21 Maj, 2021 - 2:25 pm
Nga Diana Llugiqi
Tahir Zvalani ditarin e tij nisi ta shkruante nga 12 shkurti i vitit 1942, ku fletoren e parë e përfundoi më 26 maj 1943. Për arsye, disa gjëra sipas autorit janë të shënuara në bazë të kujtesës, disa pjesë para datës 12 shkurtit të vitit 1942 nuk janë të përfshira në ditar.
Më pas, vazhdon më datën 3 shtator të vitit 1943 fletoren e dytë të ditarit të tij personal. Ajo që vlen të përmendet është se lexuesi përmes këtij dokumenti të vlefshëm për popullin shqiptar dhe historinë e tij gjatë kohës së Mbretit Zog I, do të mësojë dhe do të njihet më mirë me figurën e këtij autori, publicisti dhe patrioti të madh, si dhe për sakrificën e tij që të dëgjohet në botë edhe zëri i vërtetë i shqiptarëve.
Sa i përket këtij dokumenti me vlerë “Ditari”, është një vepër jofiksionale që përmban që nga fillimi e deri në fund të tij argumente dhe fakte nga ana e Tajar Zavalanit. Këto fakte i hasim fillimisht në ditarin e tij personal, ku autori shënon shpeshherë në mënyrë të shkurtër ndodhi të rëndësishme nga puna e tij e pandalshme për të kontribuar në të mirën e atdheut të tij.
Po ashtu, sa i përket mënyrës së ndërtimit, ky dokument përbën një biografi, të cilën e shënon bashkëshortja e Tajar Zvalanit ( Selma Zvalani, me pseudonimin Kiki, të cilën ia kishte lënë vetë Tajar, e cila ishte dhe mbesa e Mit’hat Frashërit) pas vdekjes së tij. Për më tepër, hasim dhe një autobiografi të marrë nga vet Tajar sa ishte gjallë. Me të lexuar biografinë e dhënë nga bashkëshortja e tij që njëherësh ishte dhe bashkëmendimtare e tij, vërejmë se Kiki i’u shmanget shumë fakteve mbi përkatësinë ideologjike në moshën e re të Tajarit, pastaj arsyen e largimit nga BRSS, kohën e sëmundjes, etj. Natyrisht, vërejmë se gjatë autobiografisë së dhënë, Tajari zgjerohet më shumë rreth jetës së tij, veprimtarisë, synimeve dhe qëllimeve, duke folur me shumë sinqeritet dhe për sëmundjen e tij nga TBC-ja, sëmundje kjo që e mundonte shumë, kur vdes nga ataku në orët e hershme të mëngjesit, më 19 gusht 1966.
Ky dokument përmban dhe pjesën e dytë, ku autori fillon të shfryej me inat kundër zgjedhes fashiste të asaj kohe, udhëheqësve të dobët, intrigantëve, ziliqarëve dhe të gjithë atyre që punonin në dëm të Shqipërisë.
Dëshira e madhe për të parë Shqipërinë e lirë dhe popullin shqiptar që gëzonin të drejtat e tyre dhe të kishin të drejtë të shprehnin lirshëm mendimet e tyre pa pasur frikë se kjo gjë do t’i dërgonte në një burg pa shkak ose do t’i vriste në rrethana misterioze, siç kishte ndodhur me shumë shqiptarë të shquar të asaj kohe. Kjo dëshirë i lindi që në moshën dhjetë vjeçare. Duke pare se si në vjeshtë pjesa më e madhe e prodhimeve shkonte për të pasurit dhe jo të atyre që kishin derdhur djersën duke punuar, Tajarit iu duk e padrejtë kjo gjë, pranaj mori guximin t’i thoshte të atit se nuk ishte e drejtë ajo siç vepronte ai. Që nga ajo ditë ai vazhdimisht mendonte se si t’i ndihmonte njeriut të thjeshtë që vuante, në këtë rast shtresës së varfër. Tajari mendonte se edhe këta njerëz duhet gëzuar të drejtat njerëzore.Pikërisht, ishte kjo gjë që e shtyri atë të ndërmirrte këtë hap të rrezikshëm, duke bërë që të sakrifikojë dhe veten për idealet që kishte për të mirën e atdheut.
Do të ishte BBC-ja, që fshehurazi do të hynte nëpërmjet zërit të tij në shumë shtëpi shqiptare, në periudhën e gjatë të territ stalinist që mbuloi Shqipërinë, që do t’u dërgonte nga larg shqipëtarëve të terrorizuar dhe të demoralizuar frymën e lirisë e të demokracisë. Po ashtu, kontributin e dhënë në të mirën e atdheut Tajari e jep gjatë qëndrimit të tij në Londër, ku mban një varg konferencash nëpër institute të ndryshme për Shqipërinë. Tri vite ishte Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të shkrimtarëve në mërgim , që vinin nga shtetet e ndryshme. Pastaj, mbajtja e kontakteve me dashamirë të kombit shqiptar dhe takimet e shpeshta, të cilat i bënte me ta, janë provë e një kontributi të madh nga ana e tij.
Në ditarin e tij, autori nuk nguron të ndalet dhe të shpreh dashurinë e madhe që kishte bashkëshortes së tij, ku thotë se pa të nuk mund ta sheh jetën dhe e krahason me figura hyjnore, duke thënë se ajo është një engjull për të. Ndonëse ishin të martuar dhe kishin një dashuri të pastërt dhe të sinqertë mes tyre, ata nuk kishin fëmijë. Po ashtu, autori shpesh herë konfliktet që i kishte me Kikin tregon se ndodhnin të gjitha për fajin e udhëheqjes së Zogut, sepse sipas tij ai ishte shkaktari i të gjitha konflikteve që ndodhnin.
