Ushqimi i ëndrrave të kota

6 Qershor, 2022 - 1:00 pm

Ibrahim Berisha

Dikush na e la zgjebën në derë, ndonjë mysafir. Shtëpia jonë është si han, si Hani i Dilit. Vijnë shumë mysafirë, flasin e tregojnë gjithçka që dëgjojnë, për t’u dukur sa më të ditur. Prandaj sëmundjet ndërrojnë njëra-tjetrën.

Por shteti ka mjaft ilaçe për zgjebën, qetëson ngado sillet, Lalli.

Më trishton kujtimi për zgjebën. As sot zgjebën nuk dua ta sjell ndërmend. Më ngjall përfytyrime të llahtarshme. M’u rrop lëkura.

Askush nuk vinte, nuk shkonim askund. U leçitëm. Na leçitën të gjithë rrethi i shëndoshë. U harruam, për besë. Dëshiroja të mbulohem me çergë. Të mbështetem për të. Të mbështillem si me lëkurë gjarpri. Nuk më lejonin. Nuk ma lejonin kënaqësinë e kruarjes. Mbi çergë shtrohej një basmë e mavijosur, e vjetëruar. Nuk e zotëroja vetveten, gjaku më dilte. Krejt i gjakosur dhe nuk kish askush që më ndalon. Kjo është, kur njeriu e gjakos vetveten, mendoja. Më ndryshoi edhe lëkura e fytyrës. E shihja humbjen time.

Por, po t’i humbja sytë, e kisha shpellën. Po t’i humbja këmbët, i kisha duart. Dhe anasjelltas. Pa lëkurë? Do të më dilte mbi mishtë e kuq. I lutja në tokë e qiell të mos më lyenin me gurkali. Oh, ai është një material i tmerrshëm. U thosha, është edhe i ndaluar të përdoret në këtë formën e pazakonshme, në lëkurën time. Nuk zija vend. Doja të bija në ujë. Më ndizej mishi. Doja të mbytem në lumë, të mos dilja kurrë më në breg.

Kur zgjeba u ra të gjithëve edhe në shkollë, m’u hoq mërzia. Atëherë nuk kisha problem. Jetoja plotësisht i barabartë në të gjitha pikëpamjet. Kisha përvojë solide. U jepja leksione mbi mënyrat e shërimit.

Ndodhi e mira. Ja, thashë, më në fund, ra një sëmundje që na mori të gjithëve. Nuk e ndau as fëmijën në djep as plakun në shtrat. Po pleqtë kishin lëkurë të regjur, e kalonin lehtë e pa vuajtje zgjebën. Megjithatë, zgjeba i mori me rend të gjithë. Sytë u mbetën nga ne. Në fillim na shikon me mëshirë, po mandej me përbuzje. Edhe na akuzonin. Na përgjonin me dyshime, të atillë që prodhojnë akuza të rënda.

Lalli i pari ishte i gatshëm të na qes në gjyq, të dënohemi si fajtorë të vërtetë. Si krijues edhe të zgjebës.

Në Bashkësinë tonë lokale ata e sollën zgjebën, fliste ngado Lalli. Armikun e madh të shëndetit dhe të zhvillimit të shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse.

Sa  mora veten e shkolla rihapi dyert, erdhën nga Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit për Arsim, e Komunës së Prishtinës. Ishte grupi për testimin e dëshirave fëmijërore.

Për t’i shënuar dëshirat tuaja, sqaroi mësuesja Igball ardhjen e papritur. 

Testi qe i shkurtër. Udhëzimi: Shkruani qartë. Përgjigjuni shkurt.

Nën numrin katër, ku ishte pyetja, çfarë keni dëshirë të bëheni ( profesioni), u përgjigja ashtu si kërkohej, shkurt dhe qartë: Pilot! Pasi shkrova fjalën pilot, u pendova. Përgjigjja mund të keqkuptohej. Çfarë piloti? I aeroplanëve, motoçikletave i anijeve, i anijeve kozmike. I shkrova të gjitha. Prapë u mendova. E kërkova testin e sapodorëzuar.

Mësuesja Igball, pasi ia lëshoi një sy letrës, u shfry: Ani rrjepci, pilot i aeroplanëve!

Pastaj më shikoi me keqardhje e mëshirë, se ende e kisha lëkurën të dërmuar: E tash, pse e do letrën, më pyeti ajo.

Dua ta shkruaj edhe pilot i helikopterëve, i thashë.

Ajo, e dallova tash, nervozë plot, me përbuzje ma ktheu: Ani, moshën e ke. Ushqeji ëndrrat e kota.

Oh, ëndrrat! Të kota, por sa të bukura, mendova./ KultPlus.com

Të ngjajshme