16 Maj, 2019 - 11:18 am
Nga: Aziz Nesin
Përktheu: Fatijona Bajraj
Në kafene u dëgjua një goditje shpulle, shkllap. U ndal gjithçka, tallva, domino, loja e letrave dhe bisedat. Kokat u kthye kah tavolina prej nga u dëgjua zëri i shuplakës. Ai i cili u godit ishte njeri i madh dhe i trashë. Kurse ai që e goditi, të kundërtën e tij, i hollë, i ligsht dhe i vogël. Gishtat e të dobëtit kishin lënë shenjën e pesë gishtave në faqen e majtë të të trashit. Po të donte, polici nëpërmjet shenjës së gishtërinjve lehtë mund ta gjente kush i ka rënë.
Burrat në kafene menduan se burri trashaluq do ta kapë të hollin dhe do ta shkelë si shajak rruge, por nuk u bë ashtu, por vetëm bërtiti: Jam paditës! Nuk doli zë nga askush. Më pas tha: E patë të gjithë. Dhe duke iu kthyer të dobëtit, i cili nuk i vinte as deri të krahët, i tha: Ec, drejt në stacion policor.
Goditësi në vend të përgjigjes bëri një gjest sikur ta trembte mizën. Më pas lëshoi një zë si avull nga goja: Psss!
I trashi doli jashtë.
Burrat e kafenesë iu kthyen përsëri lojërave e muhabeteve. Trashaluqi më pas u kthye me një polic pranë. Ia tregoi policit të dobëtin. Ja, ky është! Më pas i tregoi edhe të ulurit si dëshmitarë, duke thënë: Edhe këta e kanë parë!
Polici i dërgoi në stacionin policor të trashin, goditësin dhe katër persona të tjerë që ishin ulur pranë tavolinës së tyre.
I trashi duke mbajtur ende faqen e majtë, tha: Zotëri komisar, jam paditës ndaj këtij burri. Më goditi. Janë dëshmitarë edhe këta.
Komisari shkroi me makinë shkrimi të dhënat e paditësit, të paditurit dhe dëshmitarëve. Paditësi thoshte se nuk e njeh atë që e goditi. Edhe dëshmitarët ashtu, duke thënë se ne nuk dimë gjë.
Paditësi pyeti: A e keni dëgjuar zhurmën e shuplakës?
Dëshmitarët thanë: Jo, as nuk kemi parë e as dëgjuar gjë.
I padituri tha: Unë nuk e mohoj që e kam goditur këtë burrë.
Komisari e pyeti: Përse e ke bërë? A ka diçka që nuk shkon mes jush? A ju ka fyer?
– Jo, s’ka gjë mes nesh. Nuk e njoh atë.
E si ndodhi?
I dobëti filloi të rrëfejë: Mbrëmë erdha nga puna në shtëpi. Kur pashë na e kishin shkëputur rrymën elektrike. Nuk e kishim paguar. E kaluam tëre natën në errësirë. Natën nuk fjeta fare. Veç kësaj, edhe nëna është e sëmurë tash dy vjet. Vuan nga dhimbja e lukthit. Mjeku i jep një ilaç. Kur e merr atë, i pushon dhimbja. Mirëpo, ku është tani ilaçi se? Kur u bë mëngjes u ngrita nga shtrati, po më ishte mpirë ana e majtë. Xhami i dhomës në të cilën rashë është thyer tre muaj më parë. Nuk po gjejmë xham. As ai vetë nuk po vjen. I vendosem jastëk e çarçaf dritares. Mirëpo nuk pati dobi. Deri në mëngjes hyri brenda të ftohtit. Më ishte mpirë ana e majtë. U ngrita nga shtrati, më falni, shkova në tualet. Uji ishte ndalur. Jashtë binte shi i furishëm. Në çezme nuk kishte ujë. Hyra në dhomë. Po dridheshim. Kishin marrë pak dru. Por, u harxhuan. Tani nuk po gjejmë dru. S’ka. Gazetashitësi e kishte lënë gazetën. Çdo mëngjes pa shkuar në punë lexoj gazetë. Shikova gazetën. Kishte tituj si “Garë bukurie”, “Gallatasaraji u bë kampion i ligës”. Desha ta hedh shpirtin jashtë shtëpisë. Kur po dilja në derë, erdhi nëpunësi ekzekutiv me përmbaruesin. Për shkak që nuk e kemi paguar qiranë, pronari na ka paditur. Nuk gjetën gjëra për t’i marrë në shtëpi. Nuk dua asnjëherë që në shtëpi të me vijnë nëpunësi ekzekutiv dhe përmbaruesi. Nuk gjetën gjë për të marrë. Njeriu turpërohet.
