Vëllimi poetik “Mahnitja e parë” nga Demë Topalli, rikthim në të kaluarën dhe vështrim nga e ardhmja

30 Prill, 2024 - 1:35 pm


“E ka krijuar,
Që ne bijtë vdekatarë prej mëkati,
Me mujt me shkrue e vetëm me shkrue.”
“Mahnitja e parë”


Fuqia e fjalës bukur të thënë arrihet përmes artit të poezisë, i cili zë vend të veçantë në zemrat e
lexuesve. Ndër shekuj e vite, poetët kanë arritur që me shkrimet e tyre të prekin skajet e vetmisë e
të harresës, të kujtojnë ndër vargjet e tyre Olimpin e lashtë, t’i drejtohen poezisë duke kërkuar nga
kjo e fundit t’i shpëtojë, t’i nxjerrë nga humnerat e trishtimit, duke shkruar e ngushëlluar vetën me
vargjet e tyre.
Me përmbledhjen poetike “Mahnitja e parë”, Demë Topalli, arriti të sjell te lexuesit një poezi sa të
veçantë, po aq edhe personale. Poezitë e poetit kosovar ruajnë shenjat identifikuese që e
karakterizojnë poezinë e cila buron nga një penë e cila u dënua në përjetësinë e të shkruarit fjalët
e pathëna.
Vepra “Mahnitja e parë” ndahet në tri pjesë: “Zani i tretë”, “Zani i dytë” e “Zani i parë”, duke mos
munguar brenda saj edhe studimet e shkruara nga Sabri Hamiti, Sali Bashota e Rifat Ismaili për
krijimtarinë e poetit, Demë Topalli.
Për Demë Topallin, arti i të shkruarit është një gjë e shenjtë, e këtë gjë e dallojmë në poezinë e
titulluar “Shtëpia e bërë prej harrese”, ku poeti shprehimisht thotë:
“Zot,
Na ruaj nga mallkimi
Me harrue me shkrue.”

Duhet me shkrue, me shkrue e me shkrue, thotë poeti i frikësuar nga harresa, e ky i fundit i
dorëzohet poezisë, përmes të cilës arrin të ruaj kujtimet që koha vret, vargje këto të cilat i mbajnë
kujtimet gjallë, se koha është dora që gjithçka ka vrarë.
Figura “një mijë” në poezitë e Demë Topallit arrin të tejkalojë skajet e pafundësisë. Një mijë vjet,
një mijë tundime, një mijë sy, shkruan poeti i cili kapërcen kufinjët e kohës, duke ndërlidhur
individualen me mallin, me kujtime e tundimin e parë, mendimet që si plumbi të rëndojnë e rënien
e parë, fjalët e thëna si urdhër i lashtë e mahnitjen e parë për një lule të paemër.
Tundimi në vargjet e poetit është një fjalë, pastaj një fjalë që bëhet tundim, e më pas një mijë
tundime që e ndjekin pas, mbuluar me terrinë e pafund të natës, errësirë kjo që do të kaplojë
gjithçka. Poeti qan për kohët e kaluara, për pafajësinë e fëmijërisë, kur të gjithë janë të pastër porsi
loti, kur ëndërrat janë më të mëdha se vetë bota, e kjo e fundit ndriçon me ngjyra më të ndritshme,
duke dëftuar mes vargjesh për dhimbjen e shkaktuar nga një kohë që dogji e shkatërroi çdo gjë.
Poeti sfidohet nga Kishtari i cili i thotë se nuk ka mbetur asgjë pa u thënë nën këtë Diell, e nga ky
tundim buron dëshira e poetit për të shkruar e për të krijuar, për të përjetësuar gjëra të reja brenda
vargjeve të cilat do ishin dëshmitare të krijimit të vargjeve të reja në të ardhmën:
“E ke thënë, po harrove
Që vetë ti je poezi vaji e gjëme…
Ndoshta i gjithë ky tundim vjen
Ngase ne kemi me u vdjerrë, me shkue;
Por ti harrove se në këtë botë
Kemi ardhë me lanë farën e me ikë
Që të tjerët të vijnë, të reja me krijue.”
Brenda vargjeve të poezive të tij, poeti arrin të dëgjojë heshtjen e të flas me gojë mbyllur, si një
mjeshtër që nuk bënë zë, i heshtur mes fjalëve që vdesin, i braktisur nga koha e historia. I mbyllur
në një kafaz për të cili i ishte premtuar lumturia, poeti kërkon të gjej rrugën e shpëtimin të sytë që
ende dinë me pa, se nuk donte ta zinte terri në një iluzion muresh të vërbëra.

Poeti gjen ngushllimin në fjalët e shkruara, të cilat i karakterizon si një urdhër i lashtë, edhe pse
kjo e fundit është si një gjë mizore që e vret dhe e tundon:
“Po, krejt çfarë ka mbetur nga kjo rrugë
S’është gjë tjetër pos një urdhër hyjnor
Me shkrue e me shkue.”
Ka çaste që na ngushtojnë mendjen e zemrën, porsi makthe nate, na dëfton poeti, i cili nuk do të
braktiset nga fjalët e shkruara, nuk do që këto të fundit të simbolizojnë zbrazëti e të ftohin zemra,
nuk do që vargjet e tij të vdesin ende pa jetuar:
“Ka çaste,
Kur mendimi mbyllet deri në errësim
Dhe fjalët vijnë krejt të sfilitura, vdesin,
Vdesin ende pa ra në letrën e bardhë.”
Heshtja është krijimi i fjalës së shkruar që kumbon, një çasti që vlen sa një mijë të tjerë. Madhështia
e vetmisë i dorëzohet penës së poetit i cili është dashnues i heshtjes e i qetësisë shpritërore të cilën
e gjen mes vargjeve të poezive:
“Me vdekë,
Një mijë herë me vdekë
E me u ngjallë bashkë me ty
Përsëri, në Heshti.”
Poeti, mallin e pafundësinë e të bukurës arrin ta fsheh në vargjet e poezive të tij, ndër drithërima
hane, kur donte që të shihte botën me sy kange. Poeti shpreh mall për botët e largëta të krijuara
nga mbretëria e vetmisë.

