Vargje shpirti që rënkojnë nga heshtja e poetit

12 Maj, 2020 - 5:00 pm

Recension nga Jehona Gashi

(Ibrahim Berisha: “Ofshama e hijes”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2019)

Përmbledhja poetike ”Ofshama e hijes” ka një renditje ciklike në gjashtë pjesë. Secila pjesë është e ndërlidhur me njëra – tjetrën. Ciklet e tij janë  “Ofshama e hijes”,“Kurrgjë më e përsëritshme”, “Nuk më sheh plotësisht”, “Përsëri mungon”, “Gjatësi e përkohshme” dhe “E përsëritshme”. Me një ndarje të tillë poeti ia ofron lexuesit mundësinë e kënaqësisë estetike, duke ia zgjuar kureshtjen për një lexim të këndshëm.

Poezitë na vijnë si dëshmi dhe gjurmë shpirti. Përmes vargjeve që shpesh janë edhe në trajtë narrative, poeti arrinë të ngërthejë brenda një sinteze lirike gjendjen shpirtërore dhe përvojen krijuese në aspektin artistik.

Ky vëllim poetik hapet me vargjet :                                                                                

 “Çfarë ke për t’i thënë lirisë kur ajo nuk është                                                                  

Kur nuk u shijua nga zemra e një gruaje                                                                          

As nga shpirti i një burri që shpërndanë ofshamë                                                      

Nëpër dhimbjen e humbjes së vet”

Pas këtyre vargjeve e gjejmë atë njeriun i kapluar nga mllefi, për diçka që kërkohet aq shumë, por në anën tjetër diçka e ndalon dhe bëhet joekzistente, ose nuk përçohet mjaftueshëm, mbase edhe mundohen ta tjetërsojnë në këtë rast lirinë që e thotë Berisha. Njeriu lufton dhe duhet të luftojë për atë që i takon, prandaj disa gjëra janë unike në mënyrën e vet, mbase janë unike dhe duhet mbrojtur dhe mos ndarë me dikë tjetër, madje duhet ruajtuar edhe nga vetë qenia jonë.

Autori vazhdon më tej, kur thotë se gjërat më të vlefshme s’është mirë të thuhen.  

Duke lexuar vëllimin poetik të autorit Ibrahim Berisha “Ofshama e hijes”,  lexuesi do të gjejë zërin e arsyes ngase shqetësimet e poetit janë sa të thella, po aq edhe njerëzore. Diçka i mungon autorit, e kaluara dhe ata që i përkasin asaj të kaluare. Berisha përmes vargjeve pikturon me ngjyrat më të bukura mallin për të qenë si dikur dhe të tashmen si  diçka që duhet të ballafaqohesh me të.

Ky libër është i ndërtuar mire, sa i përket temave që trajton, fuqisë së rrëfimit dhe interpretimit, por edhe të ndërtimit të vargut. Kështu, janë disa çaste që autori na bën me dije që nuk duhet humbur, dhe ai thotë që edhe diçka e vogël bartë në vete vlerë të madhe, si për shembull përmes vargut : “ëndrrat e vogla janë dëshirë e mjaftueshme”.

Vargje pas vargjeve e vërejmë lidhjen e autorit me ngjyrat që na jep ambienti rural, një dashuri që reflekton. Me anën e vargut të lirë, por edhe meditativ, si dhe dhe me anë të përthellimeve shpirtërore e bënë botën e tij krijuese të ndjeshme, sa edhe  në njëfarë forme bëhemi pjesë e saj.

Shumë gjëra janë nën fatin e natyrës, pavarësisht mundit tonë. Disa gjëra janë të papërseritshme, madje, fatin e natyrës e vendos vetë natyra, njeriu mjafton të mos e shkatërrojë. E këtu edhe shohim fatin e njeriut të ngjashëm me natyrën si diçka të papërseritshme, si e mire, si e keqe ajo do të ndodhë. Qenia njerëzore është e krijuar për të dashur, por ç’ndodhë po s’pati dashuri të mjaftushme? Kalon në urrejtje, edhe autori thotë se urrejtja vjen pas dashurisë! Shpesh herë sikur vë pikëpyetje, se pas cilës dashuri.

