9 Qershor, 2020 - 6:51 pm
Të flasësh për një prej njerëzve më të dashur, nuk është edhe aq e thjeshtë. Ke kaq shumë për të treguar, saqë nuk di ç’të tregosh mes tyre.
Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, Tajar Agolli, vëllai i Dritëroit, tregon për lidhjen me të vëllanë që në vitet e fëmijërisë, lidhjen me gjyshërit, prindërit, fshatin, shkollimin, deri te jeta e përbashkët në Tiranë, në një shtëpi 1 dhomë e një kuzhinë.
Tajari tregon për dramën e Dritëroit, atë të ndarjes nga bashkëshortja e tij ruse, e cila u largua drejt Bashkimit Sovjetik bashkë me të birin 7-vjeçar. Ai tregon shkaqet e largimit dhe si e përjetoi Dritëroi.
Më pas erdhi emërimi i tij si Kryetar i lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, deri te Kongresi X i PPSH-së, një situatë jo e thjeshtë për Dritëroin, të cilit iu vunë kundër edhe miqtë e dikurshëm. Tajar Agolli tregon edhe për lidhjen e Dritëroit me Ismail Kadarenë dhe arsyen e ftohjes së tyre.
Z. Agolli, si është të jesh vëlla i Dritëroit? Çfarë mund të kujtoni nga fëmijëria juaj?
Unë dhe Dritëroi kemi pasur vetëm një vit diferencë moshe. Madje, kujtoj që shumë na quanin binjakë. I vetmi ndryshim mes nesh në aspektin fizik ishte që unë paraqitesha disi i bëshëm, ndërsa Dritëroi i hollë dhe elegant. Me humor e shpjegoj se kjo diferencë peshe vinte ngaqë unë kisha oreks për ushqim, ndërsa ai uri të madhe për libra. Im vëlla nisi të lexonte qysh herët në shkollën Unike të Bilishtit dhe për këtë spikaste mes shokëve. Edhe unë përpiqesha të lexoja ndonjë gjë, por Dritëroi ishte fantastik dhe në këtë drejtim s’mund të arrihej. Sot mund të duket për të qeshur, por dashuria për librin i shkonte deri aty sa në mungesë të paraveçonte fasule në shkollë dhe i shkëmbente me tekste. Kjo mënyrë të menduari qysh në hapat e parë, e bënte atë të veçantë. Ndaj, unë e kam nder të them që e kisha gjithçka, vëlla, shok, mik, baba dhe njeri të shpirtit.
Një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë kanë qenë edhe gjyshërit tuaj, të cilët Dritëroi i përmendte shpesh…
Edhe pse është e vështirë të përmbledh kujtimet tona të vegjëlisë në pak fjalë, unë do të përpiqem të rendis disa momente që më janë shënjuar në memorie. Dashuria e gjyshërve ishte tejet e madhe, sidomos e gjyshit ndaj Dritëroit. Kujtoj që na merrte pas gjithnjë. Në verë e shoqëronim te një kolibe dykatëshe prej druri dhe prej aty vështronim të gjithë vreshtin. Dukej aq bukur ajo kasolle sa flinim dhe zgjoheshim aty, ku pa dyshim s’mungonte as qeni ynë Balo. Ndërsa me gjyshen e kishim ndryshe, pasi tek ajo ishte e vështirë të kuptohej se cilin nga ne të dy e kishte më të preferuar. Zakonisht flinim bashkë me të dhe ajo përgjatë gjithë natës kthehej sa nga njëri krah te tjetri, në mënyrë që të mos na ngelte hatri. Në fund e zinte gjumi me kurriz që asnjë prej nesh të mos mërzitej.
Të parët tuaj kur kanë mbërritur në Menkulas? Kemi dëgjuar që emrin e fshatit ata ia kanë vendosur sipas një shprehje “ment’ ku i lashë”. Sa e vërtetë është kjo?
