30 Prill, 2020 - 6:00 pm
Recension nga Albulenë Krasniqi
Libri Peshorja e parkave e studiuesit Osman Gashi, i takon punës së tij të përmbledhur gjatë viteve 2011-2018, ashtu sic jep vetë studiuesi shpjegim në fillim të librit.
Strukturën e librit e përbëjnë tre kapituj apo tri pjesë, të cilat përfshijnë studime, ese, artikuj shkencorë, të gjitha këto me kontributin e dhënë nga vetë studiuesi, por në të njëjtën kohë edhe nga disa personalitete me ndikim në këto lloje shkrimesh. Pjesë të përfshiera në këtë vëllim i takojnë periudhave paraprake me rëndësi letrare dhe kulturore.
Parkave (sqarim nga studiuesi marrë nga T. Dhama, parkat janë hyjnesha romake të fatit ashtu sikur Moirat greke. Ishin tri: Kloto-e cila e fillon perin e jetës; Lahesa-e merr dhe e tjerr më tutje; Atropo e ndërpret. është poezia dedikuese që inkuadrohet në fillim të librit, përkthim nga Arshi Pipa, të autorit Fridrich Holderlin. Pikërisht me titullin Peshorja e parkave studiuesi Gashi emërton veprën e tij me studime për letërsinë dhe kulturën.
Koncepte e terme për periudhën romantike
Pjesa e parë e librit është hyrja për atë që cilësohet kryesore për një kulturë vendi, për atë që e karakterizon një popull a një vend për periudha e shekuj dhe ajo që mbetet e tillë cdoherë-identiteti. Në këtë mënyrë, studiuesi në fillim të këtij libri merret me ontosin e kulturës shqiptare, duke përfshirë edhe atë botërore, sidomos në letërsi. Vënia e tipareve letrare e kulturore me metodën komperative ndërmjet letërsisë shqipe apo kulturës shqipe dhe asaj botërore, e përcjellë studimin në vazhdimësi të librit.
“Gjuha, trashëgimia historike, folklori, etnopsikologjia, qëndrimi e imazhi ndaj tjetrit, fqinjit, të ndryshmit dhe të huajit, domosdo janë reflektuar përgjatë gjiithë historisë edhe në veprat letrare të llojeve të ndryshme”. [1]. Gjuha është primare që identifikon një popull apo kulturën e tij. Letërsia e shkruar në gjuhë të ndryshme të botës ka rezultuar me krijimin e një korpusi kulturoro-letrar për popujt e ndryshëm.
Por, sa mbetet gjuha primare për të treguar një indentitet? Kjo ndryshon kur para gjuhës vihen elemente tjera që përbëjnë identitet. Shembull janë komeditë e Plautit romak, për faktin se komeditë e tij, sipas Gashit, ishin adaptime e rishkrime të veprave të autorëve grek. Cështjet, të cilat kalojnë në nëncështje të tjera, theksojnë stilin e shkrimit të studiuesit, pavarësisht se disa fakte të studimeve letrare mbesin të njëjta, Gashi arrin të prekë edhe pjesë që rrjedhin nga vetëdija e tij studiuese e hulumtuese.
Prejardhja, origjina, jetesa, tradita, gjuha, kultura, toponimet, religjioni, e kanë shtyrë studiuesin që t’i cilësojë shenja identitare të shfaqura në shkrimet letrare nga shkrimtarë shqiptar.
…Pelazgjë jemi lindur, nga Hëna më përpara,/Ahere kur Adhamit as që i dukej fara!/ Jo vetëm njerëzisë të vjetrit burrat tanë,/ Po edhe të perëndivet, pra prindër kanë qenë[2]
Diskursi për të kaluarën, cdoherë ndjek pikëpamje historike, politike, kulturore, biografike, i cili kalon në diskurs shkencor e hulumtues në lidhje kushtimisht, paralelisht, në veprat letrare, nga një e kaluar traumatike, përkatësisht në periudhën e romantizmit evropian, më pas edhe periudha romantike shqipe.
