Veprimtaria e Dedë Gjo Lulit erdhi në Muzeun Historik Kombëtar

28 Shtator, 2018 - 3:05 pm

Me rastin e 103-vjetorit të vdekjes së Dedë Gjo Lulit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Veprimtaria e Dedë Gjo Lulit në kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911”.

Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këtë takim shkencor, ku referuan dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe dr. Paulin Marku, Instituti i Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se, nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta.

“Shtypi i kohës vinte në fokus se, megjithëse kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 zhvillohej në një trevë të ngushtë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare, ku kërkuan autonominë e Shqipërisë. Dedë Gjo Luli është simboli i rezistencës shqiptare, i cili luftoi deri në fund të jetës së tij për bashkimin e trojeve shqiptare” vijoi dr. Koçi. Ndërsa, dr. Paulin Marku tha se, programi i memorandumit të Greçës dhe kryengritja e vitit 1911 jo vetëm uli në tryezën e bisedimeve krerët shqiptar, por edhe hapi rrugën e sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë që u finalizua më 28 nëntor 1912, me shpalljen e pavarësisë. “Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte një prelud i shpalljes së pavarësisë. Dedë Gjo Luli nuk kishte luftuar për lavdi por për Shqipëri. Lavdinë, zërin e mirë ja sjellin veprat e tij me kontribut të madh për atdhe, që i sigurojnë përjetësinë e pavdekësinë. Heronjtë jetojnë përjetësisht, sepse e tillë është vepra e tyre, Nderi i Kombit Dedë Gjo Luli”, u shpreh mes të tjerave dr. Paulin Marku.

Në vitet e fundit të shekullit XIX Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të 1911. Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta. / KultPlus.com

Të ngjajshme