Dritëroi ka shkruar aq shumë për Menkulasin, sa s’besoj se ka ngelur ndonjë guralec pa i dedikuar vargje. Ne jemi mjaft të lidhur me të. Referuar historisë që tregonin më të vjetrit, i pari që ka mbërritur në fshat rrjedh nga trungu i fisit tonë dhe quhej Ahmet. Kjo solli edhe mbiemrin Ahmetli, të cilin më herët e ka mbajtur edhe familja jonë. Ndërkohë, sa i përket emrit të fshatit, një dokument i zbuluar në arkivat e Stambollit nga një miku ynë, tregon se kur kaloi përmes Menkulasit një kolonel turk i quajtur Mehmet, u shpreh: “Ment’ kui lash”. Ishte kjo shprehje që u ngulit fort dhe më pas ngeli si emërtim për fshatin tonë.
Në rrëfimin tuaj, më bëri përshtypje që dikur keni ndërruar mbiemrin nga Ahmetli, në Agolli. Çfarë fshihet pas kësaj zgjedhje?
Në vitin 1945 doli një vendim nga institucionet e kohës, ku ofrohej mundësia e ndryshimit të mbiemrit. Ndër ata që menduan ta ndryshonin ishim edhe ne. Disa nga fisi ynë e vendosën “Flaka” dhe disa të tjerë “Zjarri”. I gjendur mes vendimeve të tyre, në inat e sipër, babai si variant të parë mendoi ta vendosë “Shkrepësja”, duke treguar se bën bashkë flakën edhe zjarrin. Ndërkohë, me argumentin se vinim nga shtresa e mesme, ai propozoi që të vendosej Agolli (nga Aga), dhe ky mbiemër u pranua nga të gjithë.
Dritëroi ka plot një libër me poezi për kalin, ka poezi për shpendët, për tokën dhe për punën. Si ndikoi natyra e fshatit në formimin e tij?
Që në moshë të hershme, Dritëroi spikaste për talentin që kishte. Kjo, në njëfarë mënyre, reflektohej edhe nga dashuria e madhe për natyrën, kafshët, shpendët dhe insektet. Kujtoj që në vegjëli vraponte buzë jazit të fshatit për të kapur flutura, hynte mes bimëve barishtore dhe kapte zogj të bukur me leqe. Madje, kur shkonim për mëllenja, ai zgjidhte t’i vendoste me zgjuarsi kurthet në pullaze, ku kishte shkrirë bora. Kujtoj kur zuri një here një mëllenjë, e mori mbi duar dhe pasi e vëzhgonte plot dashuri e puthte në kokë. Pas pak, u drejtua nga unë dhe më tha: “Tajar, do ta lëshoj këtë që kapëm”. Unë e miratova me kokë, pasi ai ishte “përgjegjësi” për mua dhe vendimmarrja i përkiste atij. Pasi e liroi, e shihte në fluturim dhe përplaste duart gjithë gaz. Kjo më bënte të kuptoja se çfarë shpirti mbartte ai njeri. Dashuria ndaj kalit apo kafshëve të tjera, shihet edhe në orientimin që kishte zgjedhur të merrte në jetë. Pas përfundimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, mes degëve që kërkonte të ndiqte ai zgjodhi zooveterinarinë. Falë këmbënguljes së Karaman Yllit, që kishte ndjekur krijimtarinë e tij dhe insistonte që të ndiqte letërsinë, Dritëroi ndoqi letrat, por pa harruar kurrë të kthejë kokën pas nga pasioni për tokën e natyrën.
Po nga Lufta Nacionalçlirimtare, çfarë mund të kujtoni? Cili ishte roli i Dritëroit, paçka se ishte i vogël?