Kujtesa, e kaluara individuale e kolektive, ikja nga realiteti, frymëzimi, optimizmi, pesimizmi, ëndërra, utopia, iluzioni, mllefi, kanë ndërtuar një numër të madh shkrimesh letrare nga shkrimtarë evropian e shqiptarë. Të gjitha këto terme studiuesi i përcakton ndër elementet kryesore në periudhën e romantizmit, të cilës i kanë paraprirë shkrimtarët evropian: Ugo Foskolo, Novalisi, Hëlderlini, Bajroni, Shelli Kitsi, Lamartini; ndër shkrimtarët e poezisë romantike, në motivet e ikjes, e kujtimeve, frymëzimit, shmangia nga racionalizmi. Motive të ngjashme përdorën edhe romantikët jashtë kufijve shqiptarë: De Rada, Skiroi, Serembe, Naim Frashëri; sepse ato gjenin frymëzimin e ngjashëm me cdo shkrimtar të kësaj periudhe.
“Gjithcka që romantiku kërkonte në botë”, shkruante historiani gjerman i letërsisë Fric Martin, “ishte ai produkt i shpirtit të tij, gjakimi për vetveten, dhe udha përbrenda, -ëndrra, kujtesa, parandjenja, vizionet”.[3]
Termat vepra autoetnografike, shkrime epistulare, autobiografi poetike, sipas studiuesit, mund të përdoren si përcaktues të veprave të periudhës romantike, për faktin se disa prej tyre nuk mund të përcaktohen në një zhanër të caktuar, qoftë ep, poemë apo prozë poetike. Përcaktimi i zhanreve sipas formës e përmbajtjes së veprës dhe disa elementeve tjera, përbën problemin e kahmotshëm në studime e teori, sipas kësaj, termi zhanër mund të ketë alternativa tjera, gjithmonë në përputhje me veprën si tërësi.
Këtij studimi i paraprijnë terme, origjinën apo shpjegimin e të cilave, Gashi e gjen duke vë në vijë paralele termin dhe gjetjen e tij nëpër vepra të caktuara.
Në studimin për utopinë, studiuesi e ka përcaktuar si term që lidhet historikisht dhe kuptimisht me zbulimin e Amerikës nga Kolombo, kurse në studime e shkrime nga Tomas Mori. Kështuqë, në këtë pjesë, Gashi merret me domethëninen e termit dhe i referohet historisë apo të kaluarës së popujve që kanë ëndërruar për dicka të paqenë, dicka që nuk ekziston , por që është ëndërruar të jetë ashtu si shumica e shkrimtarëve kanë shfrytëzuar këto motive në letërsi. Utopia që nënkupton vendin ideal të ëndërruar nga individi, perfeksionin, ka gjetur shtrirjen e saj në veprat letrare të periudhës së romantizmit.
Miti, religjioni, historia, janë tri koncepte të cilat gjejnë shtrirjen në vepra letrare, sidomos në periudhën romantike.
Studiuesi, në këtë pjesë i referohet mitologjisë greke, të inkuadruar në letërsinë e shekujve XIX dhe XX, pastaj miteve të transformuara në letërsinë shqipe, me termet miti pellazgjik, miti i Motit të Madh, miti mbi identitetin nacional në romantizëm, të transmetuar në veprat e Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu, Serembes, Naim Frashërit, Sami Frashërit.
Konceptin për Perëndinë-Zotin, Gashi e sheh si një përballje me pohimin dhe mohimin e tij, në vepra letrare. Këtë përballje , ai e sheh tek konstatimet e Hajdegerit “Zotat përfundojnë duke u larguar. Zbrazëtia që rezulton është mbushur nga eksplorimi historik dhe psikologjik i miteve”[4] “Vdekja e perëndisë është temë romantike” Oktavio Paz; kurse pohimin për Perëndinë-Zotin, shkrimtarët e periudhës romantike e shfaqin në vargjet e tyre poetike, për pohime të tilla, ato interpretohen nga studiuesi për shkrimtarët: Shatobrian Gjeniu i krishtërimit, Fridrih Helderlin me tri shkallët përcaktuese të botës fizike dhe shpirtërore: gjithësia, hyjnitë dhe njerëzit, me poezinë Parkave dhe vargjet …Një herë jetova/ Si perënditë dhe s’dua gjë tjetër. Në interpretimin kontekstual të vargjeve të Hëlderlinit, Gashi ndër të tjerash thekson:
Fati i tij, “përmbushja e misionit” që e kishte vënë përpara një autorefleksioni, vendoset së fundi në peshoren e Parkave- perëndeshave të fatit. Poeti këtë e sheh si kumt prehjeje, lutje, dëshirë, një ninullë zëëmbël “në qetësinë e botës së hijeve” [5]
Studimet e përmbledhura për periudhën e romantizmit në përgjithësi dhe disa karakteristika tjera që vëren studiuesi, përfundojnë me shkrimet Atdheu…Jashtë atdheut dhe Romani evropian i fundshekullit dhe zhvillimet në romanin shqiptar.
