15 Korrik, 2019 - 9:30 pm
“Verginità Rapite” (Virgjëri të vjedhura) quhet romani të cilin Ismete Selmanaj Leba e ka botuar për lexuesit italian. Po të njëjtin në Shqipëri e solli në vitin 2013 me titullin “Gjembi dhe trëndafilat”. Këtë roman zonja Ismete e quan “himn kundër dhunës në të gjitha format e saj”.
Ismete Selmanaj ka lindur në vitin 1966 në Durrës. Një vit pas diplomimit në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në vitin 1992, bashkë me familjen ajo shpërngulet në Itali. Edhe pse inxhiniere e diplomuar, pasionin e saj të hershëm për letërsinë e nuk e la anash. Znj. Ismete shkruante edhe gjatë viteve të studimeve, ndonëse ishte në një degë që s’kishte lidhje me artin e fjalës – por siç thotë edhe ajo vetë “pasioni mbetet pasion”.
Pas ikjes në Itali ajo vazhdoi shkrimet letrare. Pas romanit “Gjembi dhe trëndafilat”, në vitin 2014 botoi librin “Koka e dy lejlekëve të purpurt” të cilin aktualisht është duke e përkthyer në italisht. Ismete Selmanaj Leba tanimë ka 25 vite që jeton në Itali, në krahinën Messiana. Është e martuar dhe ka tre djem.
Ajo me shumë dëshirë pranoi të fliste për lexuesit e shqipress.net mbi romanin e saj “Virgjëri të vjedhura” dhe për të treguar më shumë se ç’mesazh ka dashur të përcjell me të.
Znj. Ismete, së fundmi, më saktësisht më 18 prill ju keni botuar në Itali librin “Virgjëri të vjedhura”, të cilin në shqip na e kishit sjellë në nëntor të 2013-tës. A mund të na thoni shkurtimisht se çfarë mesazhi keni dashur të përcillni nëpërmjet këtij romani?
Libri “Virgjëri të vjedhura”, i publikuar nga Bonfirraro Editore është versioni në italisht i librit “Gjembi dhe trëndafilat” të cilin e kam përkthyer personalisht në gjuhën italiane. Mesazhi kryesor që kam dashur të përcjell tek ky roman, është një himn kundër dhunës në të gjitha format e saj; kundër gruas, kundër lirisë së fjalës, kundër gjenocidit, kundër luftës… Edhe titulli në shumës “Virgjëri të vjedhura”, ka dashur të tregojë pikërisht këtë mesazh; virgjëria e shpirtit – e mohuar për pothuajse 50 vjet, e një populli.
Si është pritur “Verginità Rapite” nga lexuesit italian?
Promovimi i parë u bë në datën 18 prill në Bibliotekën Bashkiake të Capo d’Orlando-s. Organizuesit e këtij promovimi që kishin lexuar librin, pothuajse nuk arrinin të besonin që kaq afër Italisë, në një vend fqinjë me ta, të kishin ndodhur tmerre të tilla. Lexues të tjerë më kanë lënë përshtypjet e tyre në sitin votemybook.com dhe kur i lexoj emocionohem pa masë.
Na treguat se “Verginità Rapite” është futur në listën e librave që studentët e Universitetit të Palermos duhet t’i lexojnë në temën ‘mbi kushtet e gruas në Shqipëri’. Çfarë do të mësojnë studentët italian për gruan shqiptare? Si ua keni paraqitur atyre femrën shqiptare?
Gruaja shqiptare në librin “Verginità Rapite” nuk përshkruhet vetëm si viktimë e burrave, e sistemit të vjetër, e mentalitetit që e ka parë si një “shtojcë” të burrit që duhet të ulë kokën e të bindet…
Gruaja shqiptare është ajo , që me gjithë vështirësitë e sapo përmendura që i kanë kushtëzuar jetën dhe rolin e saj të rëndësishëm në shoqëri, nuk ka reshtur së luftuari. Gruaja shqiptare është me mijëra e mijëra Mira, personazhi kryesor i librit, që u ngrit nga balta ku e futi sistemi dhe mentaliteti maskilist dhe jo vetëm gjeti rrugën e lumturisë personale por u bë mbështetje dhe ndihmë për shumë gra të tjera. Gruaja shqiptare është ajo që me një natyralizëm dhe thjeshtësi të pashoqe shpëtoi jetën e qindra ushtarëve italianë të mbetur në Shqipëri pas kapitullimit te Italisë fashiste. Gruaja shqiptare është Nuria, kosovare, që pasi i vranë të gjithë familjarët para syve dhe e përdhunuan barbarisht, rrit fëmijët jetimë të Kosovës martire.
Këto gra dhe shumë të tjera jam përpjekur t’i paraqes lexuesit shqiptar dhe atij italian.
Sipas jush, pse gruas shqiptare “i është rrëmbyer virgjëria”?
E thash edhe më sipër, titulli në shumës ka një kuptim më të gjerë dhe filozofik. Nuk ka të bëjë vetëm me dhunën fizike që pëson Mira në moshën 15 vjeçare nga sekretari i Partisë së shkollës. Është një “virgjëri” e rrëmbyer e përditshme, përderisa nuk mund të akuzosh abuzuesin, nuk mund t’i thuash të zezës, e zezë, nuk mund të flasësh as në familje në emër të “luftës së klasave”.
Si e shihni ju gruan shqiptare, dje dhe sot?
Mendoj se hapa përpara janë bërë. Por “mburoja e fortë” e mentalitetit maskilist, siç e quan edhe profesor Matteo Mandalà që ka përgatitur parathënien e librit për publikun italian, është e fortë, e hekurt…
Jeni duke punuar mbi ndonjë libër të ri? Nëse po, mund të dimë më saktësisht se mbi çfarë teme do të na flisni në botimin tuaj të radhës?
Tani po merrem me përkthimin në italisht të librit “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që trajton një aspekt tjetër të shoqërisë shqiptare. Atë të pasojave shkatërruese që ka lënë tek dy fëmijë të vegjël gjakmarrja që u zgjua nga gjumi letargjik ku e vuri diktatura komuniste për gjysmë shekulli. Por ky libër trajton edhe “të rejat” e huazuara nga bota perëndimore që për shoqërinë e kulturën shqiptare kanë qenë të panjohura; atë të pedofilisë.
Për sa i përket botimit të ri të radhës, jam në faqet e para. Mund të them vetëm që e kam trajtuar në vetën e parë për të qenë më intime dhe më afër me lexuesin edhe pse s’ka asgjë personale në të.