Dritëroi iu bashkua luftës që fëmijë, ku shkoi një javë dhe qëndroi te partizanët. Ata, kur e panë, u habitën dhe i thanë se ishte tepër i vogël për të qëndruar aty. Nëna qante e merakosur dhe ne duke parë gjendjen në shtëpi i dërgonim letra, duke i kërkuar që të kthehej. Vërtet ai u kthye pas insistimit tonë, por, ama, vijonte të ishte korrier për të transportuar mesazhet e partizanëve, si dhe simpatizant i këngëve që ngriheshin për heroizmin e tyre. Kjo i shërbeu edhe në krijimtari, ku shpeshherë ngjarjet i ka gërshetuar aq bukur me Luftën.
Po baba Rizai, në raport me Ndritin (siç e quanit ju), si sillej?
Babai kishte një komunikim e mënyrë të foluri ndryshe, pasi kishte qëndruar rreth 15 vjet në Amerikë. Ai ishte njeri i qejfit në sebepe, mjaft i afrueshëm dhe nderonte çdokënd. Në dasma dhe fatkeqësi, im atë e merrte Dritëroin me vete, duke ia mësuar sjelljet e të rriturit që në vegjëli. I vëmendshëm ndaj tyre, ai i reflektonte herë pas here duke marrë një pamje më të pjekur në sytë tanë. Madje, në ato sofra, Dritëroi mësoi të këndojë aq bukur. Kur filloi shkollën, bënte shkrime në gazetën e murit dhe babai krenohej, pasi mblidheshin të gjithë fshatarët me kureshtje që ta lexonin. Aty ai shkruante me humor për ndonjë vjedhje që bëhej në fshat apo ndonjë dembel. Poezitë e tij të para, babai i merrte nga gazeta, i priste me kujdes dhe i vendoste në kutinë e duhanit. Teksa lavdërohej mes miqsh, thoshte: “Djali im vërtet është poet, por jo si Naimi. Po t’i krahasosh ata të dy, është njëlloj si të krahasosh Menkulasin me Tiranën…”
Po nënë Hatixheja?
Nëna kishte shumë shprehje, që vërtet të habisnin. Dritëroi e përmendte shpesh kur thoshte se pjesën e djathtë të trurit ku qëndron talenti, e kishte të trashëguar nga nëna me origjinë prej Kolonje, ndërkohë pjesën e karakterit i vinte nga babai. Dritëroi ka shumë kujtime me ne dhe unë kur i rrëfej kam emocione. Natyrshëm më vjen në mendje koha kur prashisja dhe korrja me drapër, sepse isha i fuqishëm, ndërsa Dritëroi bënte më tepër punë logjike dhe profesionisti si të lëronte tokën, hidhte farën apo kujdesej për prodhimet.
Pse u shpërngulët nga fshati?
Babai vendosi që ne të shpërnguleshim nga Menkulasi veç për arsimimin tonë, pasi shkollat ishin pak larg. Fillimisht u vendosëm në fshatin Shamoll, ku im atë më regjistroi te “Shkolla e Kuqe” në Korçë. Duke qenë se vija nga fshati, shokët më shihnin me skepticizëm dhe më rrinin larg. Duke parë gjendjen time, babai u detyrua të kërkojë një shkollë tjetër, ndaj u vendosëm në fshatin Rrëmbec. Aty jetuam disa vite dhe më pas unë, babai, nëna dhe motra, erdhëm në Sukth të Durrësit, ku xhaxhai ynë Mehmeti kishte zënë vend në fermë bashkë me bashkëshorten. Qëndruam një periudhë deri sa unë u rregullova në Tiranë dhe më pas i tërhoqa të gjithë.
Në kohën kur Dritëroi erdhi nga ish-Bashkimi Sovjetik, ai jetonte te shtëpia juaj në ish-Kinostudio? Si ishte jeta e përbashkët?
Kur Dritëroi u kthye nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, vendosi të banonte me mua duke ndërtuar një bashkëjetesë të shkëlqyer. Ai, unë, bashkëshortja, nëna dhe babai, jetonim në zonën e Kinostudios brenda një apartamenti 1+1. Fillimisht, u kthye në Shqipëri për të parë situatën dhe më pas do të sillte ishgruan e tij Nina dhe djalin e madh Arjanin. Them me bindje që gjeti te ne një ngrohtësi të veçantë, pavarësisht se ishim pak ngushtë, ku unë flija në korridor, Dritëroi në dhomë dhe babai me nënën në kuzhinën e vogël.
