestseller, autor i shumë romaneve, na fut me këtë libër në Japoninë urbane të bareve të xhazit, në kafenetë, në botën e Jack Kerouac dhe Beatles, për të rrëfyer historinë e ngatërruar të dashurisë vetmëvetëse e joshpaguese. Nje student i kolegjit, i identifikuar vetë si K., bie në dashuri me shoqen e klasës së tij, Sumiren.
Devotshmëria ndaj një jete të çrregullt letrare e pengon atë nga ndonjë vetvrasje e mundshme, derisa ajo takon Miun, një grua biznesmene shumë më e vjetër dhe shumë më e sofistikuar se ajo. Kur Sumirja, e cila e shoqëron Miun në udhëtimet e saj, zhduket në një nga ishujt grekë, K. tundohet dhe i bashkohet kërkimeve dhe e gjen veten sërish të zhytur në botën e saj dhe nis e rrethohet nga vizionet përndjekëse e ogurzeza. “E dashura ime Sputnik” është një histori dashurie e kombinuar me një histori detektive që të mbetet në mendje si një meditim i thellë mbi mungesën njerëzore.
Kafka në Breg – Haruki Murakami
Kafka Tamura, një i ri pesëmbëdhjetëvjeçar, largohet nga shtëpia me dëshirën edhe t’i shmanget profecisë edipiane të të atit, edhe të kërkojë motrën dhe nënën e tij të humbur prej kohësh.
Pylli Norvegjez – Haruki Murakami
Toru, një student i urtë dhe i pjekur para kohe, jeton në Tokio dhe i është kushtuar Naokos, një vajze të bukur por tepër melankolike, por ndjenja e tyre e përbashkët ndikohet nga vdekja tragjike e shokut të tyre më të ngushtë para disa vjetësh. Toru fillon të mësohet me jetën e universitetit, me izolimin dhe vetminë që gjen atje, por për Naokon, presionet dhe përgjëgjësitë e jetës, janë të padurueshme. Teksa ajo tërhiqet gjithnjë e më thellë në botën e saj të brendshme, Toru e gjen veten duke i kërkuar ndihmë njerëzve përreth dhe tërhiqet nga një vajzë e re me një pavarësi të paepur dhe pa paragjykime seksuale.
Ky libër është një përzierje madhore e muzikës, emocioneve dhe etosit, me të cilin kanë qenë dominuar vitet gjashtëdhjetë, dhe udhëtimit romantik të një studenti të dashuruar. “Pylli norvegjez” është një histori tragjike dashurie e vdekjeje, humbjesh e ngritjesh dhe përfaqëson hyrjen triumfale të Murakamit në tregun japozez. Në një vend ku me një bestseller nënkuptohet një libër që shitet në mbi 100 mijë kopje, ky libër ka shitur më shumë se katër milion kopje. Jashtë Japonisë, Murakami ka fituar statusin e shkrimtarit kult, librat e të cilit janë përkthyer në mëse tridhjetë gjuhë të ndryshme. / KultPlus.com