23 Mars, 2019 - 7:00 pm
Havier Solana, me fytyrë të tronditur dhe me zë që më duket i holluar, shpall se ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia. Pastaj përqafohet në mënyrë të çuditshme, me njëfarë mallëngjimi, me ata që ka përbri.
E kuptoj tronditjen e tij. Ka diçka prej vdekjeje, prej kishe, prej kambane mortore në skenën që shohim në TV. Vëzhguesit e fundit të OSBE-së po ikin nga Kosova. Po largohen ata që e mbrojtën, që e deshën. William Wallker. Qindra të tjerë, midis të cilëve, mikesha jonë franceze, Miriam Gaume.
Përpiqem të marr me mend atë që po ndodh. Pas çdo makine që largohet, Kosova duhet të ngjajë edhe më e shurdhër. E braktisur në mëshirë të fatit. Pa deshmitarë.
E kemi pritur me padurim këtë orë dhe tani ajo ngjan e pagëzim. Ngaqë kam qenë përzier në këtë punë, e ndiej ndoshta më fort. Ankthi i së panjohurës zotëron mbi gjithçka. Skena po zbrazet. S’ ka pse të gënjejmë veten. Ata ikin sepse atje s’mund të pritet veçse një gjëmë. Veç qoftë e shkurtér. Kosovarët e ndiejnë me siguri. E kanë ditur gjithmonë, qysh se i hynë kësaj rruge.
Kjo e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë po pranon të vërë kokën në satër. Për të paguar çmimin e lirisë. Nuk i ndodh çdokujt një gjë e tillë.
Gjithë ditën ka rënë telefoni. Mund të kem dhënë mbi dhjetë intervista. Një pjesë jashtë Francës.
Isha duke dhënë intervistë të drejtpërdrejtë në TV-in shqiptar, programi satelitor, që shihet nga gjithë diaspora, si edhe në Kosovë, kur spikerja, pas një ndërprerjeje në zë, thirri: “Filloi”. Pastaj m’u drejtua: “Zoti Kadare, sapo mbërriti lajmi se bombat e para ranë në Serbi. Cili është reagimi juaj?” Një grimë kohe nuk fola. Pastaj, pa u menduar, u përgjigja:
“Kjo nuk më jep ndonjë gëzim. Nuk është mirë kur bombardohet një vend. Kam shpresuar gjer këtë çast për një zgjidhje tjetër”. Nuk më kujtohet mirë vazhdimi i intervistës. Kur mbaroi,ndjeva njëfarë shqetësimi: mos nuk ishte mire ajo përgjigje e atypëratyshme për bombat e para? Mos ishte shkurajuese, sidomos për shqiptarët në Kosovë?
Fill pas intervistës, siç më ka ndodhur shpesh, pata disa telefonata nga Tirana. Intervista ishte pëlqyer. Të gjithë miqve që më telefonuan u bëra pyetjen lidhur me atë “pjesën delikate”. Më siguruan se askujt nuk i bëri përshtypje të keqe, përkundrazi, njerëzit mendonin, përgjithësisht, ashtu.
Kërkova një mik kosovar në Gjermani, për t’i kërkuar mendimin. Ai e kishte dëgjuar intervistën dhe me tha të njëjtën gjë. Madje, shtoi se në Kosovë njerëzit ishin të ndërgjegjshëm për rrezikun e kësaj pune dhe s’kishin ndonjë ngazëllim që Serbia do të shkatërrohej.
Bashkë me qetësinë ndjeva nderim për popullin që i përkas. Mungesa e histerisë kombëtariste, që po vihet re kohët e fundit, nuk është e rastit…
Pjesë nga: Ditari i Kadaresë “Ra ky mort e u pamë” / topkadare/ KultPlus.com