Cilat ishin raportet tuaja me ish-gruan e Dritëroit nga Rusia? Si ishte Nina?
Nina ishte një njeri pozitiv dhe raporti ynë u ndërtua mjaft i fortë. Në vitet e para të ardhjes në Tiranë, ajo jetonte bashkë me ne. Për fat, unë munda ta shkëmbej shtëpinë me një banesë më të madhe të një mikut tim major, pasi atij mund t’ia merrnin, duke qenë se jetonte veç me bashkëshorten. Pas akomodimit në të, kishim një jetë të qetë. Dritëroi vinte me një biçikletë “Riga” te puna në “Zërin e popullit”, ishte korrekt dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses me krijimtarinë. Ndërkohë, unë përpiqesha ta lehtësoja disi, me aq sa mundja. Duke njohur mirë gjuhën ruse, Ninën dhe djalin i shëtisja në teatër, parqe dhe i mësoja rrugët e Tiranës. Nga ish-bashkëshortja e Dritëroit ruaj kujtime interesante, ku një prej tyre është edhe martesa ime. Në kohën që shkonim për ta marrë gruan time, Vahide, ajo bashkë me Dritëroin këndonin këngë të operës ruse.
Si erdhi ndarja e tyre? Çfarë mban mend nga gjendja e Dritëroit në atë periudhë?
Fill pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ish-bashkëshortja e Dritëroit pësoi një tronditje të thellë pasi kishte një lloj admirimi për udhëheqësin e asaj kohe, Hrushovin. Pavarësisht se nuk u përzu nga regjimi, siç u veprua me shumë të tjerë, Nina nisi të ndihej e paragjykuar në ambientet ku punonte apo shoqërohej, pasi nuk gjente mbështetje për bindjet e saj. Shkëputja e lidhjeve shtetërore krijoi në popullatë një urrejtje ndaj rusëve që ngelën në Shqipëri. Ndaj, nisur nga klima e krijuar, një ditë ajo shprehu vendimin për t’u larguar përfundimisht, duke argumentuar se s’mund të vazhdonte më në atë gjendje. Im vëlla insistoi që të qëndronte bashkë me djalin, por Nina zgjodhi të ikte, ku shpjegoi se një nga arsyet ishte që ta linte Dritëroin të kultivonte talentin i qetë dhe të mos shqetësohej nga sulmet kur prodhonte letërsi.
Ke marrë pjesë në shoqërimin e Ninës dhe Arjanit në aeroport? Çfarë mban mend nga ai moment? Dritëroi çfarë bënte rrugës, fliste?
E kam ende të freskët në memorie momentin kur Dritëroi më njoftoi mbi vendimin e Ninës për të braktisur Shqipërinë. Isha duke pushuar në plazh kur e mësova dhe i çuditur nxitova drejt Tiranës. Ajo kishte bërë valixhet gati, ndërsa Dritëroi ishte kujdesur që t’i bënte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përmes Ambasadës çeke, që kryente procedurat për shtetasit rusë. Kur u nisëm për në Rinas, rrugës në Vorë, Nina u pendua dhe kërkoi që të kthehemi. Dritëroi e vëzhgoi gjatë, por nuk ktheu mendje, duke i shpjeguar se ajo tashmë kishte marrë një vendim dhe s’mund të luhej për t’iu rikthyer konflikteve. Kurrë nuk e kisha parë tim vëlla aq rëndë sa në atë ditë. Gjatë gjithë kohës, ai nxirrte lot dhimbjeje për djalin 7 vjeç, të cilin nuk do ta shihte për shumë vjet. Prej atij momenti, të vetmet informacione rreth tij vinin nga letrat që Nina i dërgonte kujdesshëm motrës sonë dhe i rrëfente për Arjanin.
