15 Tetor, 2020 - 3:10 pm
Ajo që ka mbetur pas nga gazetari dhe poeti i ndjerë, Ragip Sylaj është krijimtaria e tij. “Këngët e ngashërimit” është vepra e tij poetike, e cila do të promovohet më 19 tetor në Suharekë, shkruan KultPlus.
Në përmbledhje lexuesit do të kenë rastin të thellohen në vargun poetik të Sylajt, për të cilën edhe do të takohen artdashësit e tij në në Shtëpinë e Fellbach-ut gjatë promovimit.
Paneli i diskutimit për krijimtarinë letrare të Ragip Sylajt përbëhët nga publicist Halil Matoshi, poetja Naime Beqiraj dhe përkthyesi i librit në gjuhën angleze Kujtim Morina. Përgjatë promovimit do të lexohen dhe diskutohen poezitë e gazetarit të ndjerë, letërsia në Kosovë dhe trendet bashkëkohorë të kësaj fushe kulturore. “Këngët e ngashërimit” është botuar nga Qendra Multimedia. Ky projekt është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut. / KultPlus.com