9 Prill, 2020 - 6:30 pm
Francis Bacon, lindi në Londër. Babai i tij, Nikolas Bekoni, kishte postin e rojës së vulave, një prej detyrave më të larta të mbretërisë nën Elizabetën I. Pas kryerjes së studimeve me rezultate të shkëlqyera në Kembrixh, Frensis Bekoni kaloi dv vjet në Paris si atashe në ambasadën e Anglisë. Me t’u kthyer në Londër, filloi karrierën e juristit. Avokat duke filluar nga viti 1579, ai hyri në Parlament në moshën njëzetetrevjeçare. Karriera e tij politike u zhvillua nën mbretërimin e Xhorxhit I: avokat i Kurorës më 1604, roje i vulave më 1617, Kancelar i Madh më 1618 dhe në të njëjtën kohë u bë baroni Verulam, pastaj vikonti i Shën Albanit më 1621.
Ndërkaq, po atë vit, u dënua për shkelje të detyrës dhe u burgos. I liruar në krye të disa ditëve, humbi të gjitha detyrat dhe titujt. I mërguar në pronën e tij, ua kushtoi vitet e fundit të jetës veprave të tij filozofike dhe kërkimeve në shkencat e natyrës. Frensis Bekoni vdiq më 9 prill 1626 në Highgate, pranë Londrës. Më 1597 u botuan dhjetë nga Sprovat e tij të famshme, që i plotësoi pesëmbëdhjetë vjet më vonë, duke paraqitur një botim të ri të ripunuar, i cili përmbante njëzet e nëntë sprova. Pak para vdekjes, i bëri rregullime të tjera kësaj përmbledhjeje, duke e shtuar edhe më shumë. Botimi i fundit doli më 1625 me titullin Sprova apo këshilla praktike dhe morale. Vepra e tij kryesore.. Restaurimi i madh i sundimit njerëzor mbi natyrën, ishte një enciklopedi e shkencave, që duhej të përbëhej nga gjashtë vëllime.
Bekoni përfundoi vetëm dv prej tyre: Për dinjitetin dke zhvillimin e shkeneave, të botuar në anglisht më 1605, pastaj në latinisht më 1623, dhe Organoni i ri 1620. Romani i tij utopik, Atlantida e re, filluar ndoshta rreth vitit 1621 dhe i përcaktuar për të qenë një aneks i Restaurimit të madh, mbeti i papërfunduar. Krahas veprës Utopia (1516) të Tomas Morit dhe Qyteti i diellit (1623) të Tomaso Kampanelës, Atlantida e re është një nga shkrimet utopike më të njohura të shekujve XVI dhe XVII. Ky roman, fillimisht i ngjizur si projekt për një shtet ideal, materializon bindjen e brendshme të Bekonit: shkenca e natyrës, e nxjerrë si përfundim logjik i eksperimentimit, është kusht i domosdoshëm për lumturinë e njerëzimit.”Njeriu… vepron dhe di në vartësi të asaj që vëzhgon nga rregulli i natyrës, materialisht apo shpirtërisht; ai nuk di dhe nuk dëshiron më shumë.” Të tilla janë fjalët e para tek Aforizma mbi interpretimin e natyrës dhe të sundimit të njeriut të Frensis Bekonit (Francis Bacon).
Kur njeriu do që “të veprojë” dhe t’ia arrijë qëllimit të diçkaje, duhet që në fillim të vërejë natyrën dhe këtë ta bëjë me arsye. Ai nuk mund të ndërmarrë asgjë kundër natyrës dhe arrin në sundimin e saj vetëm kur njeh ligjet e brendshme. Për këtë, ashtu si punon në përsosjen e veglave mekanike, duhet të fabrikojë një vegël intelektuale të zotërimit dhe duke e bashkuar vëzhgimin me arsyen rregullatore, domethënë duke vënë në rregull në mënyrë të mjaftueshme të dhënat empirike, njeriu do të mundet të nxjerrë si përfundim logjik ligje, sidomos po të kryejë eksperimentime të sakta, të afta për të pohuar apo përgënjeshtruar vëzhgimet e veta. Me t’u vendosur një ligj i këtij Iloji, udha e “përfundimit logjik” do të bëjë të mundur shumë zbatime të dobishme. Aforizmat janë një tërësi frazash të mprehta, që vendosen mbi themele të arsyeshme të një shkence të dobishme për njeriun, që çojnë te Novum Organum, pjesë e Instauratio magna (Restaurimi i madh), që Bekoni i ka dhënë fund. Organum- i i vjetër ishte fizika dhe metafizika e Aristotelit, që Novum-i duhet ta zëvendësojë në kuadër të një “përtëritjeje” të plotë të shkencës. Aristotelianët, siç shkruan Bekoni, punojnë si merimanga që thur një rrjetë të mrekullueshme shumëkëndëshe, por duke e nxjerrë nga vetë trupi i saj, pa lindur diçka me të vërtetë të re.