Çfarë bënte Dritëroi ato kohë, pas ndarjes? Po prindërit tuaj si e përjetuan?
Pas ndarjes nga bashkëshortja, unë shkoja vazhdimisht ta vizitoja në apartamentin te Rruga e Dibrës, pasi siç mund të kuptohet, ai e përjetoi shumë keq. Të vështirë e patëm edhe ne. Dritëroi, i zhytur në vetminë e asaj kohe, më kërkoi që prindërit të shpërnguleshin dhe të jetonin në një banesë me të, për të plotësuar disi boshllëkun. Babai dhe nëna pësuan një dëshpërim të madh, pasi ishin mjaft të lidhur me Arjanin. Dhe si të mos mjaftonte dhimbja e kësaj ndarjeje, im vëlla ndiqej nga sigurimsat për të zbuluar se kush shkonte në shtëpinë e tij.
Ju thoni se Dritëroi ishte i ndjekur nga “Sigurimi”. Keni ndonjë provë për këtë?
Asaj periudhe, në bilardon e Shtëpisë së Oficerëve luaja me njërin pa e njohur se cili ishte, pasi prezantohej si nëntoger. Njëherë, duke shkuar te banesa e Dritëroit, rastësisht e pashë që shëtiste rreth saj. Unë në cilësinë e kapitenit të dytë, e pashë së largu dhe e thërrita. “Baxhul, pse je këtu? Ti survejon vëllanë tim? Unë nuk kam pse ta ruaj nga rreziqet, sepse e di se kush është dhe ai nuk ka nevojë për mbrojtje”. Me aq sa kuptova, qëllimi i tij ishte të gjente njerëz që kishin lidhje me Dritëroin, pasi u largua bashkëshortja. Unë e mbajta mend Baxhulin dhe kur ia shpjegova Dritëroit situatën, më pa gjatë në sy dhe më tha: “Janë të zakonshme, le të bëjnë çfarë të duan se nuk e çaj kokën për këtë punë”. Siç e thoshte shpesh edhe vetë im vëlla, ai nuk ishte ndonjë trim i madh, por ama as frikacak nuk ishte.
Ritakimi i Dritëroit me djalin dhe ish-bashkëshorten u bë pas prishjes së sistemit diktatorial. Çfarë ju ka treguar vëllai juaj lidhur me këto emocione?
Merita të veçanta për ritakimin e Dritëroit me djalin dhe ish-gruan ka bashkëshortja e tij e jetës, Sadija. Për hir të Arjanit, ajo kërkoi dhe gjeti informacione të sakta mbi adresën e Ninës dhe vendosi takimin e parë në Shën Petërburg pranë një hoteli. Dritëroi u prek shumë kur i biri e zuri për qafe dhe i vendosi kokën afër zemrës dhe vetëm qante. Më pas, im vëlla takoi ish-gruan në shtëpinë e saj, ku ajo e mërzitur i fliste mbi vështirësitë e martesës së dytë me një njeri që nuk e donte. Edhe hera e dytë e takimit ka qenë mjaft e veçantë, ku Dritëroi, i shoqëruar nga Moikom Zeqo, shkoi ta vizitonte dhe qëndronte gjatë me të. Më herët, Arjani ishte takuar me djalin e dytë të Dritëroit, Artanin dhe vajzën Elona, të cilët ia kaluan mjaft mirë.
Po kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si e prite ti si vëlla?
Kur i propozuan të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duhet thënë se Dritëroi nuk donte. Ai u sugjeroi që më mirë të vendosnin dikë tjetër në atë post, pasi sipas tij, në këtë emërim do të merrej më tepër me punë administrative dhe kjo gjë do ta pengonte në krijimtari. Ndërkohë, vendimi kishte ardhur nga Ramiz Alia dhe ai kishte ofruar mbështetje maksimale. Natyrisht që unë u gëzova shumë, pasi nuk ishte pak të mbaje atë detyrë në atë kohë.
