20 Korrik, 2020 - 5:00 pm
“Hylli i Dritës” rizbulon pas gjysmë shekulli vëllain shkrimtar të Ernest Koliqit. Shkroi pak prozë që na vjen falë botimit në vitet ’60-70 tek “Shejëzat”. Një individualitet poetik, i lirë që ankthin e shkëputjes me forcë nga diçka e patjetërsueshme si atdheu dhe nga figurat e fëminisë e bën letërsi. Ardian Ndreca merr në analizë kohën e paraluftës në Shkodër e përshkruar nga Viktor Koliqi si një “belle époque”:
“Edhe psè fatet e vështira të jetës më larguen nga ky vend, janë po ato hapa qi, të lidhun me fijen e pakëputëshme të dashunís, prap më drejtojnë këtu, n’andërr”, shkruan Viktor Koliqi në tregimin – nuk është termi i duhur për të përcaktuar gjininë e shkrimit të tij – “Andërr e nji nate mërgimi”.
Është nga ato përkufizime që të bëjnë të vetëdijshëm për artin si diçka që vjen nga jeta dhe kthehet prapë në jetë. Viktor Koliqi shkroi pak, është prozë që shpëtoi falë botimit në vitet 60-70 tek “Shejëzat”, revista që mbajti në mërgim i vëllai shkrimtar, Ernest Koliqi.
Duket një individualitet poetik, i lirë në hovet e kujtesës, që ankthin e shkëputjes me forcë nga diçka e patjetërsueshme si atdheu dhe nga figurat e fëminisë, e bën letërsi.
“Hylli i Dritës” e rizbulon pas gjysmë shekulli këtë shkrimtar të fshehtë, gjithë ndjesi nga e shkuara që ai e ndjell dhe e sjell para syve tanë si portreti një fëmije pas banje në pasqyrën me avull.
“Si ta përçansoj Viktor Koliqin si shkrimtar?, pyet Ardian Ndreca në të parin shënim kritik që shkruhet tek “Hylli i Dritës” për të vetmet shkrime tijat që kanë mbërritur ditën tonë. “Ka lanë aq pak prej vedit saqë më duket vetja si ata shkencatarët që s’kanë landën e mjaftueshme me dhanë nji gjykim për nji themel të zbuluem diku mes rrënojash.”
Kush është
Viktor Koliqi, djali i Shanit dhe i Age Simonit, u lind në Shkodër më 1916. Vëlla i Mikel Koliqit, i pari kardinal shqiptar, Ernestit, Guljelmit, Lecit, i motrave Margerita dhe Terezina.
Në vitin 1912 hyn në Kolegjin Saverjan në Shkodër, dhe studion aty deri më 1934 kur mbyllen shkollat e enteve fetare. Asokohe në Kolegjin e Etërve Jezuitë, studionin, edhe Zef Mala, Qemal e Veli Stafa, Myzafer e Arshi Pipa.
Më 1938 fiton një bursë për të studiuar në Universitetin e Romës ku takon shokët e rinisë Lin Shkreli, Mark Boriçi e Pjerin Shkreli. Më 1947 hyri si nëpunës në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit ku thelloi leximet e klasikëve rusë Dostojevski, Tolstoi, Gogoli etj. Po ashtu njohës i madh i veprës së Fishtës.
Për shkak të kushteve të vështira ku e kishte hedhur fati një jete në mërgim, niset drejt Gjermanisë dhe vendoset në Mynih ku punoi si mësues i gjuhës italiane. Aty vdes më 1988. Prehet në Romë, pranëve varreve të prindërve dhe të vëllait Ernest Koliqi.
Si re në gjurmë të Viktor Koliqit?
Viktor Koliqin e kam njohtë nepërmjet revistës «Shêjzat» që i vëllai, Ernest Koliqi, botonte në Romë tue nisë prej vitit 1957 deri në vitin 1974.
«Shêjzat» ishin vijimi ideal i revistës «Shkëndija» e cila qe botue ma përpara në Shqipni. Ernest Koliqi kishte mbërrijtë me afrue tek «Shêjzat» e tija ma të mirët albanologë të huej, ma të mirët gjuhëtarë, shkrimtarë, eseista e hulumtues shqiptarë në mërgim dhe ishte vazhdimisht në kërkim të talenteve të reja mes mërgimtarëve por edhe mes shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi dhe arbëreshëve të Italisë.
Talenti ma i madh që ai ka zbulue ka qenë padyshim shkrimtari Martin Camaj.