Në vështrim të parë duket se hasim vargje pesimiste, pastaj shohim ftohtësi perceptimesh, njëfarë dëshpërimi që nganjëherë kalon në nostalgji, por pastaj edhe vërejmë një përzierje të pesimizmit dhe të optimizmit. Sikur kemi një mes që nuk i jep hapësirë autorit të kalojë domosdo në njërën anë, por kur i qasemi edhe nga këndvështrimi tjetër, na jep tipare realiste, me imazhe të asaj se çfarë është e vërteta. Jeta dhe njeriu bëhen lojë e vargjeve të tij. Gjithsesi, një lojë e bukur.

Bottom of FormQielli nga autori na jipet me ngjyrat më të bukura të dashurisë, e ku është më saktësisht ajo dashuri që nuk mund ta gjejmë, sepse gjithnjë tingëllon si mister, si diçka e veçantë dhe hyjnore, por mbi të gjitha anonime.

Më tutje përbrenda vargjeve shtrohen çështje delikate, ndër to, edhe e vërteta, prandaj Berisha pohon se e vërteta do të sqarojë gjithçka. Prandaj, njeriu sfidohet me gjithçka, me padrejtësi, me urrejtje, me gjykime me gjërat më dhimbshme, por prapë gjenë forcë të qëndrojë i gjallë, disa jetojnë edhe pa forcë. Bota është e sfiduar nga njerëz seriozë dhe joseriozë, nga njerëz që kanë zemër të mirë e të keqe, nga njerëz që vuajnë dhe ata që janë të lumtur, ndërsa poeti thotë: “në mesin tonë kemi të vrarë që ende jetojnë”. Është një gjetje  e jashtëzakonshme e vargut, sepse të të vrasin jo patjetër do të thotë të vdesësh.

Shpriti i autorit në poezinë “Psherëtimë e dëshpërimit” vë në pah kulmin e dëshpërimit, të dhimbjes e të pritjes, si dhe humbjen të gjitha ditëve që i ka lënë dhe ato që po i jeton. Poeti është ai që kupton edhe nevojat e punëtorëve të krahut, sikur i bashkohet protestës së tyre, në fakt, u jep të drejtë dhe përkrahje morale, por diçka nuk shkon në rregull, sepse protestën e tyre e sheh si të paarritshme, mbase për shkak të sistemit të jetës në shtetin ku jetojnë, ai thotë se kështu  të vendosur me këmbë në tokë, udhëtonin deri në fitoren e paarritshme.

Poeti vë në diskutim të tashmen dhe të shkuarën, jetën dhe vdekjen, rëndësinë e tyre në të gjitha sferat. Ai shtron edhe pyetjen se përse ështe i nevojshëm mbishkrimi, askush nuk duhet të ketë frikë nga lavdia, kur nuk e lexon askush dhe faktikisht njeriu duhet ta jetojë rriskun e vet, pavarësisht të tjerëve.

Vepra poetike “Ofshama e hijes” është brum me tema të larmishme, me ngjyrime dhe tinguj të veçantë gjë që e bëjnë veprën të plotë dhe të dashur për lexuesin. Raste, raste kërkon rilexim sepse, gjendja në të cilën ka shkruar autori dukshëm paraqet situata të ndieshme.

Vargjet e tij rrjedhin lirshëm dhe nga idetë e tij origjinale,  kështu që poezitë e Berishës kanë një gjuhë të rrjedhshme dhe stil të posaçëm krijues. Hasim edhe elemente melankolie dhe njëlloj sfide për atë që ka jetuar autori.

Poetët janë mësues të energjisë jetësore dhe mbretër të shpirtit. Përgjithësisht frymën shpirtërore e kuptojmë si një unitet të mendimit, vullnetit, përqendrimit dhe intuitës. Është dhunti e jashtëzakonshme.

Poezitë e Berishës janë të ngarkuara me barrën e kuptimeve figurative të fjalës, por edhe të shumësisë kuptimore. Është ajo gjendja shpirtërore që jep çastin e paharruar të një përjetimi lirik, për ta jetuar edhe njëherë atë përjetim të gëzuar a të hidhur, nga njëra anë. E në anën tjetër, lirika e tij duke qenë gjithnjë kërkimtare e thelbeve të vetvetes e të ekzistencës, e meditimit dhe refleksioneve mbi të panjohurën, mbi shpërndërrimet e vazhdueshme te qenia njerëzore nëpër kohë, herë me ton të butë e mallëngjyes, herë më ton ca më ekspresiv, më të ashpër.

