Vetmia në New-York

14 Gusht, 2020 - 3:30 pm

Tregim nga Nerimane Kamberi

E kishin lënë takimin në Central Park, Natën e Vitit të ri, kur ishin mbledhur te katërtit ne “loft’ -in e Edwardit në Soho, që e kishte blerë para shumë viteve, para se kjo lagje të tërheq interesimin e ca pasanikëve të rinj, ku do të hapeshin dyqane rrobash dhe galeri arti. Edwardi ishte vetë piktor por asnjëherë nuk kishte pranuar të ekspozonte ne ato hapësira ku, sipas tij, bëhej biznes, e jo art.

Atë nate, nuk kishin dalë si qindra turistë në qendrën e qytetit për të parë fishekzjarrët qe tregonin kalimin ne vitin e ri, dy njëzetëshe të njëpasnjëshme, çka do të ishte ndryshe nga vitet tjera? Për Edwardin bota do të vazhdonte të sillej çmendurisht, e bota e tij e brendshme të shkoj drejt fundosjes, e vetmia që e mundonte kaq shumë, të mos gjente kurrë prehje, as këtë vit, as një vit, as kurrë. Norma mundohej me sharmin e saj t’ia ndërronte mendimet, jo që ai nuk ishte i ndjeshme ndaj përpjekjeve të saj, herë filozofike, herë erotike, madje ajo ishte bërë muza e tij, ajo kishte pozuar për një seri pikturash, që kritika e kishte vlerësuar me admirim, me magjepse, por ku ai shihte aty rreth fytyrës së saj, trupit të saj, hijen e vetmisë, vetminë e madhe, si një dimër i acartë. Si ky dimër kur kishin lënë takimin.

Pas asaj nate, ishin nisur secili veç e veç për Evropë, Edwardi në Zvicër, për ekspozitë retrospektive; Norma në Paris për promovimin e romanit te saj të ri. Betty në Vjenë për botimin e një përmbledhje letërkëmbimi që e kishte përkthyer. E Ernesti apo siç e quanin shokët Mr.E, në Itali, për një takim gazetarë lufte. E para se të përfundoni dikush në dysheme, dikush në kanape nga pija e tepruar, kishin marrë vendimin që verës, në gusht më saktësisht, do ta festonin ditëlindjen e Normës, në park, te ura e filmave. Ishin kthyer nga udhëtimet e tyre me kohë para se të mbyllet aeroporti, qyteti, tërë bota. Pranvera qe e çuditshme. Edwardi tha: ” Vetmia më mbyti ” kur foli me Normën të cilën nuk mund ta takonte. Ernesti ishte i lumtur me këtë gjendje, kishte filluar ta përpunonte ditarin e luftës së fundit që kishte përcjell. E Betty priste që ai të mendonte për diçka tjetër. Shikonte nga dritarja, asnjë lëvizje në rrugët e qytetit, kjo pamje e trishtoj dhe ngriti sytë kah qielli, pa ca re të bardha që ngarendin për të zënë kujtimet e saj.

Vera kishte ardhur, u takuan, një ditë me vapë, Ernesti hapi shishen e verës dhe nxori ca cigare puro. Edwardi shqyeji letrën më të cilën kishte mbështjell pikturën. Norma e sodiste e heshtur, në këtë vepër, ajo qëndronte e ulur në krevat, kishte të veshur një këmishe nate të portokalltë, e shikonte kah dritarja, e hapur në qytetin e vetmuar. Me laps, shkruante “Vetmia në New-York.” , e më poshtë, me shkronja të vogla, “Gëzuar ditëlindjen”. / KultPlus.com

Të ngjajshme