15 Nëntor, 2018 - 9:53 pm
Shkrimtarja greke Noelle Barkshire promovoi sot librin e saj “Nga lisi plak dhe shkëmbi”, si një ndërthurje ngjarjesh dhe ndjenjash që marrin frymëzim nga Greqia e lashtë dhe shkrihen në mjedisin e një familje gjatë shek. XX.
Botimet “Toena” dhe Instituti i Promocionit, organizuan sot në stendën e tyre në Panairin e Librit, promovimin e librit të autores Noelle Barkshire, ku të pranishëm ishin ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani, përkthyesi i librit Kristo Pulla, botuesja Irena Toçi, shkrimtari Besnik Mustafaj dhe vetë shkrimtarja, shkruan atsh.
Shkrimtarja Noelle Barkshire tha për librin e saj se, “është nder dhe gëzim për mua që ndodhen sot këtu për të promovuar librin tim. Jam pjesë e epokës së sotme, pasi jam dhe unë personazh me shumë origjina për shkak të emrit, i cili është anglez, por unë kam lindur dhe jetuar në Greqi. Termi i atdheut ka marrë shumë kohë në studimet e mia. Ky libër përmbledh disa prej mendimeve të mija, duke u dhënë ‘ushqim’ për lexuesit e librit. Atdheu nuk është e vetmja temë ku zhvillohen ngjarjet”.
“Boshti i tij qendror ka të bëj me një familje të shek. XX dhe hapësira ku zhvillohen ngjarjet e romanit janë të gjera, është Azia e Vogël, ku aty është prezent elementi grek, gjithashtu në libër është Qiproja dhe Greqia dhe vazhdon deri në Indi dhe me Gjermaninë e Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Barkshire.
“E vërteta historike si ngjarje i ngjan kanavacës së qëndisjes, përbën sfondin e rrëfimit përmes jetës së anëtarëve të familjes që trajton libri, ku lëvizim nën ritmet e ngjarjeve të shekullit XX. Përmes ndjenjave të personazhit kryesor, lexuesi ka rastin të kuptojë se si ngjarjet historike ndikuan nivelin personal të këtyre personazheve”, përfundoi shkrimtarja Noelle Barkshire.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani e pranishme gjatë promovimit të librit u shpreh se, “ky është një nga librat e mi më të dashur, të cilin e kam lexuar dy herë. Ky është një libër që tregon në mënyrë domethënëse historinë e popullit grek. Kultura është mjeti më i mirë i komunikimit midis popujve dhe shpresoj që literatura greke të sillet në gjuhën shqipe, që dhe emigrantët te ne të kenë mundësi të lexojnë. Duhet t’ju them të gjithëve që duhet ta shijoni këtë libër, duke e lexuar të paktën aq sa e kam shijuar dhe unë”.
Besnik Mustafaj u shpreh për librin duke bërë një përshkrim se, “ky është një roman universal. Titulli ‘Lisi plak dhe shkëmbi’ është një varg i marrë nga ‘Odisea’ e Homerit. Ky është një rast që mua romani më ka pëlqyer për disa arsye. Ky roman duhet të lexohet për çfarë ai tregon, pasi shkrimtarja në këtë libër tregon diçka nga fati i grekëve të Turqisë, se si shtrihet dhe ndërthuret ky fat, jo vetëm në Izmir dhe krahinat përreth, por edhe në Qipro e Athinë, si dhe më gjerë”.
“Shkrimtarja ka një koncept për dramën që është shumë interesant, personazhet e romanit e jetojnë dramën përmes një dashurie të pashtershme për jetën. Personazhet në roman nuk i mund drama. Një pikë tjetër interesante është si e trajton shkrimtarja historinë politike, pasi personazhet nuk e kanë zgjedhur vetë këtë histori, ata e pësojnë këtë histori politike. Personazhet e librit nuk e jetojnë historinë si viktima, por nuk e jetojnë as si heronj, pasi ata nuk duan të marrin përsipër të ndryshojnë rrjedhën e historisë”, shprehet Mustafaj.
“Gjithashtu do doja të vija në dukje vlerën e gjuhës së përdorur në këtë libër. Në libër shkrimtarja përdor një gjuhë romaneske dhe ka një aktivizim të mrekullueshëm të gjuhës së vjetër, të cilën digjitalizimi e ka nxjerrë jashtë, por që në fakt gjuha e vjetër është gjuha e vërtetë e shpirtit. Gjuha e këtij romani është një vlerë e veçantë”, tha Mustafaj.
“Së fundmi, dua të them që ky roman ka një frymë homerike, titulli është i drejtpërdrejt nga “Odisea”, personazhi më i rëndësishëm quhet Penelope. Gjatë gjithë romanit ndërhyjnë vargjet e “Odisesë” të vendosura krejt si pjesë e subjektit të shekullit XX, për të shprehur ndjenjat dhe veprimet e personazheve. Shpirti grek i personazheve të Homerit dhe i personazheve të shekullit XX, shkrimtarja i shkrin në pjesën e përjetshme që nuk ndryshon”, përfundoi shkrimtari Mustafaj. /KultPlus.com