Njeriu shpesh vihet në sprovë dhe përhumbet mes të dukshmes e të padukshmes, autori tek poezia “ Lëvizja e lirë” nuk e lë të qetë ndërgjegjen e tjetrit, por duket sikur e thumbon. Ai përmes vargjeve:

“Hajnat kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin që mundëson lëvizjen e lirë, hyrjen  dhe daljen e papengueshme pa përshendetur dhe pa thënë lamtumirë”. 

Tek poezia “ Forma e plotë e lëvizjes”, pritja paraqitet si diçka jo e zakonshme, realisht pritjet u referohen atyre që mbushin boshëllëkun dhe krijojnë veçantinë e një jete që për disa momente se paramendojmë ndryshe. Sipas poetit, as pritja nuk vjen dhe gjërat e vërteta asocojnë të jena të kota, e vërteta jo gjithmonë e plotëson qenien njerëzore.

Pas zemërimit dhe përjetimeve të kobshme, jemi  të detyruar të gjejmë paqen, urrejtjen duhet lënë anash, edhe pse mungon guximi për t’i luftuar të vërtetat, jo gjithmonë rruga është e lehtë dhe ka raste kur detyrohen të paguajnë me çmime të larta dhe në raste të tilla mungon edhe guximi për t’u ballafaquar me një betejë të tillë.

Poezia “Paqe” e artkulon qartë këtë dimension:                           

“Pak a shumë bëhet fjalë për ndërtimin e një udhe të re për rikthimin e domosdoshëm  të zemërimit në binarë normal”. 

Po kështu, vargjet e fundit të kësaj poezie e shpjegojnë  thelbin e kuptimit dhe interpretimit:  

“Mungon guximi për të pranuar,  çmim tepër të lartë”.

Duke lexuar poezitë, radhë me radhë, pavarësisht boshëllëkut të formuar nga dhimbja, nga gjendja shpirtërore, ndikimin emocional që japin vargjet e Berishës prapë sikur ngazëllejnë dhe japin motiv për t’u ballafaquar edhe me atë që të lëndon dhe të japin krah të sfidosh ligështinë a moralin e keq që tashmë është bërë ndonjëherë mësim, e herën tjetër rutinë.

Poezia në disa çaste na vë para kërkesës për vetënjohje, pikërisht janë këto çaste ku tronditet së brendshmi qenia jonë, e pikërisht edhe krijohet moment kur edhe njohim më mirë vetveten. Vargjet e Berishës janë sikur labirinte që duhet gjurmuar thellë, duhet njohur përtej asaj që ne e quajmë të njohur. Vargu nuk udhëhiqet nga brishtësia, por gjithnjë vihet në pah me ngjyrime metaforike, me shprehje që mallëngjejnë lexuesin.

Berisha e ndërton mendimin e tij poetik në kërkim të thjeshtësisë e të fjalëve të thjeshta, por në relacion me kuptime të mëdha.   

“Herë tjetër” është poezia e fundit e këtij vëllimi, gjithnjë ka hapësirë për edhe një herë tjetër, mbase vetë fakti për të thënë edhe njëherë tjetër të kujton çastet e papërseritshme, të kujton dhe të kthen pas duke i vënë gjurmët e ditëve të sotme në atë që ka kaluar. Njëriu është i fortë sa për të luftuar me brishtësinë që shpeshherë I bëhet udhë nëpër të cilën shkelë. Kjo dëshmohet në vargjet:                                                                                       

“Për të takuar njeriun e fortë pa arsye edhe një herë do të ndodhë  turma e reve nëpë detin e dëshirës”.

Faktikisht,  poezia është ajo që na emocionon, na dhuron kënaqësinë e leximit dhe interpretimit, gjë të cilën e arrijmë tek poezia e Berishës. Me anë të komunikimit të qartë poetik, ai na dhuron vargje që kundrojnë jetën dhe botën shpirtërore të tij. Pra, vetë titulli përputhet me interesimet tematike dhe artistike të autorit, me profilin e tij krijues.           

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master në Degën e Letërsi Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë). /KultPlus.com

Të ngjajshme