Po ashtu, gjatë shënimit të kujtimeve të tij, autori nuk nguron të tregojë dhe se si e kishte kaluar ditën, duke u ndalur dhe në detajet më të vogla të jetës, për të vazhduar me takimet e ndryshme me miq dhe intelektualë të njohur.
Nga fillimi deri në fund të kujtimeve të tij të shpalosura, shohim se kemi të bëjmë me një personalitet me ide të qarta atdhetare dhe intelektuale. Këtë gjë e shfaqte vazhdimisht hapur dhe pa nguruar apo pasur frikë ndonjëherë. Kjo gjë dhe një herë na dëshmon se ky autor ishte një atdhetar i madh që ishte në gjendje të sakrifikonte dhe jetën e tij, vetëm e vetëm që bota të dëgjonte se sa vuante populli shqiptar jo vetëm nga pushtuesit që mundoheshin ta copëtonin Shqipërinë dhe t’i nxisnin shqiptarët mes tyre, sepse vetëm kështu më lehtë mund të arrinin në qëllimet e tyre përmes një udhëheqje të tillë.
Pjesën e dytë, autori e nis me titullin “Përsëri në mërgim”, ku tregon gjendjen e tij shpirtërore, pas largimit nga atdheu i robëruar dhe, po ashtu, tregon se kjo nuk ndodhi me dëshirën e tij. Që në fillim të kësaj pjese, shohim zemërimin e autorit, karshi fashistëve dhe pushtimit nga zgjedha italiane e 7 Prillit.
Ndër të tjera, thotë:
“ E para dhe më e tmerrshmja, vuajtjet që pësuam ishte vuajtja morale. Kishim kënduar nëpër libra se humbja e lirisë kombëtare ishte fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë njeriut. Kishim dëgjuar kur kishim qenë fëmijë pësimet e të parëve tan nën zgjedhën shekullore dhe vetë kishim vuajtur nga mungesa e lirisë së mendimit. Por të gjitha këto ishin asgjë përpara rrebeshit që na pllakosi pas 7 Prillit…”
Pikërisht ngjarja e 7 Prillit, e shtyn edhe më shumë Zavalanin të bëjë apel për një bashkim kombëtar. Sipas tij, populli shqiptar duhet të kishte një program konstruktiv, pas lirimit të Shipërisë, duke theksuar se primare në programin për qëllimin e përbashkët, duhet pasur disa parime dhe kushte që i japin kuptim luftës për çlirimin e Shqipërisë, ku shton:
“Duhet të shpallim me plot gojën se duam demokraci të vërtetë, ku sovraniteti i popullit të jetë një realitet e jo vetëm një kallëp a gënjeshtër sa për të rrejtur botën…”
Në këtë rast, Zavalani bën thirrje që populli shqiptar të harrojë grindjet dhe problemet e tyre në të shkuarën dhe të bëhen të gjithë së bashku, duke marrë shembuj nga koha e Skënderbeut, që u shpall në Kuvendin e Leshit.
Personalitetin e Tajar Zavalanit, mund ta njohim më së miri, me rastin e dhënies së nderimeve të fundit, kur bashkëpunëtori i tij, Dervish Duma, mban një fjalim prekës dhe flet rreth tij, ku thotë:
“Çdo shqiptar, pa dallim, besimi ose partie, e nderonte për atdhedashurinë dhe patriotizmin e tij të flakët. Kur e thërriste detyra e atdheut, ashtu siç bënë të parët e fisit të tij, Tajar Zavalani kurrë nuk mungoi të gjendet në rradhën e të parëve dhe të vepronte pa frikë… Shokët e tij në BBC-i, ku ai vazhdoi pa lodhje për njëzet vjet, janë dëshmues të shpirtit dhe vullnetit të tij, kur ishte puna për Shqipërinë”.
Përmes ditarit të tij, Tajar Zavalani, na ofroi shumë njohuri për kohën dhe udhëheqjen e mbretit Zog, pastaj për historinë e popullit shqiptar, për zërin e shqiptarëve kudo në botë, për padrejtësitë që iu bëheshin gazetarëve, etj. Dhe është për të ardhur keq, sesi një figurë kaq e shquar e kaq kontributdhënëse, aq rrallë përmendet bashkë me veprimtarinë e tij atdhetare, intelektuale, publicistike.
“Ditari” i Tajar Zavalanit përmbyllet me disa letra, të cilat i kishte dërguar mikut të tij Noqkës, Mbretit Zog, Fan Nolit dhe “Vatrës”, për të përfunduar me një album me fotografi të ndryshme të miqve dhe dashamirësve të popullit shqiptar, si: Mustafa Kruja, Dervish Duma, Edit Durham (gazetare dhe mikeshë e madhe e shqiptarëve), Mary Herbert, Konstatin Qekrezi, etj., si dhe një fotografi të Mbretit Zog dhe këshilltarëve të tij, si: Xheladin Nushi (që ishte një prej sekretarëve të Mbretit Zog), Qatin Saraqi (ish diplomat i Zogut, një kohë ishte edhe këshilltar i tij),, por edhe fotografi të Faik Konicë, Fan S. Nolit, etj.
“Ditari” i Tajar Zavalanit është një vepër e rëndësishme që e pasuron publicistikën shqiptare. / KultPlus.com