Dihet se pija i bën njerëzit disi më “gojëlirë”. A kishe frikë si vëlla, që Dritëroit mund t’i ndodhte ndonjë gjë për këtë shkak?
Dritëroi ishte i kujdesshëm, ndaj edhe nuk frikesha se ai mund të thoshte ndonjë gjë prej pijes. Nga një anë, unë ruhesha më tepër pasi kam pasur mjaft njerëz që më provokonin për të nxjerrë sekrete. Gjithnjë përpiqesha të tregoja kujdes për vete dhe për atë, në mënyrë që mos i krijoja shqetësime. Megjithëse nuk pija, pasi ushtarakët s’para pinin, kujtoj një histori shumë interesante: Një ditë kisha marrë një shishe raki të mirë dhe shkoj te Dritëroi për vizitë. Ai pasi e provoi, veçoi gjysmë litri dhe ma vendosi përpara në tryezë: “Këtu e ke, – tha, – nëse e pi atëherë ke mësuar diçka nga pija”. I vënë në sedër, e piva me mezet që na kishte përgatitur Sadija dhe prita se çfarë do të më thoshte. Ai, pasi më vështroi se në çfarë gjendjeje isha, më tha që prej asaj dite të mos kem më merak për raki, pasi e kalova provën.
Dritëroi doli edhe kundër sistemit komunist në Kongresin e 10-të të Partisë. Si e prite ti?
Unë e prita mjaft mirë dhe nuk kisha asnjë problem, pasi kisha besim tek aftësitë e tij. Është normale që merakosesha si vëlla, ndaj përpiqesha të shkoja për ta vizituar shpesh. Dritëroi i kishte nuhatur ndryshimet që në vitin 1984 dhe më shprehte se do të përmbysej sistemi komunist. I merakosur, unë i thosha që një kapërcim i tillë do të ishte fatal për ne, por ai më jepte siguri që gjithçka do të shkonte mirë dhe ashtu ndodhi. Nisur nga bisedat me të, gjithnjë kam pasur bindje të plotë se Dritëroi ishte demokrati i parë, i pastër dhe jo aventurier. Për këtë dua t’ju sjell disa kujtime nga një udhëtim i yni në Ersekë, ku ai shkonte si kryetar i LSHA-së dhe unë e shoqëroja si oficer mbrojtës nëse do të kishte ndonjë rrezik. Teksa përshkonim aksin në Bradashesh me përfaqësues të Lidhjes, ku kujtoj Teodor Laçon mes tyre, Dritëroi me vështrim nga fushat përreth tha: “Shikoni si azdisen gomerët! Në vend që barin ta hajë lopa, ia hedhin si ushqim gomarit, i cili nuk prodhon as qumësht dhe as punë”… Këto dhe të tjera deklarata që nuk ishin aspak normale për atë kohë, më trembën shumë, pasi na gremisej familja. Përpiqesha t’i bëja ndonjë shenjë Dritëroit, por më kot, ai vazhdonte të fliste hapur, duke i numëruar të gjitha ato që mendonte. Kur mbërritëm në hotel, s’mund t’i harroj fjalët e një gruaje që u afrua për të shërbyer ushqimin dhe ndonjë pije. E çuditur nga sjellja e Dritëroit, ajo na vëzhgon dhe thotë: “Ah, o djemtë e nënës, ju jeni shumë ndryshe. Këtu vijnë mjaft njerëz që thonë se duan të përfytyrojnë zhurmën e stanit dhe tundjen e kosit në pëti për t’i zënë gjumi. Ndërsa ti Dritëro, as çaj nuk do!”
Pas rrëzimit të sistemit dhe kritikave të Dritëroit ndaj gjendjes së partisë, ai ishte në qendër të sulmeve të komunistëve fanatikë, por edhe të forcave antikomuniste, të demokratëve e të persekutuarve. A kishe frikë për jetën e tij në atë kohë?
