14 Korrik, 2019 - 9:41 am
“Unë lexoj art të vërtetë, dëgjoj në radio konkursin që bëjnë poetët e sotëm sovjetikë, këto vjersha janë art i vërtetë që të luan mendja e kokës … Unë do të shkruaj vjersha të errëta që nuk kuptohen, nuk më pëlqen asgjë nga poezia e sotme shqiptare.”
Viktor Qurku (Raportuar sekret nga Drejtoria e Punëve të Brendshme, Tiranë, më 10.08.1972)
Është përherë çështje territori, po fatmirësisht nuk është deri në fund e tillë. Se, për shembull, nëse tregu i artit do t’i përcaktonte çmimet sipas sipërfaqjes së pëlhurës me bojë, autorë sado të mëdhenj amerikanë do vlerësoheshin më shumë se kolegët e tyre europianë, të ngushtuar gjatë dekadave më të rëndësishme të historisë së artit modern të pikturojnë bërryl më bërryl, dhëmb për dhëmb me shoshoqin nëpër papafingot e ftohta majë çative të Parisit – ja dhe një teori alternative darviniste për rrëshqitjen graduale të figurativit drejt jorealizmit e përtej, në perimetra penalizues që s’ta mundësojnë dot hapjen e plotë të krahut për t’u shkuar nga pas me rendin e duhur gjithë linjave anatomike, por mjaftohesh me gjithnjë e më pak lëvizje të kithëta a kundravajtëse peneli, duke prerë shkurt itineraret e duke llahtarisur kalimtarët në trotuare, mu si ai shoferi nervoz që i ikën bllokimit në trafik, me çdo kusht a gjobë.
Në dallim, artistët e kontinentit të ri kishin pikërisht këtë: një kontinent të ri pionier, i gjithi në dispozicion të tyre për ta kolonizuar me formatet gjigande të telajove të veta, të pandërprera dot nga kufinj mesjetarë mbretërish e principatash a nga mure epokale guri të gdhendur, me gjithë qiratë e papërballueshme që përndjekin artistët e rinj në qytetet muzeale të kontinentit të vjetër.
E njëjta madhështi territori e bën romanin rus atë që njohim për roman rus, me hapjen perandorake stacion pas stacioni nëpër stepën dykontinentale, drejtfytyrash e fatesh të pashtershme, veprimtari trupëzuar mbi një hartë borgesiane që për ta palosur në format romani kërkon më shumë sesa duar për të shkruar, këmbë për ta përshkuar, takime të pashmangshme me personazhe e peizazhe që çdo letërsi tjetër shpesh shtrëngohet t’i shpikë, thjesht prej mungesash logjistike. Dhe sa më i vogël territori, po aq sport ekstrem dhe proza, aq më e vështirë të shmanget poza incestuale, deri kanibale e shkrimtarit me personazhet; pse megjithëse gjithkund shkrimtarin e gjen po aty, rrethuar nga një ekip bashkëkohësish në formën e një truproje personazhesh që e shoqërojnë si faraonin tek zbret drejt përjetësisë së shpresuar, në vende të vogla shkalla e projektimit mimetik nga jeta në letra prodhon përbindësha: imagjino veten të rrëfyer nga një shkrimtar që ke pasur rastin e keq ta takosh në një metropol, ku ti humb mes milionësh, krahasuar me të njëjtin takim në provincë ku po e njëjta letërsi, po ai numër shkronjash si edhe në metropol të ekspozon monument në sheshin e vetëm të qytezës, rrethuar me adoleshentë që shkrepin selfie – gjuhëjashtë.
Ose të paktën kështu të duket vetja, përshkruar në letërsi vendesh të vogla, ku – siç dhe kam shkruar në parathënien e një libri të preferuar – numri i personazheve letrarë rrezikon përditë të kapërcejë numrin e banorëve. Pse prej mungesash logjistike – piktorësh që zhvishen para pasqyrës në mungesë të modelit – mund ta shohësh veten bile të rrëfyer njëkohësisht nën më shumë se një titull; po a ka faj shkrimtari i vendit të vogël, që ngado të shkojë përplaset në mos me ty, me një kushëri që të ngjan – “Në një vend të vogël si ky”, si thotë titulli i poezisë së Parid Teferiçit, ku dhe e vërteta do palosur më dysh, e pastaj edhe një herë më shumë, që të mundë të gjejë vend, thotë poeti e vazhdon: Në një vend të vogël si ky, kaq të vogël sa mund t’ia vizatosh fare mirë hartën në shkallën 1 me 1 në këtë paketë cigaresh, nuk di gjer dhe se ku të mbështesësh duart: në fytin e fqinjit, apo në vithet e gruas së tjetrit?
Fatmirësisht që kemi poezinë në vende të vogla, pse në prozë, për shembull, duarve më sipër në fytin e fqinjit a më poshtë fqinjës do t’u kërkonin direkt shenjat e gishtave, me prangat gati. Poezia, shkruan Wallace Stevens, duhet t’i rezistojë inteligjencës/ Thuajse me sukses. Thuajse me sukses – ndoshta nuk do të mundet dot plotësisht ndonjëherë, si nuk patën për shembull mundësi t’i ikin plotësisht dënimit aplikuesit e poezisë, krahasuar me mungesën gati totale të manovrimit të prozës përballë censurës a policisë politike. Sipas kujtimeve të Petraq Kolevicës, argumenti final për Lasgushin pse poezia ishte sipërore ndaj prozës ishte shumë i thjeshtë: sa vetë kanë dhënë jetën gjatë historisë me prozë në gojë? Qoftë dhe me ndonjë paragraf nga “Vëllezërit Karamazov”, po themi? Krahasuar me gjithë ata që kanë rënë me himne në gojë, duke asgjësuar dhimbjen e tehut a plumbit në gjoksin që vibron nga ritmi i vargut, duke pritur me bindje, jo me shpresë, vargun e ndërprerëtë përputhet edhe pas vdekjes në rimë me vargun që vijon patjetër?
Poezia mundet t’i rrijë përballë vdekjes – “thuajse me sukses”-, për jetën kemi prozën. Ca duhet të vdesin me poezi në gojë, që të vazhdojë proza. Meqë proza kishte nevojë për sa më shumë territor, si u vërtetua më lart, dhe kush thotë territor ka thënë dëshmor. Gjithë territoret e mëdha për zhvillimin e prozës së madhe zmadhohen si njolla gjaku në hartë. Si ka shkruar një bashkëkohës i Parid Teferiçit me shokë:
Sa herë kthehem nga kufinjtë
I gjej të gjitha martuar
Askush nuk qan për këtë luftëtar
Që me shokë të pakët pushton toka të reja
Zmadhon atdheun
Asnjë letër e parfumuar për këtë vullnetar.
Etj., etj., deri në fund të poezisë.
Ky shkrim i kushtohet në fakt të medituarit mbi veprën e Ismail Kadaresë, nga koordinatat Moskë, Stamboll, Pekin, mes të cilave i dha hapje shpërthyese lexuesit të shqipes, edhe sikur vetëm kaq.
Nga Ervin Hatibi