Përmbaruesi tha: Ta marrim këtë kanape.
Me ta çuar dorën në kanape dolën në pah mbi sëndukët e vjetër të sheqerit, pantallona, copëza zhelesh e jorganë të grisur.
Përmbaruesi këtë herë tha: Radion.
Sikur ta marrin këtë dreq radioje dhe të shpëtoj. Dhjetë muaj të vitit është te mjeshtri. Fito, fito, e jepja rregullimit të radios. Zaten radio na ka sjellë në këtë gjendje.
Duke dalë nga dera, gruaja më tha: Vajza nuk po shkon në shkollë.
E pyeta pse?
Mësuesi i ka kërkuar uniformë sportive. Pa të nuk e lejon të hyjë në mësim.
Mirë, mirë…
Nuk ka as vaj ulliri.
E hodha vetën rrugëve. Sido që të jetë, në punë nuk kisha mbetur vonë. Nuk shkoj as sot, thashë.
Shi i rrëmbyeshëm.
Tramvajin aty te ne e kanë hequr. Autobusi vjen çdo gjysmë ore. Nuk ka mundësi të hip. Është i stërmbushur. Minibusët edhe ata të mbushur plot.
Veturat kalojnë një pas një, mirëpo asnjëra nuk ndalon. Uji me hynë në këpucë. Sikur shiu ra me kove. U bëra qullë. Po dridhem. Një djalosh më erdhi afër dhe më tha: Më falni xhaxha!
Mendova se do të më pyeste për orën.
Më tha: A keni dijeni për ndeshjen e djeshme?
Hë, Zoti im… Vazhdova të ec. Aty gjendet një kafene. Hyra në kafene. Uji më rridhte nga çdo anë. E porosita një çaj. Pranë meje ishte i ulur ky burri që i meshova shuplakë. Lexonte gazetë.
Unë duke thënë me vete: More çka do të bëhet kjo gjendja ime? Si do të jetë fundi ynë?
Teksa unë po mendoja kështu, ky burri me mllef e gjuajti gazetën që mbante në duar dhe bërtiti: More vendi po shkon drejt humnerës!
Mendova që edhe ai ishte me brenga si unë, dhe thashë të flasim e t’i rrëfehemi njëri-tjetrit. I thashë: Përse zotëri? Më falni, mos të jetë sikur po përzihem, përse jeni tendosur?
Ai përsëri me mllef: Çka të jetë më shumë! Ej, në këtë vend nuk ka arbitër! Nuk ka arbitër, i poshtër qofsha. Në ndeshjen e djeshme arbitri përsëri ka gjykuar duke mbajtur anën..
Më pas nuk e di se çfarë më ndodhi mua. Për besë as unë nuk e kuptova, zotëri komisar. Në jetën time nuk e kam qëlluar askënd asnjëherë. Sikur në trupin tim më është shtypur një sustë, sikur është ngritur me forcën elektrike, u ngre përnjëherë lart kjo dora ime e djathtë. I mëshova një shpullë në fytyre këtij herifit. Unë nuk po e mohoj. E godita. Mirëpo, jo qëllimisht. Për besë nuk e kisha me qëllim. Ishte diçka jashtë vullnetit tim. Më pas me erdhën mëndtë. U frikësova, madje thashë se ky njëri do të më bëjë copë-copë tani. Mirëpo, u bë një herë. Zoti, duke ma dhënë në krahun e djathtë forcën e mundësit Zalolu Rrystemit, i mëshova shuplakë këtij herifit.
Komisari e shikoi burrin e trashë i cili e kishte hëngër shpullën. I shtrëngoi dhëmbët, bëri sikur u çua në këmbë. Filloi ta kruante dorën e këmbën e djathtë, dhe i tha paditësit: Hajde më! Pajtohuni mos e zgjatni!
I godituri u rebelua dhe tha: Nuk pajtohem!
Komisari i zemëruar, iu drejtua policit që shkruante në makinë: Shkruaj! “Paditësi, duke thënë vendi po shkon drejt humnerës, interesat e mëdha të vendit, personalitetin shpirtëror të qeverisë…”
Iu kthye burrit të trashë edhe një herë: Hajde pajtohuni!
Burri i trashë, duke fërkuar me dorën e majtë faqen në të cilën ende qëndronte shenja e shpullës, tha: Mirë zotëri, pajtohemi.
/Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/