Veliaj: Dija, bileta e vetme drejt së ardhmes

4 Korrik, 2020 - 6:30 pm

Edhe pse në një situatë aspak të zakonshme për shkak të pandemisë prej COVID-19, mijëra të rinj dhe të reja kurorëzuan suksesshëm rrugëtimin e gjatë në udhën e dijes, që do të jetë vendimtare për të ardhmen e tyre.

Përmes një videomesazhi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përgëzuar maturantët për këtë arritje dhe këtë gur të rëndësishëm kilometrik në jetën e tyre. “Duhet të jeni shumë krenarë për veten tuaj, sepse diplomimi është ndoshta një nga shpagimet më të rëndësishme, por edhe më të bukura të jetës. Jua them sepse dikur, shumë vite më përpara, kam qenë edhe unë në vendin tuaj. Matura është ndoshta guri më i rëndësishëm kilometrik i jetës tuaj deri më tani! Edhe unë e di, që nuk ka qenë aspak e lehtë! Prandaj, nga thellësia e zemrës sime, por edhe në emër të skuadrës së Bashkisë së Tiranës, ju them, bravo ju qoftë”, theksoi Veliaj.

Veliaj u bëri apel të rinjve se pavarësisht situatës së vështirë që kaloi vendi prej tërmeteve dhe pandemisë, ajo nuk duhet të humbë magjinë e maturës dhe dy arritjet madhore, sikurse përvetësimi i dijes dhe marrja plotësisht në kontroll e drejtimin të jetës. “Edhe pse këtë vit nuk do të mund të blini kostumin apo fustanin e preferuar për ceremoninë e bukur të diplomimit, ashtu siç e do tradita, apo të kaloni natën duke festuar me shoqërinë fundin e shumë viteve djersë dhe mund, mos lejoni që kjo situatë e pazakontë të humbë magjinë e maturës dhe të mos gëzoni për dy arritje madhore të jetës suaj: E para, për përvetësimin e njohurive dhe mësimeve që ju kanë ndihmuar të kuptoni më mirë botën, por edhe veten tuaj. Dhe e dyta, për kapërcimin e kufirit të moshës madhore. Matura është ai çast i jetës ku ju merrni plotësisht në kontroll drejtimin e jetës suaj; do t’i merrni vetë vendimet, nga tani e tutje! Dhe e dini çfarë? Do të merrni vendimin më të rëndësishëm të jetës suaj: Atë se çfarë do të bëheni nga sot e tutje”, tha ai.

Ai u kërkoi atyre që të jenë të fokusuar tek objektivat dhe të punojnë shumë, duke parë gjithmonë drejt së ardhmes, pavarësisht minorancave të zhurmshme. “Me shumë mundësi, pandemitë dhe tërmetet do të ndikojnë në jetën tuaj, duke iu shtyrë që të merrni vendime të bazuara në kompromise jo të lehta. Ashtu si në Bashkinë e Tiranës, ku çdo vendim është një kompromis mes një pakice që shpesh bën zhurmë, që jeton me të shkuarën, por edhe një shumice të heshtur që sheh drejt së ardhmes. Dhe që aspiron më shumë punë, edhe më shumë arritje. Këto jua them edhe nga përvoja sepse këtu në Bashki na është dashur të marrim vendime aspak të lehta. Ndonjëherë, pakicat e zhurmshme të pengojnë për një moment ose për një kohë të caktuar, u shpreh Veliaj.

Si tregues konkret, Veliaj solli disa nga investimet e Bashkisë së Tiranës të cilat në fillim u përballën me kritika nga një pakicë e zhurmshme, por që në fund rezultuan nisma të suksesshme. “Pandemia provoi se shumë vendime të vështira, siç mund të ishte shtimi i korsive të biçikletave apo hapja e parqeve të reja, na shpërblyen me ruajtjen e distancës sociale, me një lëvizje të sigurtë në korsitë e reja kur makinat u ndaluan, me një cilësi të ajrit që u përmirësua, dhe mbi të gjitha, në ruajtjen e shëndetit fizik dhe atij mendor, që është jo më pak i rëndësishëm gjatë gjithë kësaj periudhe të rihapjes së ekonomisë dhe shoqërisë. Mbi të gjitha, tërmetet dhe pandemia na mësuan se paraja nuk blen dhe nuk zgjidh gjithçka në jetë. Bileta e vetme për të ardhmen është dija dhe aftësia që ne kemi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të parë se si gjërat mund të bëhen më mirë”, deklaroi kryetari i Bashkisë.

Veliaj theksoi se ky moment duhet parë jo si vështirësi, por si një mundësi e jashtëzakonshme për të reflektuar se si mund t’i përmirësojmë gjërat. Ndaj ai kërkoi një aktivizim më të madh të të rinjve dhe të rejave nëvendimmarrje. “Bëhuni pjesë e demokracisë, zhvillojeni atë duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje, në konsultimet publike. Mund të jenë ato në pallatin tuaj, me administratorët, në lagjen tuaj, me njësitë administrative, në qytetin tuaj, apo në të gjithë vendin. Mbi të gjitha votoni! Vota është e drejta juaj! Dhe, tani që keni një moshë të maturuar, mbas provimeve të maturës, e keni detyrë, por e keni dhe të drejtë që të jepni edhe ju mendimin tuaj, të lidhni edhe ju një kontratë. Nuk ka rëndësi për kë votoni, por është shumë e rëndësishme që vota juaj të hidhet, të numërohet dhe ju të jeni pjesë e aksionerëve të vendimeve që merren për Tiranën, edhe për gjithë Shqipërinë”, theksoi Veliaj.

Ai i siguroi ata se Bashkia e Tiranës është fansja e tyre më e madhe, dhe shumë prej investimeve synojnë pikërisht që ata të rriten më të shëndetshëm fizikisht, më energjikë, më të mirë arsimuar, e që nesër të jenë të gatshëm të marrin stafetën e transformimit të Tiranës në një qytet të qëndrueshëm për 100 vitet e ardhshme. “Këtë vit Tirana feston 100 vjetorin si kryeqytet i Shqipërisë dhe unë jam shumë krenar që si Bashki po investojmë si kurrë më përpara në infrastrukturën arsimore, me ndërtimin e kampusit të ri studentor, 17 shkolla të reja 9-vjeçare dhe të mesme, një rikonstruksion total i çerdheve dhe i kopshteve, dhe me projekte madhore, siç është projekti i “Piramidës”, ku shumë të rinj edhe mosha juaj, do të mësojnë teknologjinë e informacionit dhe do të kenë aftësi të reja për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet. Ambicia ime është t’u lemë të rinjve një qytet ku të rriten më të shëndetshëm fizikisht, më energjikë, më të mirë arsimuar, që nesër të jenë të gatshëm të marrin stafetën e transformimit të Tiranës në një qytet të qëndrueshëm për 100 vitet e ardhshme”, deklaroi Veliaj.

Për realizimin me sukses të provimeve të Maturës, bashkia e Tiranës bëri dezinfektimin e të gjitha shkollave dhe mori masa duke vendosur në dispozicion mjedise shtesë për të respektuar kriteret e distancimit fizik. /KultPlus.com

Të ngjajshme