Vetmia e Veprës

5 Shtator, 2019 - 3:00 pm

Nga Maurice Blanchot

Në vetminë e veprës – veprës artistike, veprës letrare – zbulojmë një vetmi më thelbësore. Ajo përjashton izolimin e vetëkënaqur të individualizmit; ajo s’ka të bëjë fare me kërkimin e veçantisë. Fakti se dikush mban qëndrim të paluhatshëm përgjatë gjithë ditës nuk e shpërbën atë. Ai i cili e shkruan një vepër lihet anash; ai i cili tashmë e ka shkruar, pushohet. Ai i cili pushohet, për më tepër, as që e di këtë. Kjo padije e mbron. Ajo e shpërqendron duke e autorizuar të mos luhatet. Shkrimtari kurrë nuk e di nëse puna ka mbaruar. Kur ka mbaruar me një libër, ai nis nga fillimi apo shkatërron tjetrin. Valéry, duke e nxjerrë në pah këtë veçori të pakufishme të cilën e gëzon vepra, prapëseprapë sheh vetëm aspektin e saj më pak problematik. Se vepra është e pakufishme, sipas tij, nënkupton se artisti, ndonëse i paaftë ta mbarojë atë, megjithatë mund ta bëjë atë një vend të kufizuar pune të një detyre të pakufishme pambarimësia e së cilës zhvillon mjeshtërinë e mendjes, e shpreh këtë mjeshtëri, e shpreh duke e shndërruar atë në një formë të fuqisë.

***

Por Valéry kurrsesi nuk ka qenë hero. Atij i pëlqente të fliste për gjithçka, të shkruante për gjithçka: kështu totaliteti i shkapërderdhur i botës e shpërqendronte nga totaliteti unik dhe i rreptë i veprës, nga e cila ai me dashamirësi e la veten të devijonte. Etj-ja u fsheh prapa llojllojshmërisë së mendimeve dhe të temave.
Megjithatë, vepra – vepra artistike, vepra letrare – as nuk është e mbaruar as e pambaruar: ajo është. Ajo çka thotë është përjashtimisht kjo: se është – dhe kaq. Përtej kësaj, nuk është hiçgjë. Kushdo që përpiqet që ajo të thotë më shumë nuk gjen asgjë, e kupton se nuk shpreh asgjë.

***

Shkrimtari nuk mund të jetojë pranë veprës. Ai vetëm mund ta shkruajë; pasi të jetë shkruar, ai vetëm mund ta dallojë qasjen e saj në Noli me legere të papritur, e cila e largon, e cila e ndan apo e obligon të kthehet te ajo «ndarje» në të cilën ka hyrë në fillim për t›u përshtatur me atë që duhej të shkruante. Dhe kështu, tani ai e gjen veten sikur të ishte në fillim të detyrës së tij dhe përsëri zbulon afërsinë, intimitetin e zjarrtë të së jashtmes të cilën nuk ka arritur ta bëjë vendqëndrim.

***
Përsëri duhet të fillojmë me pyetjet. Kemi thënë se shkrimtari i takon veprës, por ajo që i takon atij, ajo që e përfundon ai vetë, është vetëm një libër: “ai vetë” lidhet me kufizimin “vetëm”. Shkrimtari nuk është kurrë ballë për ballë me veprën, dhe kur vepra ekziston, ai nuk është i vetëdijshëm; apo, më saktë, edhe për këtë padije nuk është i vetëdijshëm, dhe ajo i jepet vetëm si pamundësi e leximit, si përvojë e paqartë që e bën t’i rikthehet punës.

***
Vetmia të cilën vepra ia shkakton shkrimtarit e zbulon veten te kjo: se të shkruarit tani nuk mbaron, nuk ndërpritet kurrë. Shkrimtari më nuk i takon realitetit dominues ku të shprehurit e vetes do të thotë të shprehurit e saktësisë dhe të qëndrueshmërisë së gjërave dhe vlerave sipas kuptimit të kufijve të tyre. Ajo që ai duhet të shkruajë e çon atë i cili duhet ta shkruajë këtë te një pohim mbi të cilin ai nuk ka autoritet, i cili në vetvete është pa substancë, i cili nuk konfirmon asgjë, e megjithatë nuk është pushim, nuk është dinjiteti i heshtjes. /KultPlus.com

(Nga një punim më i gjatë në nr.më të ri të “Jetës së re”)

Të ngjajshme