Në temën e parë, Gashi përvec se konceptualizon me terme të periudhës romanitke, njëkohësisht zgjon për diskutim dy cështje letërsi e diasporës dhe letërsi e ekzilit, ku sipas tij, nuk shihen si terme dalluese në veprat e romantizmit si në Itali dhe vende tjera evropiane. “E formuluar si e këtillë, “Letërsi shqipe e diasporës” kjo cështje nuk arrin të përmbushë dot shtytjen time për të shqyrtuar këto probleme dhe e kam të vështirë të mos kapërcej caqet dhe të mos flas për interferencat midis nocioneve sic janë: Diaspora dhe Ekzili në raport me idenë a mitin mbi Atdheun që i sjellë në një rreth të pandërprerë vicioz të dy nocionet e sipërpërmendura”. Kjo nënkupton shkrimtarët e lindur jashtë atdheut të cilët kanë krijuar me motive të mallit e largësisë, kurse ata të Ekzilit, shkrimtarët e lindur në Shqipëri që më vonë janë larguar nga vendi i tyre duke shkruar nga larg. Gjatë dhënies së argumenteve vërehen shprehje subjektive të studiuesit, në formën e kundërshtive dhe sugjerimeve apo këshillave.
Studimet për zhanret letrare, sidomos të zhanrit të gjerë të prozës përkatësisht romanit, ka shtyrë në krijimin e polimikave dhe konstatimeve të papërfunduara nga teoricienë e studiues të letërsisë. Në studimin për romanin e fundshekullit, karakterizohet shqyrtimi i romanit në tërësi si zhanër, romanit realist, modernist, dhe lidhjes së romanit shqiptar me atë evropian.
Ese dhe artikuj shkencorë
Shkrimet në formën e esesë, studiuesi ka zgjedhur t’i realizojë me shkrimtarë të letërsisë së huaj dhe asaj shqipe.
Tema e universalitetit në këtë vëllim i takon Villiam Shekspir, duke mbetur bashkëkohës në cdo kohë me veprat e tij.
Syzhe të huazuara, statusi legal i gruas, përfaqësojnë në një mënyrë idenë sheksperiane. Ndërsa, universaliteti në veprat e Shekspirit, sipas studiuesit, mbesin të tilla për shkak se ato ndërtojnë temat: ndarjet klasore, racizmi, cështjet e seksualitetit, jotoleranca, roli dhe statusi shoqëror i gruas, krimi, lufta, sëmundjet, vdekja- tema të pashmangëshme edhe në shoqërinë dhe në letërsinë bashkëkohore.
Identitetin me krijimtari letrare, ia kushton Ismail Kadaresë, duke treguar argumente e koncepte të veprave të tij. Gashi, në një mënyrë përcakton si të vetmin identitet të letërsisë shqipe, Kadarenë, në një hapësirë më të gjerë për faktin e përkthimit të veprave të tij në disa gjuhë të huaja, në këtë mënyrë arrihet shpërndarja e unitetit të kulturës shqipe.
