Visar Zhiti shpallet “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

6 Nëntor, 2020 - 2:45 pm

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë i ka ngjarë një familje të madhe duke vlerësuar krijimtarinë e atyre autorëve shqiptarë që kanë kaluar me veprat e tyre kufijtë gjeografikë. Me këtë ndjesi kanë ndjekur edhe krijimtarinë e shkrimtarit Visar Zhiti.

Kryesia e Shoqatës e ka shpallur “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti.

“Ne jemi duke jetuar në këtë pandemi që paralizoi gjithë botën, por si krijues vazhdojmë të krijojmë në mënyrë vetjake. Dëshira për të zhvilluar një ceremoni për këtë nder dhe për atë që ai ka bërë dhe bën për fjalën e bukur dhe të lirë shqipe në mbarë botën për dorëzimin e dekorimit “Anëtar Nderi, është mjaft e madhe. Është obligim i madh, por që nuk mund të realizohet për arsye të pandemisë”, thuhet nga organizatorët.

Megjithatë, Visar Zhiti, ky vigan i madh i letrave shqipe, në vend të një takimi të përbashkët do të ndajë dashurinë me secilin anëtar të Shoqatës me krijimtarinë e tij të pasur letrare.

“Në pamje të parë quhet nderi i madh për atë që e merr këtë dekoratë mirënjohjeje, por në rastin e këtij shkrimtari tepër të dinjitetshëm, është më se e qartë se është nderi ynë që e kemi mes nesh, që na bën të frymojmë me fjalën e tij të ngrohtë, të bukur, të vërtetë. Si të kishim një diell që mezi e presim që të gdhijë në një agim tjetër. Ai është nga ata poetë që kapërcejnë jo vetëm kufij vendesh, po edhe kufij kontinentesh”, potencojnë anëtarët e organizatës.

Amerika, ku e shtrin aktivitetin e saj krijues edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është Shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. Ai quhet në kuptimin e plot të fjalës “Poeti i lirisë”, me një shpirt të butë e të gjerë.

Për shkrimtarët shqiptaro-amerikanë ai është një zë i fuqishëm, një model i përkryer i artit që ka vetëm të ardhme që shpesh ngrihet mbi sakrificat e së kaluarës./ Epoka e Re/ KultPlus.com

Të ngjajshme