Empiristët e ngurtë nuk sjellin asgjë më tepër: ashtu si milingonat, ata grumbullojnë një pirg të madh materialesh, por nuk dinë t’i vënë në rregull. Shkencëtarët e së ardhmes do të sillen si bletët, që i shpërndajnë ushqimet nëpër qeliza të ndërtuara që më përpara dhe me imtësinë më të madhe. Edhe tani, arsyeton Bekoni, nuk dimë më shumë se shkencëtarët e Antikitetit, me mendimet e të cilëve bashkohet ende shumica e dijetarëve, kur ata nuk shpikën as shtypshkronjën, as barutin, as busullën. Në romanin e tij Nova Atlantis (Atlantida e re), Bekoni sjell mrekullitë e një qytetërimi tekniko-shkencor që do të vijë, një shtet ku qytetarët do të jetonin të lumtur dhe të kënaqur, falë zhvillimeve të nxitura nga industria dhe nga bujqësia e mbështetur te shkenca, së bashku me makinat me avull, makinat fluturuese dhe telefonin. Guximi me të cilin Bekoni fshin gjithë shkencën e mëparshme në epokën e tij, përputhet në fakt me atmosferën e përgjithshme të zgjimit në shkencë, teknikë, arte, letërsi dhe filozofi, që kishte përfshirë mbarë Europën në fund të Rilindjes dhe që gjeti në Anglinë e Elizabetës I – në Anglinë e Shekspirit – një truall veçanërisht të begatë. Kuptimi dhe synimet e mendimit shkencor kishin ndryshuar rrënjësisht që në fund të Mesjetës: nuk bëhej më fjalë për të themeluar dhe pohuar pozicionin e njeriut në kozmosin e krijuar nga Zoti, me qëllim që gjithçka të mbetej në rregull.
Brezi i ri i teoricienëve dhe prakticienëve kishin më shumë për detyrë të arrinin qëllimet që njerëzit i kishin fiksuar nëpërmjet shkencës dhe të përdornin mendimin shkencor si mjet për të arritur një jetë të lumtur. Nikola Makiaveli kishte qenë i pari që shprehu këtë racionalitet të ri praktik, por vetëm në fushën e mendimit politik. Dituria është pushtet, ajo e shton, sa më shumë që është e mundur, lumturinë tokësore. Pragmatizmi i një mendimi të tillë bën që çështjet e vjetra themelore të filozofisë të duken të kota, ashtu si konceptet e përgjithshme të realitetit dhe të jorealitetit: e vërteta dhe realja të çojnë te dobishmëria e shkencës. “The proof of the pudding is in the eating” – kjo e vërtetë proverbiale e pragmatizmit anglosakson flet vetë. Bekoni ishte rrënjësisht skeptik sa i takon asaj që shtirej si e vërtetë, por që nuk ndihmonte në zgjidhjen e çështjeve praktike; ai quante “idole” ato që sot i cilësojmë “gënjeshtra ideologjike”. Megjithatë Bekonit i duhej të hapte sytë mirë, që të mos ngacmonte Kishën dhe shtetin me idetë e tij të guximshme dhe novatore, që synonin lumturinë tokësore të individit: një teprim i risisë te mendimi mund të qe vdekësor. Në Itali, filozofi dhe shkencëtari Xhordano Bruno (1548-1600), u torturua mizorisht dhe u dogj i gjallë nga Inkuizicioni, sepse kishte arritur në një përfundim logjik nga zbulimi i Nikola Kopernikut – Toka nuk është qendra e sistemit diellor – se kishte, sigurisht, një pafundësi sistemesh të tjera diellore pa një pikë të fiksuar qendrore; një Univers i pafund, ku nuk kishte vend për një Zot krijues. Galileu, bashkëkohësi i madh i Bekonit, u arrestua nga Inkuizicioni i Papës sepse mbronte teorinë e Kopernikut dhe u shtrëngua të hiqte dorë nga tezat e tij. Mbrojtësi i madh i Bekonit, Robert Deverë, kont i Eseksit, një kohë favorit i mbretëreshës, u dënua dhe u ekzekutua po ashtu për herezi – këtë herë politike: ai u kishte dhënë shumë përparësi interesave vetjake. Me qëllim që të shpëtonte kokën dhe pozitën e tij në Oborr, Bekoni u shtrëngua të bashkëpunonte vetë në akuzën kundër mikut dhe mbrojtësit të tij.
Po ashtu ai e ruajti veten që të mos ngatërrohej në çështjet e Kishës apo të vinte në dyshim të vërtetën që zbulonte feja; veç të tjerash, ai hodhi poshtë teorinë e Kopernikut. Ai thoshte se adhurimi ishte edhe më i keq se mungesa e besimit. Në Oborrin e Xhorxhit I, Bekoni u ngrit në postin e Kancelarit të Madh dhe u emërua baroni Verulam. Por me gjithë urtësinë e tij politike, nuk mundi t’i pengonte armiqtë ta akuzonin – pa dyshim me ndonjë arsye – si njeri të shitur dhe si shpërdorues i besimit. Pas dënimit, u fal nga mbreti, por u detyrua të tërhiqej në tokat e tij, ku kaloi vitet e fundit të jetës duke vazhduar redaktimin e Sprovë e moralit dhe politikës, vepër tepër e lexuar. Ai vdiq më 1626, viktimë e pasionit të tij për shkencat natyrore: ftohja që pësoi gjatë eksperimenteve për ruajtjen e ushqimeve, qe fatale për të. Veprat kryesore: Novum organum scientiarum, (1620); De dignitate et augmentis scientiarum (1623); Essay, (1597 dhe 1625); Sylva sylvarum (posth. 1627); Advancement of Learning (1605); New Atmantis, (1624).
“Mosha e vjetër duket se është më e mira në katër gjëra: druri i vjetër është më i mirë për tu ndezur, Vena e vjetër është më e mira për t’u pirë, miqtë e vjetër janë më të mirët për të i’u besuar dhe autorët e vjetër më të mirët për tu lexuar.”
“Miqtë janë hajdutët e kohës.”
“E vërteta është shumë e vështirë për tu treguar. Ajo ndonjëherë ka nevojë për pak trillim për tu bërë e pranueshme.”Ndoshta ju pëlqen!
“Është e pamundur të dashurosh dhe të jesh i mençur në të njejtën kohë.” /KultPlus.com