Vargu i kënduar i Eposit në librin ‘Një këngë kreshnikësh shqiptarë’ e Red Radosë

4 Mars, 2024 - 11:31 pm

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimit të arteve pranë saj, organizoi sot një kumtesë ku u prezantua një pjesë e punës etnomuzikologjike e Red Radosë, si një nga aspektet më pak të njohura të punës së tij të shumëanshme si muzikant.

Veprimtarinë e çeli zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Vasil Tole, i cili shprehu mirënjohjen për artistin që ka një jetë artistike shumë aktive, veçanërisht në fushën e kompozimeve, që, -siç iu shpreh ai, -është një fushë inteligjente e veprimtarisë muzikore, ku Redi e ka shprehur përmes krijimtarisë konkrete duke bërë pjesë të repertorit të tij pianistik krijime muzikore si “Fuqia e Mujit”, “Kalërimi” dhe disa kompozime të tjera, të cilat ai i ka prezantuar njëherazi dhe për publikun shqiptar, dhe për publikun e huaj, dhe njëherazi ka shfaqur një qasje të re të tij drejt trashëgimisë muzikore të Shqipërisë, antike, mesjetare.

Më tej, akad. Vasil Tole vuri në dukje interesin e veçantë të Red Radosë për subjektet antike mitologjike, që lidhen me mitologjinë shqiptare, me kodet e vjetra, dhe sigurisht edhe me ata tinguj bazë që lidhen me identitetin tonë në muzikë; me ato lloj trashëgimie që i kemi vetëm ne dhe nuk i gjen dot gjëkundi tjetër.

Pasi përshkroi veprimtarinë me pianon dhe koncertet që kanë lënë mbresë në publikun e gjerë, akad. Tole kujtoi edhe edukimin e Red Radosë (djali i aktorit të njohur Guiljem Radoja), ku prej prindërve ka filluar lidhjet e ngushta me artin në disa debutime që ka bërë në filmat shqiptarë kur ishte fëmijë.

Më pas akad. Tole ndali në interesat intelektuale për muzikën, ku u hapet drita kërkimeve muzikologjike dhe theksoi se për fat të mirë Shqipëria është një nga ato vendet që ka trashëgimi të mirë, kur bëhet fjalë për muzikën, gjuhën dhe dialektet, dhe është provuar që krijues shumë të zotë, por edhe më pak të zotë, sa herë i janë referuar tendencës krijuese që lidhet me zbulimin e teknikave kompozicionale dhe të formave dhe gjinive që lidhen me këtë traditë, gjithmonë kanë patur sukses.

Akad. Tole përmendi disa raste në traditën botërore që i kanë paraprirë këtij suksesi të mbështetur në muzikën e traditës, ndërsa kujtoi edhe kompozitorët shqiptarë si prof. Çesk Zadeja, por edhe disa autorë të tjerë, të cilët gjithsesi kanë mbetur interesantë kur janë marrë me këtë orientim.

“Do ta quaja shumë thelbësor që të gjenerosh muzikën prej rrënjëve të tua, -tha akad. Tole, – dhe sigurisht në këtë fazë të jetës së tij, Red Radoja është i fokusuar në Shqipërinë e veriut, drejt terreneve të virgjëra, siç është muzika e fshatit dhe sidomos malësitë e Shqipërisë së veriut me fokus të veçantë tek Eposi dhe kryesisht tek lahuta, që është instrumenti gjenuin që vë në lëvizje Eposin”.

Akad. Tole theksoi se, “Lahuta, ky instrument që është kaq i dashur për shqiptarët, është së fundi përsëri në vëmendje të qeverisë për ta regjistruar këtë instrument të veçantë, e veçanërisht këndimin me lahutë si pasuri shpirtërore botërore”.

Akad. Tole kujtoi ndër të tjera edhe interesin e muzikantit Red Radoja për kulturën shumëzërëshe polifonike.

Red Radoja dha një shpjegim të plotë mbi metodat e kërkimit të elementëve muzikorë në rrënjët e Eposit shqiptar.

Duke e konceptuar si një simbiozë unike vargun dhe poezinë në eposin shqiptar, Radoja tha se, vargu duhet marrë në tërësinë e tij, si një varg i koduar me veçoritë e të kënduarit, një varg që bëhet aktiv dhe i plotë vetëm kur këndohet në lahutë.