Gjykimi për veprën e Kadaresë si për një vepër që rrokë hapësira të pamatshme tematike e ideore e njëkohësisht ekstemporale , do të mund të krahasohej në shumë elemente me ato të Homerit, Dantes, Gëtes, të cilat lidhin fijet e letërsisë e të kulturës së antikitetit me bashkëkohësinë, arketipeve, eoneve e substancave të tejkohshme me lëvizjet sociale, politike e kulturore të kohës së autorëve të tyre.[6]
Referencat e drejtpërdrejta në kohë e hapësirë; prozë e metaforës së madhe të absurdit ekzistencial, prozë të parabolës, alegorisë dhe alegorizmit, prozë e mitizimit, demitizimit dhe rimitizimit; teknikat e gjuhës ezopiane: përbëjnë korpusin letrar të Kadaresë, për të cilat studiuesi krahasimisht me shkrimtarë e vepra të letërsisë botërore, e vecon Kadarenë si të tillë, në veprat Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Pallati i ëndrrave, Shkaba, Prilli i thyer, Eskili ky humbës i madh, Pasardhësit, Dimri i vetmisë së madhe, në krahasim me epet e Homerit, Virgjilit, me Danten, dhe ky krahasim vetvetiu tregon vlerësimin e studiuesit për krijimtarinë e Kadaresë.
Shkrimi për Skënderbeun, e rishfaqë vetëdijen historike e letrare të paraqitur në shkrimet e autorëve shqiptarë e të huaj. Nuk mungojnë letrat e shkrimet e disa autorëve, të cilat studiuesi i ka përmbledhur në esenë e tij dhe të gjitha ato jane shkrime himnizuese e lavdēruese për Kastriotin.
Në lidhje me historinë dhe shkrimet e llojit historiografik, karakterizon shkrimet e autorëve Ndoc Nikaj, me shkrimet për kujtimet, reminshencat e fëmijërisë deri në moshën 80 vjecare, sipas Gashit përbëjnë tipin e shkrimit të përzier faksion e fiksion. Ndërsa në Kujtime të Mehdi Frashërit inkorpurohen shkrime politike, historike e dokumentare, të cilat përbëjnë korpusin e shkrimeve historiografike.
Përkushtimin traduktologjik në esetë e tij, ia kushton Hafiz Ali Korcës, për faktin se ai ishte përkthyes i veprave të letërsisë persiane. Epokë e saj, e artë, Rubairat a Katroret nga Khajami, Gjylistani apo Trëndafilishten e Saadiut, të cilat Gashi i konsideron pasqyrë të kulturës apo trashëgimisë persiane.
Pjesë e emërtimeve letërsi e të mallkuarëve, letërsi e vonuar, letërsi e ndaluar. në letërsinë ruse, është poetja dhe prozatorja Marina Cvetajeva, të paktën kështu e konsideron studiuesi, natyrisht me referencë letërsinë e saj. “Jeta e saj ishte e mbushur përplot tragjedi, zhgënjime, përcmime e dhembje”.
Veprat e saj me temën e vuajtjes, dëshpërimit, ikjes, cilësohen si tregues të jetës së shkrimtarës: Albumi i mbrëmjes, Fanari magjik, Poema e shkallinave, vargjeve të Cekisë…
Kritikë, shkrimtarë e bibliografi të veprave shqipe, janë pjesët në fund të librit, të gjitha të vecuara, sipas asaj që studiuesi ka zgjedhur të inkuadrojë shkrimet e tij në këtë vëllim.
Pasqyra e studimeve të Antonio Guxetës për letërsinë shqipe, është artikulli i pjesës së dytë të librit. “Sipas Mandalas, Guxeta shquhet për “shkrimet dialektologjike e filologjike arbëreshe, si një specialist në fonetikë e fonologji. Ai solli modelin funksionalist të shkollës strukturaliste në sistemin fonologjik të arbërishtes siciliane, ndërsa në kritikën letrare shqipe futi metodologjinë strukturaliste e semiologjike.Sa i përket imazhit për tjetrin në aspektin komperativ, Guxeta ka interpretuar veprën e Bajronit për udhëtimet e tij në Shqipëri, me intencën e ndërtimit karakteristik të tipareve të popullit nga syri i një të huaji.
Studimet e Gashit në pjesën e dytë i takojnë, përvec Guxetës, edhe shkrimtarëve, për të cilët nuk është shkruar shpesh: Elias Kaneti, Xhorxh Bernard Shou, Sazana Caprici dhe Mahmud Hysa.
