Vargjet e Ali Podrimjës për gruan e tij Fitoren

8 Mars, 2018 - 7:21 pm

NË XHAMIN E ERRËT IMAZH I SË NESËRMES

Fitore Podrimjes

e bukura veshur kish rrobat për mejdan
këmishë qëndisur nga gjuhët e flakes
rreth qafe m’i kishte hedhur duart plot dhé e rrënjë
seç pëshpëriste lutje të moçme majë klithmave
Mali i Borërave hijonte mbi shpirtra
nën një dru mijëvjeçar thithja gishtërinjtë
tek kapërcente bjeshkë zjarre ujëra
kapsoll syri im i tretë
gjallë a dekë të takoheshim i lutesha të madhit
nuk mund të ekzistoj pa të as pa mua ajo
mes trupave lëshonte shtat e nesërmja
nën një çati të Iliridës zog i qiejve
më kishte zgjuar
kur trupin e saj ia kishte mbështjellë tymi
rrobat e mejdanit a i rrinë mirë
me sa lule qëndisur këmisha nga gjuhët e flakës
të thara buzët e tej Malit të Borërave
frymon Kosova e frikshme dhe e bukur
vezullimë e verbër kish shkrepur e në xhamin
e errët imazh i së nesërmes vijëzohej
na duhen lotët edhe për gëzim grua e dashur

Ali Podrimja (Tetovë, 30.3.1999)

Të ngjajshme