Radoja shpjegoi se ka punuar me variantet melodike duke studiuar disa variante të vogla në treva që janë të izoluara nga kultura orientale e mesjetës, dhe nga pushtimi turk. Ai iu është referuar këtyre zonave të pastra, për zbuluar muzikën dhe vargun e kënduar të Eposit, që e dallon atë nga variantet paralele në Ballkan.

Red Radoja ka bërë studime e vëzhgime të imëta, duke u futur edhe ne detaje të psikikës së lahutarit si një talent i lindur për ta mbartur e përcjellë trashëgiminë.

Red Radoja bëri në fund një paraqitje audio/video të materialit që ka shërbyer si bazë e analizave, për të hapur në vijim diskutimin me pyetje nga auditori.

Ai argumentoi tezën se vargu i eposit përcaktohet më tepër nga muzika, sesa nga logjika poetike. Kjo shkon në të kundërt me qëndrimin mbizotërues, jo vetëm të etnomuzikologjisë, por edhe të albanologjisë shqiptare përgjithësisht.

Kjo tezë u la vend diskutimeve dhe debateve shkencore me akademikët dhe studiuesit e fushave të albanologjisë për të përqasur afërsitë kërkimore në kontekstin e kohës së krijimit të bërthamës së Eposit.

Dr.Ermir Ballgjati bëri një paraqitje të karrierës së muzikantit Red Radoja, i cili ka studiuar për piano dhe dirigjim pranë Akademisë së Arteve në Tiranë.
Më tej ai i ka thelluar studimet e veta në këto dy fusha edhe në konservatorët e Strasburgut dhe të Dizhonit, por ka studiuar edhe muzikologji në universitetin e Strasburgut.

Dr. Ballgjati shprehu kënaqësinë që prezanton rezultatet e punës kërkimore të një muzikanti të çmuar dhe miku të vjetër siç është Redi Radoja, me të cilin e lidhin vitet kur studionte piano dhe dirigjim pranë Akademisë së Arteve në Tiranë.

Ai vuri në dukje se hulumtimi mbi elementin muzikor përbën një nga aspektet më pak të zhvilluara të studimeve mbi eposin në tërësi. Me përjashtim të dy konferencave të dedikuara si ajo e vitit 1983 në Tiranë dhe ajo e vitit 2014 në Prishtinë, nuk ka patur prurje të qëndrueshme e sistematike nga ana e etnomuzikologëve shqiptarë në këtë drejtim.

Mjafton të vihet në dukje se, me përjashtim të punimit “Muzika e eposit heroik legjendar” (1989) të Ferial Dajës, ende sot nuk ka asnjë studim monografik kushtuar muzikës së Eposit legjendar shqiptar. Në këtë kuptim, çdo kontribut i ri është më se i mirëpritur.

“Në radhë të dytë, -tha dr. Ballgjati- puna e Redit është dëshmi e një pasurimi që ka përftuar në këto vite ajo që mund të quhet etnomuzikologjia shqiptare. Deri në vitin 1990, hulumtimi etnomuzikologjik në Shqipëri zhvillohej në një kornizë të mbyllur jo vetëm si epistemë e metodologji, por edhe në planin institucional dhe infrastrukturor”.

“Puna e Redit, nga ana tjetër, është dëshmi e kapaciteteve dhe e kontributeve që janë zhvilluar ndërkohë nga diaspora e qenësishme muzikore shqiptare edhe në fushën e etnomuzikologjisë. Të formuar në shkolla e tradita të tjera studimore, këto kapacitete përbëjnë një aset për pasurimin dhe gjallërimin e mendimit e diskutimit etnomuzikologjik shqiptar në tërësi. Në këtë kontekst, nuk më duket krejt rastësi që një nga tezat, që Redi shtron, është paralelizmi modal i eposit me antifonat gregoriane mesjetare, ndonëse duhet theksuar se edhe Beniamin Kruta pati pohuar njëfarë paralelizmi në karakter me psallmodinë bizantine. Edhe analiza e funksioneve modale të gradëve e pasuron punën e gjertanishme etnomuzikologjike, e cila shpesh është kufizuar në analizën e elementit melodik vetëm si shkallë”, tha dr. Ermir Ballgjati./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme