19 Tetor, 2017 - 9:53 am
Shtëpia e njohur botuese “KAVA- PECH”, e specializuar për botime në gjuhën esperanto me seli në Pragë të Çekisë këto ditë botoi veprën e Sali Bashotës me titullin “La Ŝtono de la Amo” (“Guri i dashurisë”).
Libri ka gjithsej 395 faqe, ku përfshihen parathënia, poezia dhe proza poetike e autorit, si dhe bio-bibliografia e tij, shkruan KultPlus.
Projektin e filluar me përkthimin e poezisë së Bashotës nga Tomasz Chmielik (Poloni), e vazhdoi dhe e kreu me sukses përkthyesi i mirënjohur Bardhyl Selimi, i cili vazhdon të bëjë një punë të pakursyer në afirmimin e vlerave letrare të letërsisë shqipe në gjuhën esperanto.
Përkthyesi Selimi në bashkëpunimin me Petr Chrlde (Çeki), i cili njëherësh është udhëheqës i Shtëpisë botuese “Kava Pech”, si dhe me kontributin e dy redaktorëve letrarë, ekspertë të gjuhës esperanto Carlo Minnaja (Itali) dhe Miroslav Malovec (Çeki), arriti të kurorëzojë me sukses përkthimin dhe botimin e veprës së Bashotës. Gjithashtu, kontribut në realizimin e këtij projekti si provlexues kanë dhënë edhe Vilhelmo Lutermano (Kubë), Jose Leite Jr (Brazil) dhe Benoir Philiphe (Gjermani).
Në parathënien e veprës së Bashotës me titullin “La Ŝtono de la Amo”(“Guri i dashurisë”), ndër të tjera, thuhet: “Për të kuptuar poezinë e Sali Bashotës, së pari duhet të dimë diçka për historinë moderne të Kosovës, të kësaj krahine të aneksuar me dhunë nga Serbia në vitin 1913 dhe të shkëputur prej saj në qershor 1999, falë ndërhyrjes së NATO-s dhe kryengritjes së brendshme. E përbërë, në më shumë se 90 %, nga shqiptarë etnikë, kjo krahinë, tani një shtet i pavarur, ka vuajtur jashtëzakonisht nga regjimi mbretëror dhe më pas komunist i ish Jugosllavisë. Veçanërisht tragjike ka qenë periudha 1997-1999, kur ndodhi lufta e fundit në Kosovë. Forcat ushtarake dhe policore serbe zbatuan atje një trysni të skajshme politike dhe ekonomike, duke burgosur, vrarë, përdhunuar seksualisht dhe duke dëbuar gjysmën e popullsisë shqiptare të Kosovës për në vendet fqinj, Shqipëri dhe Maqedoni”.
Në vazhdim, në parathënien e librit jepen edhe këto vlerësime:
”Poeti ka vuajtur bashkë me popullin e vet. Ndër të tjera, në gusht 1998, atij ia dogjën shtëpinë me të gjitha dorëshkrimet në të. Ai tregon përmes metaforave, figurave artistike, se çfarë ka ndodhur në qytetet e fshatrat e atdheut të tij. Për këtë ai evokon edhe ngjarjet historike si dhe mitologjinë, që është fort e lidhur me atë të bashkatdhetarëve të tij. Kështu, përmes vargjeve dhe prozave poetike do të zbuloni shumë trishtim, vaje, errësirë, por edhe dashuri, ëndrra, shpresa, shkëlqim dhe ringjallje”, etj.
Bashota është përkthyer në shumë gjuhë të botës, ndërsa veprat e tij janë botuar nga shtëpi të njohura botuese, si “L’Harmattan”(Paris), “Edition ASPASIA”(Cyrih), “Editura Muzeul Literaturii Romane” dhe “Limes” (Bukuresht), “Ballkani”(Sofie), “Kava Pech”(Pragë), “Fenix”(Shkup), etj.
Deri më tani nga autorët e Kosovës në esperanto janë botuar vepra e Eqrem Bashës “La mondo estas pejzaĝo kun brilaj koloroj” ( “Bota është një peizazh me ngjyra të ndritura”) dhe vepra e Sali Bashotës “La Ŝtono de la Amo”(“ Guri i dashurisë”), ndërsa pritet botimi i dy romaneve të Adem Demaçit (“Gjarprinjtë e Gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë gocat”), pastaj vepra me poezi e Ali Podrimjes dhe libri me poezi i Flora Brovinës (“Mat e çmat”).
Këtyre botimeve në esperanto u shtohen edhe veprat e botuara më parë në Shqipëri, sikurse janë dy romanet e Fatos Kongolit (“Lëkura e Qenit” dhe “I Humburi”), novelat e Ylljet Aliçkës (“Parullat me gurë” dhe “Një ndodhi me ndërkombëtarë”), libri me poezi i Luljeta Lleshanakut, (“E Hëna në shtatë ditë”), etj./ KultPlus.com