Vetëdija postmoderne në romanin “Të fshehtat e treguara” të Rexhep Qosjes

21 Maj, 2024 - 12:12 pm

Vediha Gjoni

(Rexhep Qosja: “Të fshehtat e treguara”, Toena, Tiranë,2020.)

ARS- COMBINATORIA SI VEÇORIA KRYESORE E ROMANIT “TË FSHEHTAT E TREGUARA”

Postmodernizmi në art, e konkretisht në letërsi, arrin që të bëjë një kthesë të madhe jo vetëm në strukturën, formën, temat, idetë e elementet e shumta që e përbëjnë një vepër letrare, por duke sjellë në mendje problematikën mbi definimin e artit. Kjo çështje dhe dilemë teorike, ekziston që në zanafillë të mendimit teorik mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi. Për postmodernizmin, letërsia nuk është as imitim, as krijim por kombinim. Pra, një vepër letrare postmoderne është një kombinim kodesh e diskursesh. Bëhet fjalë për teknikën e montazhit, të cilën e shohim tek të gjitha veprat letrare postmoderne. Rexhep Qosja, filizi i parë i postmodernizmit në letërsinë shqipe dhe figura qendrore e tij, këtë metodë e ka sjellë si risi fillimisht në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, e për të vazhduar në gjithë krijimtarinë e tij. Romani i tij i fundit “Të fshehtat e treguara” vjen si kulminacion i pjekurisë postmoderne të autorit. Edhe tek ky roman, zhanri tradhton konventat e veta tradicionale. Vetë autori e ka cilësuar “roman omnibus me dokumente reale dhe të imagjinuara”. Është ky nëntitulli i romanit i cili tregon edhe për shkrirjen dhe eliminimin e modaliteteve zhanrore. Edhe gjatë leximit të veprës vërejmë diskurse të ndryshme zhanrore letrare dhe joletrare brenda zhanrit të romanit.

Që në fillim, që në titull të romanit, vërejmë një diskurs poetik. Autori zgjedh këtë titull figurativ me një figurë jo shumë të zakonshme, siç është oksimoroni.Shumë pjesëza të romanit si p.sh. “Kush është kush sot dhe kush ishte kush dje” kanë karakteristikat e prozës poetike, në të cilat teksti prozaik pasurohet me forma e figuracion poetik. Poezia “Fol shkurt, sa më shkurt”, e cila merr edhe formën e një poezie voko-vizuale, si një trekëndësh i përmbysur, flet shumë edhe për gjithë idenë e veprës. Vargu i fundit i kësaj poezie është i përbërë nga një fonemë e vetme, -sh, e cila shëndrrohet në një onomatope për heshtjen e zbrazëtirën. Në po funksion të ironisë, janë edhe poezitë e tjera të zhanrit mikst të cilat i shohim tek ky roman. Një e tillë është ajo e ndërtuar me vetëm dy fjalë të vetme: “Komercializmi, atdhetarizmi” të cilat përsëriten gjatë të gjithë vargjeve, e çka ia shton dozën ironike është fakti që vargu i parë dhe i fundit përkon me fjalën “komercializëm”. Atdhetarizmi tashmë s’është asgjë tjetër veçse komercializëm, prandaj edhe romani nuk ka një hero në qendër  të narrativave, por një antihero tipik siç është Bardh Dynjaja,  i cili përfaqëson gjithë antiherojt  e epokës sonë.

Ky roman ndjek dy linja kryesore: e para është ajo që na tregon për përditshmërinë monotone të Bardhit në punën e tij në arkiv, kurse e dyta tregon për ndodhi brenda familjes së tij. Të dyja këto linja vendosen në funksion të një qëllimi të vetëm e që është pasqyrimi i jetës mediokre dhe ordinere të Bardhit në jetën e tij publike dhe private. Kjo e fundit, pasqyrohet falë inkuadrimit të zhanrit dramatik. Janë gjithsej 35 pjesë të tilla, të cilat na pasqyrojnë Bardhin si kryefamiljar me bashkëshorten e tij Havanë, dhe fëmijët Liku dhe Anila si edhe disa personazhe të rastit. Dialogu i parë nis me momentin kur te Havaja vërehen simptomat e para të sëmundjes dhe vazhdon në mënyrë të tillë kronologjike deri me çastet e fundit të jetës. Pra, mund të themi që janë këto sekuenca dramatike të cilat ndjekin një rend kronologjik përgjatë romanit, sepse tek pjesët tjera vërejmë një fragmentaritet të tërësishëm. Në qendër të tyre vendosen Bardhi dhe Havaja dhe personazhe të tjerë. Janë dialogë të shkurtë, mbi çështje të zakonshme e nganjëherë edhe absurde. Në fakt, këto pjesë dramatike tregojnë edhe për monotoninë e jetës familjare të Bardhit.

