Vasil Tole sjell botimin “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë”

29 Shtator, 2020 - 9:08 pm

Për Tiranën është shkruar shumë në këndvështrimin historik, pak në atë kulturor e akoma më pak për muzikën e saj.

Akademiku Vasil S. Tole solli botimin më të ri në kryeqytet “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë“.

Ky botim i kushtohet të gjithë muzikantëve popullorë të Tiranës dhe atyre që mbajtën gjallë këtë trashëgimi të madhe ndër vite.

“E ndjeja si obligim që në një vit të shënuar të ekzistencës së saj si kryeqytet i Shqipërisë, të jepja kontributin tim modest për dukurinë shpirtërore të muzikës popullore qytetare të Tiranës, e cila i dha identitet të spikatur dhe e bashkëshoqëroi rritjen e saj si qytet e më pas si kryeqytet”, shprehet autori.

Për të mbërritur tek studimi i muzikës popullore të Tiranës, thotë Tole, kisha përshkruar një rrugë të gjatë, shumë të gjatë, për të njohur muzikën popullore shqiptare, nga Jugu në Veri, për të mbërritur më në fund në qendër të saj, në Tiranë.

“Sot gjykoj se do ta kisha të pamundur qasjen ndaj muzikës popullore të Tiranës, pa njohur më parë me themel dy pjesët e mëdha të etnosit muzikor shqiptar prej të cilave ajo rrethohet, shumëzërëshi i jugut dhe njëzërëshi i veriut të Shqipërisë”, shprehet autori.

Ndërsa edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka vlerësuar veprën e akademikut Tole.

“Botimi “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë”, i përgatitur nga akademiku Vasil Tole është në vetvete një ngjarje kulturore e shënuar, në vitin e 100-të të shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë”, shkruan Veliaj në parathënien e botimit.

Në promovimin e librit ishte i pranishëm edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme