14 Tetor, 2017 - 12:19 pm
Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ndoshta nuk e dinte në atë kohë se këto vargje do të këndoheshin pikërisht kur ai të mos ishte më midis nesh.
Në 86-vjetorin e lindjes familjarë të tij, miq, shkrimtarë dhe artistë kanë zgjedhur ta kujtojnë atë duke u bërë bashkë e duke ndarë kujtime. E bija Elona ka zgjedhur të rrëfejë momentet e tij të fundit kur do të largohej nga kjo jetë.
Elona Agolli: Hyn vdekja nga dritarja e vogël dhe thotë Erdha.
Po pse erdhe kaq shpejt i them.
Shko merr dikë tjetër se ka mjaft të tjerë.
Hy më pas te dritaret e mëdha e i them përsëri, është shpejt mos hajde te mua.
Më pas hyn te ajo e vogla dhe thotë përsëri Erdha.
Po hajde të këndojmë i them, po mos harro, merr disa që dinë të mbajnë iso.
Dhe e nëmura doli për të gjetur ato që mbajnë iso, e nuk i gjeti dot. Kështu iku dhe nga ajo dritare.
Ja, kështu Lona ime, unë përlotesha ndërsa ai nisi të recitonte:
Jam i gjallë e jam në jetë, jam në dritë të vërtetë.
Ja kështu thoshte Naimi i madh, ai është dhe tani gjallë e i vërtetë, më i gjallë se të gjallët.
Në këtë ditëlindje pa shkrimtarin e madh, e bija ka zgjedhur të botojë dy libra të rinj prej dorëshkrimeve të tij. Librat e rinj të botuara në ditën e lindjes të Agollit janë: E bukura lozonjarja, tokësorja grua, e një libër me aforizma.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në fshatin Menkulas të Devollit në Korcë. Shkrimtari ndërroi jetë në 3 shkurtin e këtij viti nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. / KultPlus.com