10 Janar, 2019 - 1:00 pm
William
Carlos Williams, njëri prej poetëve më të mirë të Amerikës, është përkthyer në
gjuhën shqipe dhe është botuar para pak ditësh në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Libri i përkthyer në gjuhën shqipe i autorit William Carlos Williams, “Peizazh me rënien e Ikarit”, është i pari libër në shqip nga ky autor dhe është përkthyer nga anglishtja nga përkthyesi Alfred Beka, ndërsa është botuar nga shtëpia botuese “Jakup Ceraja” në Prishtinë. Në të janë përmbledhur mbi shtatëdhjetë poezi të zgjedhura të këtij autori, të cilat mund të konsiderohen si poezitë më të mira, jo vetëm të tij, por bëjnë pjesë në antologjitë e poezisë amerikane.
Poezia dhe, në përgjithësi, krijimtaria e William Carlos Williamsit është vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga shkrimtarë, kritikë dhe studiues të letërsisë, ndërsa autori i tyre konsiderohet si një prej poetëve më të mirë amerikanë të shekullit të kaluar. Më poshtë po japim tri vlerësime të ndryshme për Williamsin. “Madhështia e një poeti nuk qëndron në peshën por në intensitetin dhe perfeksionin e veprës së tij. Gjithashtu në gjallërinë e tij. Williamsi është autor i vargjeve më të gjalla në poezinë moderne amerikane,” ka shkruar për të poeti meksikan dhe fituesi i çmimit Nobel për letërsi Octavio Paz. Ndërsa gazeta “Chicago Tribune” shkruan: “Është më se e dukshme se Williamsi ishte poeti më i madh amerikan i këtij shekulli.” Një vlerësim të lartë e jep edhe prestigjiozja “The New York Times Book Review”, duke shkruar: “Mund të thuhet se Williamsi e ka kthyer poezinë amerikane në qartësinë wordsworthiane të qëllimit.”
Të dhëna për autorin
Më 17 shtator 1883, William Carlos Williams u lind në Rutherford, New Jersey. Ai filloi të shkruajë poezi derisa ishte student në “Horace Mann High School”, gjatë së cilës kohë mori vendimin të bëhet shkrimtar dhe mjek. Ai diplomoi në Universitetin e Pensilvanisë, ku u takua dhe u miqësua me Ezra Poundin.
Pound pati ndikim të madh në shkrimet e tij dhe në vitin 1913 organizoi botimin në Londër të përmbledhjes së dytë të Williamsit, “The Tempers”. Pasi u kthye në Rutherford, ku e praktikoi mjekësinë gjatë tërë jetës, Williamsi filloi të botojë në revista të vogla dhe e filloi një karrierë të bujshme si poet, romancier, eseist dhe dramaturg.
William Carlos Williams gjithmonë është njohur si një eksperimentues, novator dhe figurë revolucionare në poezinë amerikane. Ndryshe prej artistëve të kohës së tij, të cilët kërkuan një ambient të ri për të krijuar si emigrantë në Evropë, Williams jetoi një jetë jashtëzakonisht konvencionale.
Duke ecur pas hapave të Poundit, Williams u bë një prej poetëve kryesorë të lëvizjes imazhiste, megjithëse me kalimin e kohës, ai filloi të ketë mospajtime në rritje me vlerat e vëna në veprat e Poundit dhe veçanërisht Eliotit, të cilët, sipas tij, ishin shumë të lidhur me kulturën dhe traditën evropiane. Duke vazhduar të eksperimentojë me teknikat e vargut dhe përvijimit, Williams kërkoi të shpikë një poetikë të re dhe tërësisht amerikane, subjekti i së cilës ishte i përqendruar në rrethanat e përditshme të jetës dhe jetët e njerëzve të zakonshëm.
Ndikimi i tij si poet u përhap ngadalë gjatë viteve 1920 dhe 1930, i lënë në hije, siç ndjente ai, nga popullariteti i pafund i “Tokës së shkretë” të Eliotit; megjithëse vepra e tij tërhoqi vëmendje në rritje gjatë viteve 1950 dhe 1960, pasi që poetët e rinj, përfshirë Allen Ginsbergun dhe poetët tjerë të gjeneratës Beat, u impresionuan nga qasja e gjuhës së tij dhe sinqeriteti i tij si mentor. Në mesin e veprave kryesore të tij hyjnë “Kora in Hell” (1920); “Spring and All” (1923); “Pictures from Brueghel and Other Poems” (1962), e cila u shpërblye me Çmimin Pulitzer; epika prej pesë vëllimesh “Paterson” (1963, 1992); dhe “Imaginations” (1970).
Shëndeti i Williamsit filloi të dobësohej pas një sulmi në zemër në vitin 1948 dhe një serie të sulmeve, por ai vazhdoi të shkruajë deri kur vdiq në New Jersey më 4 mars, 1963./ KultPlus.com