Çfarë arsyesh do rreshtoje po të pyesnim përse emri i Viktor Koliqit shkrimtar nuk përmëndet gjëkund?
Mendoj se emni i Viktor Koliqit ka “humb” për faktin se ai ka qenë aktiv si shkrimtar vetëm për pak kohë, ka botue shumë pak dhe ka jetue si në shmang, mes nji emigracioni që asokohe njihej ma tepër për shpërthimet e veta të dobta politike. Mandej mos të harrojmë se ai ishte nën hijen e randë të famës së Ernestit, të vëllait, rrethanë kjo jo e dobishme për njohjen e tij si individualitet.
Ty si shkodran ku të çojnë përsiatjet e tij për qytetin verior në vitet e para luftës?
Ajo çka më pëlqen tek Viktor Koliqi asht ndjenja bashkimtare që ai ka ndaj gjithë shqiptarëve.
Për shembull po të marrim Shokët e Gymnazit të Shtetit (1964), ai na tregon për nji shëtitje në Tarabosh të pesë shokëve maturanta në gjysmën e viteve ’30. Janë Jorgji, Ragipi, Abdyli, Kola… dhe Viktori.
Ragipi asht prej Korçet, pinjoll i nji prej familjeve ma të njohuna të atij qyteti. Jorgji vjen prej nji familjes së pasun durrsake. Abdyli dhe Kola janë shkodranë, të dy vijnë prej familjesh nevojtare por të ndershme e plot dinjitet.
Pra, janë toskë e gegë, myslimanë e të krishtenë, e vijnë prej shtresash të ndryshme shoqnore, por ecin drejt jetës me nji dinjitet të pashoq, me etje për dije dhe me dashuni për vendin e vet. Aty e shoh un forcën e shqiptarëve, tek bashkëpunimi dhe tek ideja se me kulturë dhe dije mund të bahena njerëz si bota e qytetnume.
Shkodra që ai pikzon në sprovat e tija ka ngjyra orientale dhe reflekse venedikase, asht nji derë mes dy botësh, mes dy mendësive që e pasunojnë. Edhe pse ka jetue relativisht pak kohë në Shkodër, ai e ka njohtë thellë shpirtin e atij vendi.
Mund të themi se tue lexue shkrimtarë si Ernest Koliqi, Lazër Shantoja e të tjerë mbërrijmë me imagjinue kohën e paraluftës në Shkodër si nji belle époque, diçka magjike dhe e largët që asht shue përgjithmonë. Do të thoja ma mirë: asht shue si realitet por jeton edhe sot si tharm.
Me aq sa na lë për të kuptuar “Andërr e nji nate mergimi”, Viktori ashtu si i vëllai, Ernesti, kërkon në nënvetëdijen, në ëndrrat dhe kujtimet. A është kjo zona e përbashkët apo e influencës së njerit tek tjetri, e shkrimtarit të shpallur tek ai i fshehur?
Ju me të drejtë keni vërejt se Viktor Koliqi parapëlqen andrrën për me çlirue fantazinë e tij. Ai jeton në mërgim dhe nuk ka asnji shpresë se mund të kthehet ma në atdhe. Nuk duket se urren askënd, por s’ka shpresë e malli e djeg mbrendë dhe e ban të pafuqishëm.
Mendoj se po të kishte shkrue për të tashmen e tij do të kishte shkrue gjana të zymtë. E vemtja liri i vjen prej andrrës, prej ikjes nga realitetiti. Edhe kur flet për gjana të jetueme në të kaluemen ai duket se flet për andrra.
Andrra të nji jete të kalueme janë prozat poetike me titull: Kujtime për Shantojën (1957), xixillojat e vendit t’im (1964) apo Kur bje shi në Shkodër (1965).
Ajo çka ndihet gjithkund në prozën e tij poetike asht mallëngjimi dhe pesha e largësisë së atdheut; ai e përcepton mërgimin si nji padrejtësi – dhe mendojmë me të drejtë – mbasi ai nuk ishte marrë kurrë me politikë.
Po të mendojmë sesi ka shkue jeta e tij, mund të themi se padyshim ai ka qenë nji talent i pafat, nji talent që kohnat e vështira e rrethanat e kanë djegë me shpejtësi marramendëse si nji meteor.
Çfarë mendon se mund të bëhet pas “zbulimit” të këtyre prozave poetike?
Mendoj se ato janë pjesë e vlefshme e trashigimisë sonë letrare dhe duhet të gjejnë vendin që u takon. Por s’kam pa deri më sot asnji kritik apo letrar që t’u kenë tërheqë vemendjen.