Në anën tjetër, për të treguar për rutinën profesionale të Bardhit, Qosja zgjedh të përdorë disa lloj të diskurseve, të gjitha për të treguar se si individi ndrydhet,tëhuajsohet e humb brenda një sistemi të vështirë e absurd, se si moderniteti e degradon deri në skaj secilin. Në këtë mënyrë, në roman falë teknikës së montazhit shohim të inkuadruar dosje policore, marrje në pyetje e jetëshkrime tejet banale të Bardhit për persona mediokër. Gjithashtu, Bardhi si përkthyes në arkiv detyrohet të përkthejë dokumente të ndryshme nga gjuhë të ndryshme dhe nga eprori atij i kërkohet që këtë punë ta kryejë shpejt, gjithnjë për ngut, çka tregon edhe për tragjedinë e kohës sonë në fushën e përkthimeve, të cilat shihen si një makineri prodhimi sasior pa i kushtuar rëndësi cilësisë. E madje atij i duhet të përkthejë edhe gjëra të rëndësisë dytësore dhe tretësore. Kjo gjë na lë ne si lexues para një dileme të madhe, se si mund të ishte fati i një individi përballë një sistemi të tillë, që Qosja figurativisht e quan oktapod. E në fakt duket sikur i tillë është, një oktapod tentakulat e të cilit nuk kursejnë asgjë e askënd. Atëherë si mund t’i shpëtojë individi degradimit të vet personal e profesional?

Për të treguar sa paradoksale është epoka jonë, Qosja zgjedh ta vendosë herë pas here, fjalimet e Dalanit të cilat natyrisht ai nuk i shkruante vetë, por i porosiste me urdhër si çdo gjë tjetër dhe pastaj dilte e i lexonte para turmës sikur të ishin mendime e bindje të artikuluara nga vetë ai.

Një tjetër ironi e autorit, e vërejmë falë diskursit epistolar, me disa letra që në fillim i shfaq si letra anonime për persona të ndryshëm e më vonë duke ju vendosur edhe emra të rremë dërguesish, kur në fakt ato janë letra admirimi e lavdi që këta persona i dërgojnë vetvetes.

INTERTEKSTUALITETI SI VETËDIJE POSTMODERNE

Intertekstualiteti, ka ekzistuar edhe përpara postmodernizmit dhe rruga për të pohuar të kundërtën mund të na çojë në përfundime absurde. Sipas Linda Hutcheon, njëra ndër teoricienet më të rëndësishme të postmodernizmit, intertekstualiteti tek autorët postmodernë, përndryshe nga ata paraardhëse, është produkt i vetëdijes së tyre. “Umberto Eco, derisa po shkruante romanin Emri i trendafilit, pohon: “Kam zbuluar atë që shkrimtarët gjithmonë e kanë ditur (dhe për të cilën gjithmonë na kanë folur): librat gjithmonë flasin për libra të tjerë dhe cdo tregim rrëfen tregimin tashmë të rrëfyer. Tregimet që ritregohen në romanin Emri i trëndafilit i përkasin edhe letërsisë (nga Conan Doyle, Borges, Mann,Eliot etj.), edhe historisë (kronikat mesjetare, dëshmitë religjioze). Ky është diskursi i dyfishuar parodik i intertekstualitetit postmodernist”.(Hutcheon,2013,f. 182)

Pra, për postmodernët të cilët i qëndronin besnikë parullës “çdo tekst është intertekst”, thyhen të gjitha barrierat e origjinalitetit. Për ta, është e pamundur që të shkruhet një vepër origjinale, sepse ajo është produkt i gjithë asaj që autori ka lexuar më parë. Pra,intertekstualiteti me të gjitha format e tij, tek veprat postmoderne del i modeluar në mënyrë të qëllimshme dhe të hapur duke mos ia lënë lexuesit detyrën që të aludojë për ndërlidhjet e ndryshme të tekstit që po lexon me ndonjë tekst tjetër të lexuar më parë. Këtë rrugë e ndjek, edhe Qosja, sepse ai vendos brenda romanit pasazhe, citate e fragmente të ndryshme nga vepra të shumta letrare, të cilat qëndrojnë në harmoni perfekte me romanin e tij. Ai lexuesit të tij, i jep informacionet mbi titullin e veprës, autorin e madje në disa raste edhe përkthyesin.

Përveçse me veprat e autorëve të tjerë, Qosja në këtë roman, krijon ura intertekstuale edhe me personazhe të veprave të veta të mëparshme si p.sh. me  Xhezairin e Gjikës nga romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe fragmentin e ëndrrës që sheh Xhezairi i Gjikës:

“ U zgjova i fikësuar mos do të përsëritet prapë!ëndrra!