Me përjashtime të vogla, në momentin që doli kundër sistemit komunist, Dritëroi u tradhtua thuajse nga të gjithë. Madje, kundër tij dolën edhe ata që i kishte vendosur anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një situatë e vështirë, për të cilën akademiku Ali Aliu me të drejtë thotë: “Sulmet që iu bënë Dritëro Agollit në fillim të demokracisë ishin të tilla, që vetëm një njeri me kapacitete të mëdha si Dritëroi mund t’u përgjigjej”.
Ju, si i gjykoni qëndrimet dhe sulmet ndaj Dritëroit? Shihnit frikë tek ai?
Frikë nuk kishte, por ama ruhej shumë pasi dëgjonte vërshëllima rrugaçësh ngado. Ai nuk ka lënë gjë pa ia thënë në sy për sy dhe jo si të tjerët mbas shpine. Edhe pse gjendja ishte e tensionuar, im vëlla e menaxhoi pozitivisht, ku përpiqej t’i përgjigjej me kujdes dhe mprehtësi në shtyp çdokujt që e sulmonte. Kujtoj që artikullin e parë kundër Dritëroit e botoi Sabri Godo. Fill pas kësaj, Dritëroi shkroi disa faqe si reagim, ku i kujtonte të shkuarën dhe Godo nuk foli më. Që prej atij artikulli, ai ndryshoi sjellje, duke dalë në intervista bashkë me Dritëroin dhe vinte shpesh në shtëpi. Ndonjëherë, me shaka im vëlla i thoshte: “Ti je i mirë Sabri, por kjo e mirë të vjen ngaqë e ke gruan bejlereshë”.
Po Ismail Kadare?
Ismaili u nda vetë nga Dritëroi. Që nga koha kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kadare pati njëlloj paragjykimi, duke menduar se Dritëroi ishte veçuar nga shoqëria. Kjo s’është aspak e vërtetë, pasi vëllai im ishte një paqësor i madh. Këtu vlen të përmend edhe disa detaje gjatë një takimi të mëvonshëm mes të dyve, ku dialoguan në një intervistë me Pirro Milkanin: Ai i tha: “Pa debat nuk ka përparim, ndaj debati është i rëndësishëm. Nëse ta bëjnë shesh me lule, atëherë kjo është shenjë treguese se ke të meta. Prandaj, debati i zgjidh kritikat. Edhe një filiz që del mbi shkëmb ka nevojë të ketë shoqëri me pemë të tjera rreth e rrotull, pasi i vetëm është i destinuar të thahet”.
Historinë me Sali Protopapën, një personazh real që jetonte në USA dhe vizitën e tij tek Dritëroi, a e di?
Theksoj se te Sali Protopapa nuk ka ndonjë personazh të caktuar dhe real. Letërsia është përgjithësuese që çdokush ta gjejë veten aty, ndaj s’duhet marrë sikur ka dashur të shigjetojë një njeri konkret. Nëse krijimtaria s’është e tillë, atëherë duhet thënë se nuk është letërsi. Ardhja e Sali Protopapës në shtëpinë e Dritëroit ishte surprizuese dhe dera për të qëndroi e hapur si për të gjithë njerëzit pa dallim. Nisur nga ato që më ka thënë Dritëroi, im vëlla i ka thënë se nëse s’e kupton letërsinë, nuk i përgjigjet dot, duke i shpjeguar se qëllimi i përshkrimit të personazhit ishte të demaskonte të gjithë personat që punuan kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas tij, në banesë trokiti edhe nipi i Lefter Ruços për t’u ankuar mbi personazhin Lefter Lefteri, që Dritëroi e sjell te libri “Komisari Memo”. Atij i shpjegoi se në Korçë kishte mjaft emra të ngjashëm që shërbenin si spiunë në kohën e luftës, ndaj e këshilloi që para se të dilte në konkluzione, të ulej dhe të rilexonte librin me kujdes. /Panorama /KultPlus.com