Eseja kushtuar shkrimit feminist, i dedikohet Sazana Capricit, me veprën Shkrimi femëror. Eseja nuk lidhet me pozitën e femrës në shoqëri, pra me feminitetin në përgjithësi, por me pozitën e shkrimtares femër në raport me shkrimtarët meshkuj. ” Që në faqet e para autorja e ka shprehur intencën e saj për të gjetur për shumë përgjigje për shumë pyetje që lidhen me gruan dhe letërsinë, rrjedhimisht me letërsinë e grave në kohë dhe hapësirë”.
Studim për studimin, e studiuesit Mahmud Hysa për veprën e Ibrahim Kadriu. Polifonia e tekstit letrar, është studimi që merr për interpretim veprën e një shkrimtari prozator, dhe në këtë mënyrë ndërton teorema për disa koncepte si polifonia, intertekstualiteti, citatësia, postmodernja, psikologjiaepersonazheve etj.
Dy artikuj shkencorë, që lidhen me historinë dhe të kaluarën, tash jo në vepra letrare, por në kulturën shqiptare, studiuesi trajton dy cështje për këtë temë: trashëgimia albanologjike dhe kujtesa historike. Shpjegimi i nocioneve merr kahjen e shpjegimit të ndërtimit kulturor e letrar nëpër shekuj. Trashëgimia albanologjike janë dokumentet, faktet, shkrimi, tekstet, koleksionet, ndërsa kujtesa historike sipas studiuesit mund të jetë kujtesë e thjeshtë dhe mund të humbas.
Studimet, esetë, artikujt shkencorë të Gashit përfundojnë me përmbledhjen e veprave të letërsisë shqipe në dy libra: Libri shqip 1555-1912 me autor Ramazan Vozgën dhe i dyti Bibliografi e librit shqip (1913-1944), i autorëve Maksim Gjinaj, Margarita Mele dhe Myrvete Elmazi. Ky artikull përmban të dhënat gjatë përgatitjes së bibliografive apo Librit të librave shqip, emërtim nga Aurel Plassari, dhe rëndësisë për kulturën letrare shqiptare, si për lexuesit ashtu dhe për shkencën teorike të letërsisë.
Konkluzion
I gjithë vëllimi Peshorja e parkave e cila përmban pjesë studimesh të shkruara në formë eseje dhe artikujve shkencorë, përcjellë te lexuesi pikëpamjet teorike e kritike që autori i realizon përmes shkrimeve që ka zgjedhur të jenë pjesë e këtij libri.
Ndarja në tri pjesë e librit, realisht ndan edhe punën e studiuesit që e ka arritur ndër vite. Pjesa e parë fillon me identitetin, qoftë të kulturës apo letërsisë se një populli, pjesa e dytë me shkrimet për autorë kritik-studiues apo shkrimtarë veprash dhe pjesa e fundit me dy kapituj për bibiliografitë e veprave të letërsisë shqipe.
Në tri pjesët e librit, Gashi realizon idenë e tij pêr shqyrtimin e çështjeve deri në pikën ku lë hapësirë për diskutim. Trajtesat e tij shkojnë kah metoda komperative, ndërmjet kulturaave apo letërsive shqiptare dhe asaj botërore.
Nocionet, termat, konceptet, shkojnë pothuajse në mënyrën vetëidentifikuese, por nuk mungojnë edhe ato të identifikuara më parë nga studiues tjerë. Prandaj, stili i tij i shkrimit shkon në trajtimin e çështjeve kryesore duke kaluar në nën çështje tjera, që e preokupojnë studiuesin.
Të gjitha ato që Gashi ka arritur t’i finalizojë dhe të vendosë t’i përmbledhë në Peshorja e parkave janë në interesin e lexuesit apo studiuesit të letërsisë.
Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master në Degën e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com
[1] GASHI.Osman. Peshorja e parkave-Studime mbi letërsinë dhe kulturën. Kosova Pen Center, Prishtinë, 2019, faqe 11
[2] Peshorja e parkave. vep, e cituar, marrë nga poezi e Naim Frashërit, Dëshir’ e vërtetë e shqipëtarëvet, fq 14
[3] Peshorja e parkave, vep. e cituar, fq 31.
[4] Po aty, fq 50.
[5] Po aty, fq 64.
[6] Peshorja e parkave, vep. e cituar, fq 21.