Kajherë kam përshtypjen se shumica e shkrimtarëve të rinj preferon me shkrue sa ma shumë e me lexue sa ma pak e kjo s’më duket gja e mirë.
Rasti i Viktor Koliqit asht deridiku “fatlum”, pse mund të lexohet në pak orë dhe rreth tij mund të krijohet menjiherë nji ide relativisht e qartë. Prozën e tij poetike mund ta përçansoja kështu: e thellë, e ndieshme, pesimiste, nostalgjike, delikate, idealiste… e mbi të gjitha poetike.
A ka trashëgimtarë Viktor Koliqi?
Po, ka nji djalë që quhet Mikel. I jati i kishte vu emnin e të vëllait, kardinalit të parë shqiptar, kur ky gjindej në burgjet komuniste. Viktori, ashtu si i vëllai Ernesti dhe prindt e tyne, asht i vorrosun në Romë.
ANDËRR E NJI NATE MERGIMI
Shpesh herë shoh n’andërr vendin t’im.
Më pezullon kjo andërr, në flatrat e çuditshme të nënvetdijes, më largon nga ky dhé mergimi e më shpjen deri atjè, n’atdhé. Varet në grrêmçen magjike të deshireve të pa shprehuna dhe në gozhdën e ngulun të kujtimeve qi s’mund të harrohen.
E, të gjitha këto, janë të paraftyrueme nga fantazija me ngjyra të trishtueshme e të zbrazta, pse në ketë andërr nuk shoh asnji njerí. Nji botë e pa jetë, plot hije të ndalueme e të heshtuna, mbulon ato lagje ato shtëpija ato oborre.
Eci mbë maje të gishtave nepër udhë të vetmueme, edhe unë hije e vetmueme n’at shkretí. Hapat e mij s’lanë mbas, kurrfarë jehone. E, mendoj: kjo pikë gjeografike e botës më tërhjekë mâ shum se çdo skâj tjeter.
Këtu çela sytë, e, në pergjumëshmenín e zgjimit të parë të parë pásh fytyrat mâ t’aferta e mâ të dashtuna. Me hapat e parë qi bâna, këtu filloj jeta e ime. Edhe psè fatet e vështira të jetës më larguen nga ky vend, janë po ato hapa qi, të lidhun me fijen e pakëputëshme të dashunís, prap më drejtojnë këtu, n’andërr.
Udhtimi i im andrratár më shpjen vetvetiu në rrugët mâ të njohtuna. Muret e qytetit t’im më duken germadhe të lodhuna në pritje të rrëximit të fundit. Nepermes të lëmashkut t’atyne gurvet më rrëshqasin kujtimet.
Muret e vendit t’im kanë edhè ato nji shpírt. Nji shpírt të molisun e të zgavrruem, por qi qendron gjithnji aty, i patundshem në heshtje. Nga dyert e çeluna vrej oborret e vetmueme. Këto oborre kishin dikur, ngrohtësi e freskí pernjiheri.
Këtu pelsitshin në rrythmin e rregulluem nga koha, damarët e zemres shqiptare. Nji pus, nji kug, nji mand, rreshti i shemshirit, tanda e hardhís e drandofilles e luleviles: krejt nji botë e lindun e e kalueme në vështirsina, por e lulzueme në frymen e pastër të deshireve bujare burrnore e miqasore. Sod, aty, gjithëshka më duket e veshkun e e thame.
Kështu tu’u endë mbrrijë te oborri i shtëpís s’ime. Hy mbrendë. Ndalem per nji ças, si fantazem i habitun, si hajn i padishruem i kujtimeve të mija mâ të dashtuna. Më shkojnë syt me’i herë te mandi. Mandi qe miku mâ i ngushtë i lojnave të mija fëmijnore. Gati nuk e njoh. Pa gjeth, pa fryt, më duket si perbindsh i thát qi nalton kah qielli krahët e shpulpuem (sic!) në nji lutje plot frigë. Skeletër i veshun me vetmí e heshtí por qi i ka gjithnji rrâjët në truellin e vet.
Dikur, kur frynte era, stuhija e vjeshtave tu’u pershkue nepër degët e mandit, më tregonte andrra guximtare kalorsash. I ndigjojshe me vemendje e me andje. Atbotë, pa frigë e plot guxim i hidhëshem shpresët e mija në qiellët e turbullta t’atdheut. E, fillojshe luftat e mija të vetmueme: me zhgulë me rrâjë demagogjinë, errësin mendore, zbraztësín shpirtnore.
