7 Shtator, 2020 - 10:40 am
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrën e tij aktorin dhe shkrimtarin e njohur Çun Lajçin.
Lajçi prej ditësh ndodhet në kryeqytetin shqiptar, duke promovuar librin e tij të fundit. Ndërkaq, mediet shqiptare raportojnë se përgjatë takimit me Veliajn u diskutun një mori temadh dhe çështjesh të lidhura me artin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës shqiptare, përcjellë KultPlus.
Duke e përgëzuar për veprën, por dhe për kontributin e dhënë si artist dhe shkrimtar, kryebashkiaku e vlerësoi Lajçin si një vlerë të paçmuar për shoqërinë shqiptare. “Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, artisti Çun Lajçi u shpreh i nderuar për mikpritjen e kryebashkiakut. “Të falenderoj shumë për burrërinë, për ftesën, që more një shitës librash dhe e solle në zyrë, pavarësisht roleve, pavarësisht viteve. Gjithçka ndërtohet në paqe mbi librin dhe mbi dijen, – kësaj s’guxojmë t’i ikim, se po ikëm nga dija, nga libri, nga mendimet e të kaluarve tanë, me vetëdije ike mi prerë rrënjët tona. Prandaj, të falenderoj që më more prej librave dhe më prure këtu, duke më dhuruar Sahatin e Tiranës, që do ta mbaj kujtim gjithë jetën”, u shpreh Lajçi.
Ndërkaq, Veliaj publikoi edhe një status në rrjetin social Facebook, ku tregoi se ndjehet shumë i lumtur për prezencën e Lajçit në Tiranë, duke iu referuar këtij të fundit si Çun Lajçi i madh.
‘Kulla e Sahatit për artistin Çun Lajçi – një vlerë e paçmuar!
Jam shumë i lumtur që kemi pas bujtës në Tiranë, Çun Lajçin e madh, jo vetëm të dyqind roleve, por edhe të dyqind frymëzimeve e dyqind energjive.🙌🙌🙌
Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë.🙏”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com