“Ti, lule paemër, apo ndoshta,
Dritë e parë, e lashtë, ndezuri,
Nganjëherë sikur vjen prej botëve
Që kurrë s’i kanë parë këta dy sy.”
Janë vargje nga poezia e titulluar “Për një lule të paemër”, ku paraqitet një poet i cili mbizotërohet
nga ndjenjat, nga e bukura e nga një vetmi e përkryer me lulen e paemër, duke dëftuar për
pamundësinë e të krijuarit të një emri që përshkruan të bukurën e mahnitëshme, nga e cila nuk
mund të ikë. Poeti e quan vetën si një rastësi kohe, si një rrëfim të mbyllur karshi lules së paemër
së cilës i lutet t’i vihet frikës përballë e të vie në këtë botë mëkatarësh, duke e parë këtë të fundit
si të paarritshme:
“Ti, lule e paemër, dritë e parë,
Ndezuri, apo ndoshta, asgjë tjetër,
Veçse përftyrim i një ëndrre të lashtë,
Që gjakon, po s’mund ta rrëfejë asnjeri.”
Poezia “Mahnitja e parë”, që mban edhe titullin e kësaj përmbledhjeje poetike, arrin të tejkalojë
“errësinë” e poezive paraprake: “Tundimi i parë” e “Rënia e parë”, duke u qëndruar karshi dy
poezive të përmendura, “Mahnitja e parë” arrin të përcjellë përmes vargjeve të bukurën e plotë të
botëve të largëta, e cila ruhet nga një zjarr i lashtë e i perëndishëm. Një bote e cila në heshtje ruan
të bukurën që kanë parë sytë prej drite, botë që ruajnë mallin e na bëjnë me qa.
“Zani i dytë” nis me poezinë ku paraqitet një poet i lënë në errësi, i cili gjen vetën në misteret e
kohës brenda një libri të pashkruar, të lidhur nyjë, një poet që bredh mes hijenash, duke u lutur të
kthehet në Prishtinë. Poezitë e kësaj nënndarje karakterizohen me një lloj udhëtimi të shkurtër mes
kohës e hapësirës, për të kaluar nga libri i pashkruar për te haberi i madh, lajmi i gëzueshëm që e
presin të gjithë.
Ndërtuar mbi misteret e miteve të shkruara ndër shekuj, krijimtaria e Demë Topallit na shpie në
një udhëtim për të cilin nuk dimë në zgjatë një mijë vjet a është thjeshtë një ëndërr, një udhëtimi
që fshihet në librin e pashkruar, në të fsheshtat e pathëna, në dhembjen e parë tek e cila fshihet
burimi i gëzimit të madh, Haberi i mirë.

“Dola nga nata plot vrer
Në fushëgjaku
Shëmti e re hyri në një poetikë.
Atje lart, një mijë vjet udhëtim
Mora një grusht zjarr
Ta sjellë këtu një Haber të mirë.”
Te “Zani i parë”, apo nënndarja që karakterizon pjesën e fundit të kësaj përmbledhjeje poetike, e
gjejmë një poet të fshehur midis botësh me stoli të rreme, një poet që tretet në natën e pafund e në
errësirën e thellë.
Ndër vargje dallojmë një poet sa të dëshpëruar, po aq edhe të zemëruar me të vërtetat me të cilat
realiteti të thumbon:
“Kjo natë që më treti në një thellësi
Dhe pashë si fjala vdes
Ende pa ra në fletën e bardhë
Është e vërteta e këtij çasti.”
Poeti kërkon t’i rikthehet të kaluarës, të rikthehet në fëmijëri, të kthehet në Lluga, duke dëftuar se
edhe ndonse aty flinte pikëllimi i botës, prap në atë vend gjente një lule që çel në degën e tharë.
Kjo përmbledhje poetike, shkruar nga Demë Topalli, ngërthen në vete përvojat personale të poetit,
ky i fundit arriti të krijoj vargje që sillen në një labirint enigmatik poetik.
Rikujtojmë se Demë Topalli, lindur më 1948, në Llugë të Istogut, vazhdon të merret me botimin e
revistave letrare, të njohura ndër admirues të letërsisë, “Jeta e Re” dhe “Pioneri”. Krijimtaria e tij
karakterizohet me përmbledhjet poetike: “Vera e ikur” (1972); “Druri i fatit” (1978); “Haberi i
mirë” (1991) dhe “Sytë që dinë me pa” (2016).

Vepra poetike “Mahnitja e parë”, përcaktuar si antologji personale e poetit, është botuar tash së
fundi, me një përzgjedhje të autorit nga krijimtaria e tij.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjerohet nga Prof. Dr.
Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë,
Prishtinë.



Edlira Musliu


Të ngjajshme