21 Nëntor, 2020 - 3:27 pm
Më 21 nëntor të vitit 1964 lindi shkrimtari francez, i cili njihet edhe si filozof Volteri, shkruan KultPlus.
Përderisa në shumë vende evropiane filozof cilësohet një profesor universitar apo një person që është specializuar në këtë fushë, shteti francez na dëshmon të kundërtën, duke e trajtuar si të tillë një shkrimtar.
François-Marie Arouet që më pas u quajt “Dë Volter” ose Volteri, ishte një shkrimtar që ndërhynte në debatin publik, nëpërmjet botimit të librave dhe artikujve për çështjet politike dhe morale.
Duke filluar nga viti 1704 ai shkroi vargjet e para dhe tragjedinë e tij të parë në moshën dymbëdhjetëvjeçare, e cila është e humbur.
Letrat filozofike, të shkruara në mërgim dhe të botuara më 1734 në Francë, u sekuestruan nga Parlamenti i Parisit, u dënuan si armike të fesë dhe të shtetit dhe u dogjën publikisht.
Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi. Vepra ‘’Kandidi’’ është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Wilhelm Leibnizit mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë i tillë.
Në datën e lindjes së Volterit, KultPlus ju sjell një fragment nga vepra ‘’Kandidi’’:
–Ju duhet të keni djallin në bark, – tha Kandidi.
– Ai i fut hundët kaq shumë në punët e kësaj bote, – tha Martini, – sa nuk është çudi të jetë në trupin tim, ashtu siç mund të jetë kudo gjetkë, por une ja ku ju them se, duke hedhur sytë mbi këtë glob ose më mirë të themi mbi këtë rruazë, mendoj se zoti do t’ia ketë lënë në dorë ndonjë krijese keqbërëse, përjashtoj në këtë mes Eldoradon. Unë s’kam parë asnjë qytet që të mos ketë dëshiruar shkatërrimin e qytetit fqinj, asnjë familje që të mos ketë dashur të shfarosë ndonjë familje tjetër. Kudo të dobëtit s’i shohin dot me sy të fuqishmit, të cilëve u puthin këmbët, dhe të fuqishmit i trajtojnë ata si kope bagëtish që u marrin leshin dhe mishin. Një milion vrasës të organizuar në regjimente vrapojnë nga një cep i Evropës në tjetrin, ku vrasin dhe vjedhin me disiplinë për të fituar bukën e gojës, sepse për këta njerëz nuk ka zanat më të ndershëm; dhe në qytetet që duket se gëzojnë paqe, dhe ku lulëzojnë artet, njerëzit i brejnë nga brenda zilira, merake dhe shqetësime që janë më të këqija se të zezat që heq një qytet i rrethuar. Hidhërimet e fshehta janë shumë më të thella se fatkeqësitë shoqërore. Me një fjalë, kam parë dhe kam hequr kaq shumë, sa jam bërë manihean. / KultPlus.com