19 Mars, 2019 - 4:15 pm
Simona mendon se marrëdhënia me prindin nuk matet nga dashuria e përçuar, por nga ndikimi që ka ai në formimin e fëmijës. E pranon që e ëma, ndoshta pa dashje, me indiferentizmin dhe moskuptimin e saj, e ndihmoi që ta shndërronte atë në gruan simbol të Francës së viteve ’50-’70.
Marrëdhëniet nënë-bijë janë jo pak të komplikuara. Ato mund të bëhen shoqe, por fare mirë mund të shihen si armike. Vajza mund të shohë te nëna mbështetjen e munguar, ndërsa ajo mund të shohë dështimin e vet në sytë e vajzës. Por gjithë kjo situatë të thërret për reflektim, kur njëra prej të dyjave ndodhet në shtratin e vdekjes.
Me një sfond thellësisht ekzistencialist, rrymë të cilën e lëvroi dhe e zhvilloi së bashku me Jean Paul Sartre, Simone De Beauvoir botoi librin autobiografik “Një vdekje shumë e ëmbël”, pak ditë pas vdekjes së të ëmës duke bërë një përsiatje në marrëdhënien e tyre.
Dy janë temat e mëdha të këtij romani të shkurtër: vdekja si raport që njeriu krijon me fundin e tij dhe ndikimi i mamasë në formimin e vajzës sipas këndvështrimit në të njëjtën kohë ekzistencialist dhe feminist të De Beauvoir. Në këtë rast është mamaja e Simonës që lëngon në shtratin e spitalit, por që përpiqet të gjejë kuptim edhe në ditët e fundit të jetës së saj. Ajo e pranon fundin, por nuk heq dorë nga jeta deri në momentin fatal.
“Përse vdekja e nënës më kishte tronditur aq shumë? Qëkur isha larguar përfundimisht nga shtëpia e prindërve, ajo s’më kishte ngjallur ndonjë ndjenjë të madhe. ‘Mendo për vete’ më thoshte duke pandehur se përpiqesha të mos derdhja lot”
Në anën tjetër, paraqitet edhe marrëdhënia e nënës me bijën intelektuale. Në këtë roman, Simone De Beauvoir thotë se vdekjen e babait e përjetoi me shumë stoicizëm, ndërsa vdekja e nënës e dërgon në shtigje të pashkelura. Kjo, edhe pse marrëdhëniet e tyre ishin ftohur që në moshë të re. Por Simona mendon se marrëdhënia me prindin nuk matet nga dashuria e përçuar, por nga ndikimi që ka ai në formimin e fëmijës. E pranon që e ëma, ndoshta pa dashje, me indiferentizmin dhe moskuptimin e saj, e ndihmoi që ta shndërronte atë në gruan simbol të Francës së viteve ’50-’70.
“Ajo na donte tmerrësisht, por njëkohësisht vetëm për vete dhe pikëllimi me të cilin ne i nënshtroheshim dashurisë së saj pasqyronte konfliktet që e brenin”
Në një prej eseve të tij mbi këtë libër, Mario Vargas Llosa (Nobel 2010) shkruan: “Simone de Beauvoir nuk kërkon të fshehë reagimin e saj natyror, torturën përballë agonisë së të ëmës; ajo kërkon të thellohet, të universalizojë këtë eksperiencë personale për ta bërë të prekshme për të gjithë. Dhe ia arrin. Ata që e akuzojnë për eksibicionizëm nuk kanë kuptuar se letërsia është, si përkufizim, një zanat imoral.”
Simone De Beauvoir është simboli i lëvizjes feministe në Francë gjatë viteve të pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte një grua e fortë, intelektuale, filozofe e dorës së parë që nuk nguroi të mbronte idetë e saj në rrugët e Parisit. Vepra e saj monumentale është “Seksi i dytë”, e cila u kthye në lajtmotiv të lëvizjes feministe jo vetëm në Francë, por në mbarë botën. Romane të tjerë të saj janë “Mandarinët”, “E ftuara”, “Mikesha” apo “Gruaja e thyer” ndërsa romani “Një vdekje shumë e ëmbël” është ribotuar në gjuhën shqipe me përkthimin mjeshtëror të profesor Edmond Tupes.
Përgatiti Erjon Uka/Tiranapost.al