E shpata e flakët e hoveve të mija rijnore (oh thjeshtësi qi kaperthen shpirtin në rinín mâ të parë!) u versulte e pa mëshrirë mbi ata qi deshten gjithëherë, perdhuni, me dalë në shesh e në shêj pa pasë kurrnji virtyt, kurrnji pregatitje, kurrnji qellim ndershmenije. O poet i im i dashtun , ti perkunde andrrat e mija nder degët e mandit t’im, e gëdhene në mue nji shpirtë e nji zemer qi kanë me ngelë të pandryshueme në kohë.
E dij se kanë me randue mbi mue krajata e pengime të gjithnduerta, pse andrrat janë bimë shterpe qi bulojnë në vullâjt e mystershem të nënvetdijes, por kur të lexoj prap rreshtat e tu, guximi e shpresa s’kanë me më lanë e kanë me lulzue gjithnji, edhe në degët e thame të mandit të sodshëm.
Mandej, bâj edhè pak hapa e mbrrijë ke pusi. Shikoj në thellsin e tij per të pa ujët e kulluet. Asht shterrë. Edhè çekerrku e kova, dikur plot zhurmë, heshtojnë aty të kota, në zbraztësí. Jo larg, permbi rrasë të lugut heshton edhè pirajka.
Ajo rrahje rrythmike e pirajkës qi u shperndante nga oborri në oborr tue kapercye mure e avullija nuk ngelë mâ pezull mbi qytet. Më duket kjo rrahje qi s’ndigjohet mâ, si jehonë e lashtë e njij riti të pa kryem. Heshtimi qi ka zbritë per rreth perkundet në nji shrregull qi nuk shihet, në nji valle qi nuk ndigjohet.
Shmangem andej. I ngjitem shkallave qi më shpijnë në çardak. Sa e zbraztë më duket kjo zemer e hapun e shtëpís! E hapun dikur per të gjithë, të njohtun e të panjohtun. U shuguronte në tê takimi i parë i mikpritjes. Kot mundohem të shoh ndo’ i fytyrë të dashtun. Çardaku âsht mâ i zbraztë, i pafund.
Sikur i zbraztë e i pafund âsht heshtimi qi e mbulon. Papritmas më shkojnë syt atjé në skâj ke nji derë gjymsë-çelun. E njoh. Asht dhoma e miqvet. Hy mbrendë. Nga dritoret e mbylluna deperton nji fije drite qi zbulon n’atë dhomë nji rreze të zbetë e gati të harrueme kujtimesh.
Oh botë e ndalueme në prakun e stinve të mira, ti më thrret me mallin e largtë të fëmijnís, e unë, per me mbrrijtë ke ti (tu’ qenë endè gjáll) jam i shternguem të bâhen hije. Këtu në ketë dhomë më ndydhen e më shtangohen në shpirtë të gjitha mendimet e të gjitha deshiret qi kisha dashtë të shprehi.
Fytyra e gjyshit e pikzueme n’at kuader të varun në mur, flet ajo per mue. Pa çelë gojë, pa lëvizë buzët më thotë: «Trupi i im ndá tash sa kohë nga kjo botë, ka lanë këtu shpirtin e vet. Ky shpirt desht të frymzojë ndjesitë e brezninave t’ardhëshme.
Desht të ruejë në votër, të pashueme flaken e lashtë. Besa, ndera, bujarija e dashunija do t’ishin Vestalet e sodshme qi do t’a mbajshin gjall këtë flakë. Kot. Shpirtit i âsht ngrî në mbrendsí edhè shprehja. Na jemi, këtu, si orenditë e kësaj dhome, kû as raftat s’pelsasin mâ n’ankim të vjeter».
Dal andej. Pershkoj lagjet e vetmueme, tu’ persritë në këthim, udhtimin andrratar qi bâna per të mbrrijtë këtu, e papritmas gjindem jashtë qytetit. Ndalem i lodhun. I lëshoj vendit t’im shikimin e fundit. Qe: aty mbi at koder, plot krenari të lashtë, naltohet kështjelli.
E vetmja lëvizje qi shoh në krejt ket anderr âsht ai procesjon hijesh qi ecin tu’ u projektue mbi gurët vigana. Janë hijet e sorrave të zeza qi fluturojnë diku, atjè nalt, por qi un nuk i shoh.
Kur zgjohem, më çelen syt në mergim.
SHENIM: Ky shkrim është botuar te Shêjzat, 1958 (II), nr. 3-4, fq. 122-123.
Cervantes (shenjim i revistës Shêjzat). /KultPlus.com