11 Korrik, 2019 - 8:30 pm
Shkrimtari George RR Martin tregon detajet e serisë së HBO-s, ku do të luajnë Naomi Watts dhe Miranda Richardson. Aty do të ketë kuçedra, ujq, mamutë dhe të vdekur që ecin, transmeton Telegrafi.
Seriali i cili momentalisht po filmohet në Irlandën e Veriut, ndodh mijëra vjet përpara ngjarjeve të shtjelluara te “Loja e froneve” (Game of Thrones) dhe “tregon për botën e dalë nga epoka e artë e heronjve në çastin më të errët të saj”.
Martin tha vitin e kaluar se seritë do të tregojnë Westerosin si një vend ndryshe, pa Selinë e Mbretit, pa Fronin e Hekurt dhe pa Targarianët.
“Valiria ka nis të rritet me kuçedrat dhe perandorinë e madhe që do të ndërtojë”, ka thënë ai.
Ai zbuloi se familja Stark patjetër do të shfaqet, por jo edhe Lanisterët.
Shkrimtari zbuloi se Westerosi 5000 vjet më parë u nda në 100 feude të ndryshme.
“Ne flasim për Shtatë Mbretëritë e Westerosit, ishin Shtatë Mbretëri në kohën e pushtimit të Aegonit”, thotë ai. “Por nëse shkon më tej, janë nëntë mbretëri, 12 mbretëri e më herët 100 mbretëri. Kjo është koha për të cilën flasim”.
Martini po shkruan “Erërat e dimrit”, romanin e gjashtë nga seria “Kënga për akullin dhe zjarrin”. Në maj premtoi se do ta përfundojë para verës 2020, kur do të udhëtojë në Zelandë e Re për një takim të shkrimtarëve të fantashkencës. /Telegrafi/