Vargjet kushtuar këngëtares Anita Bitri nga Agim Doçi

1 Shtator, 2018 - 8:40 pm

Nga Agim Doçi.

Nëse ju merr malli për mua
Dilni mes njerëzve dhe më kërkoni!
Me këngë në buzë tërë jetën dua
të jem pranë jush…sa më mungoni.

Nëse ju merr malli… mos qani!
Radio Tiranën paksa dëgjoni!…
Dhe një minutë heshtje të mbani
Unë do ju ndjej! Mos më harroni…!

Ëndrra e jetës seç u helmua
Tok me Siborën nga ju u ndava…
As një pik lot, të rrjedh nuk dua
Se larg prej jush unë vetëm qava…

Ja ky ish fati…s’kam çfarë të them!
Askush prej jush s’mund ta besoj.
Po më kërkove shpirtin ma gjen
Këngës shqiptare do ti mungoj…

Do ti mungoj njerëzve të dashur
Do ti mungoj dhe Tokës Mëmë
Ika në gjumë…ëndërr përflakur
Por do më gjeni vetëm në këngë!

Kur dimri i bardhë do derdhë dëborën
Kur një hartim do bëjnë fëmijët
Dhe kur në tren dikush prek dorën
Do vij t’u sjell gjithë dashuritë!

Ika pra ika, ky ishte fati…
Hyra në ëndrrën që s’ka mbarim!
Udhëtimi jetës kaq shkurt më zgjati?…
Veç këngën time…ju lë kujtim!

Këto vargje i shkrova ngutshëm…dhimbshëm…shpirtërisht. Agim Doçi./ KultPlus.com

Të ngjajshme