Dhe, mos sundimtari do ta shpjegojë jo si ishte po si do  të dëshirojë vetë, për nevojat e veta, ëndrrën time .Siç kishte shpjeguar vetë, siçkishte dashur udbashi ëndrrën e Xhezairit të Gjikës në vitin 1972!

Djersë të ftohta ma bëjnë trupin!

Edhe ëndrra mund të paralajmërojë të keqen.

Mallkimin. “ (Qosja,2020,f.140)

NARRATORI-PERSONAZHET-LEXUESI

Relacioni narratori-personazhet-lexuesi, tek romani “Te fshehtat e treguara”është njëri nga relacionet i cili gjithashtu thyen ato konceptet e zakonshme dhe vjen i rimodeluar në një mënyrë unike, të pazakontë për letërsinë shqipe dhe tërësisht në frymën e avangardës postmoderne.

Kush është narratori i kësaj vepre dhe si e shfaq ai veten? Narrator është vetë autori i cili e shfaq veten si i tillë. Në pjesën e parë “Pse po e shkruaj këtë roman?” i cili mund të themi që ka funksionin e një parateksti, Qosja e shfaq veten autoriale duke treguar për motivimin dhe impulsin që e ka nxitur për të shkruar këtë roman dhe zërin e brendshëm i cili i thoshte:

“Fillo të shkruash! Trego për të fshehtat!. 

Të fshehtat e rëndësishme dhe të parendësishme, pikëlluese e argëtuese, të përhershme e kalimtare, vendore e botërore. Të fshehtat që, si të gjitha të ndodhurat  e të bërat duhet të jenë të treguara. Të fshehtat me të cilat kjo Botë jeton hanedan.” (Qosja,2020)

Pra, motimi i autorit qenka të treguarit. Dhe në fakt gjatë romanit ne do shohim që ironia e parodia qosiane në këtë roman nuk kursen askënd, prej individëve deri te institucionet qeveritare, arsimore, kulturore e akademia.  

Erudicioni i autorit shihet edhe në konceptet e tij mbi narrativën prozaike, duke i shpalosur konceptet e tij se si duhet të jetë pozicioni i narratorit : “Të mos ju flas për veten: unë jam rrëfimtari, e rrëfimtari duhet të jetë më i padukshëm në roman, ai duhet t’ia japë fjalën protagonistit, shpesh edhe protagonistes e personazheve, që t’ua bëjë frymëmarrjen të lehtë lexuesve, t’u sjellë ofshamët dhe , pse jo, edhe atyre asnjanësve që nuk u sjell as gëzim as hidhërim.” (Qosja,2020,f.13). Vetëm ky fragment nga romani na bënë të kuptojmë shumë mbi marrëdhënien autori narrator- personazhet narratorë e lexuesi, ky i fundit si njëra nga hallkat e rëndësishme të një vepre letrare. Lexuesi në teoritë poststrukturaliste e postmoderne, shihet jo vetëm si receptuesi i një vepre, por edhe si krijuesi i saj. Këtë gjë e zbaton edhe vetë Qosja, i cili lexuesin e bënë pjesë të veprës që në fillim të veprës, e njeh atë me castin që e kishte frymëzuar për shkrimin e veprës, i tregon si mendon ta ndërtojë narracionin, madje e lë të zgjedhë edhe titullin duke dhënë diku nga mesi i romanit disa tituj potencialë për romanin në fjalë e në fund “diskuton” me të edhe mbi fatin që do kishte romani mbas botimit. Një model i tillë është tërësisht atipik për letërsinë shqipe.

Në fund të romanit në “Postskriptumin për Bardhin”, autori tregon edhe për marrëdhënien e tij me protagonistin dhe sa shumë kishte ndryshuar edhe ai që nga fillimi i veprës e deri në fund të saj:

“Nuk është sot ai që ka qenë dje!

Nuk është sot ai që ka qenë deri sot!

……

Ke ndryshuar shumë, i thashë një ditë, kur e takova papritur duke shkuar në Arkiv ai e duke shkuar në Askundje unë.” (Qosja, 2020,f.484)

Romani “Të fshehtat e treguara” është një roman poliedrik i cili përbën gjithë erudicionin postmodern të autorit. Është një roman i cili tenton që të përfshijë gjithcka, nga indvidi tek shoqëria e sistemi, nga mikro në makro. Individi është i lidhur gjithmonë ngushtë me shoqërinë në të cilën jeton, dhe njëherë e më tepër vërtetohet që njeriu nuk mund të qëndrojë pasiv ndaj zhvillimeve e shtrembërimeve të epokës në të cilën jeton. Ai jeton, rritet e në fund degradohet së bashku me të.

REFERENCA:

Qosja,R (2020).Të fshehtat e treguara.Toena

Hutcheon,L.(2013).Poetika e postmodernizmit.OM

Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof.dr.Sali Bashota, studimet master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Maj,2024. / KultPlus.com

Të ngjajshme