2 Mars, 2018 - 10:34 pm
“Të mbaj në duar, dashuria ime/ Krijesë prej qelqi/ me shkëndijime yjesh/ Kam frikë/Kam frikë se mos më bie dhe/ thyhesh”. I veshur me pardesynë e bardhë, syzet që i dalloheshin në portretin që e jep imtësisht atë lidhjen e tij të thellë me letrat, e shihje gjithnjë me një libër në dorë në barin e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kjo godinë që deri pak muaj më parë ishte shndërruar në Ministrinë e Kulturës, mban një pjesë të mirë të jetës jo vetëm të Xhevahir Spahiut, por të një plejade të tërë shkrimtarësh dhe poetësh që krijimtarinë e tyre nisën ta shkruanin pas viteve ’60.
Pas viteve ’90-të, bari në oborrin e kësaj godine nuk e kishte humbur ende atë ankthin e së shkuarës. Ndërtesa nga jashtë të jepte të njëjtën ndjesi që u kishte thënë për gati gjysmëshekulli shkrimtarëve dhe artistëve, që e shihnin atë si tempullin që do të certifikonte përgjithmonë krijimtarinë e tyre. Në bar, bisedat e së shkuarës vazhdonin të ndiheshin nga një tavolinë në tjetrën, përplasje miqsh, inate të vjetra dhe dëshirë për ta pushtuar atë godinë që dalëngadalë po shuhej përgjithmonë.
Xhevahir Spahiu ngjiti shkallët e ish-Lidhjes për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i saj në vitin 1993, gati 23 vjet pas botimit të librit të tij të parë me poezi “Mëngjes sirenash”. Të qenët i talentuar, dhe një poet lirik do t’i kushtonte jo pak djaloshit të ri nga Skrapari, të cilit do t’i hiqej disa herë e drejta e botimit, për frymë antikonformiste. Pas botimit të vëllimit të dytë me poezi “Ti qytet i dashur” më vitin 1973, ai nuk do të botonte për katër vjet rresht, për t’u rikthyer me një libër metaforik si “Vdekja e perëndive” më 1977.
Të trazuara do të ishin dhe fillimi i viteve ’90-të për Spahiun, që vazhdonte ta shihte poezinë të shkëputur nga sistemi. Ai donte të shkruante atë ndjenjë që endej brenda tij, sa herë vesa e mëngjesit, apo mbrëmja i kujtonte një orë të bukur lumturie. Pas përfundimit të studimeve për letërsi, ai nis punën si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, por shpirti antikonformist i poetit do ta bënte të jetonte shumë pak në një punë të tillë. Pas ndërtesës së “Zërit të Popullit” atë e pret puna në minierën e Valiasit. E njëjta gjë ndodh dhe me rikthimin sërish në Tiranë për të punuar në revistën “Nëntori”.
Vetëm pak kohë më pas e heqin sërish për ta çuar mësues të thjeshtë në shkollat e natës. Poeti nuk po mundte ta kuptonte fijen e hollë që ndante vargjet e tij nga ideologjia. Dhe kur këtë të fundit përpiqej ta fuste në to, sërish poezitë ishin tepër të ndjera. Ai u kthye në një model të të pabindurit ndaj sistemit, gjë të cilën e pagoi me jetën e tij gjithnjë në ndryshim. Por kjo nuk e ndali penën e tij. Ndaj kur pas viteve ’90, ai u emërua si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve e deshi këtë punë po aq sa vargjet. Nga Valiasi ai e kishte parë gjithnjë Lidhjen si tempullin e vërtetë të vargjeve.
Në vitin 2002, Spahiu punoi si këshilltar në Ministrinë e Kulturës, më vitin 2003-2006 do të ishte këshilltar i jashtëm për kulturën i Presidentit të Republikës. Prej vitit 2005 do të ishte anëtar i Akademisë së Shkencave. Të qenët i ndjeshëm ndaj çështjeve politike shoqërore që po kalonte vendi, Spahiu ofroi kontributin e tij në çështjet e kulturës, çështje që i njihte aq mirë.
Por poezia, ishte ajo që ecte gjithnjë bri tij, për t’u shndërruar në varg sapo merrte stilolapsin dhe shkruante mbi letër. Në vitin 2005 ai botoi përmbledhjen poetike “Udha”. Vargje po aq të ndjera sa vite më parë, duke ruajtur atë kontinuitetin e një poeti të pandryshuar. Me një karrierë gati 40-vjeçare në letrat shqipe, Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që i kanë ardhur vendit në fund të këtij shekulli. Me jetën e thjeshtë që çdo artist ka në këtë vend, ai qëndroi gjithnjë modest përballë asaj çfarë vërtet përfaqësonte.
Dy librat janë quajtur “UDHA I” dhe “UDHA II”, dhe janë botim i plotësuar me krijimtari të re, me shënime të rëndësishme bibliofilike për jetëshkrimin e autorit dhe fatin e veprës së tij, të tilla si ai që lidhet me poezinë “Jetë”, e cila u botua për herë të parë në revistën “Nëntori”, ku gjejmë këtë shënim: “Më 9 janar 1973, kreu i atëhershëm i shtetit, e kritikoi publikisht autorin e poezisë për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit. Kjo e detyroi poetin ta tërheqë dorëshkrimin e librit -“Bota ku eci” – i cili u botua pas pesë vjetësh, i plotësuar pa poezinë në fjalë”. / KultPlus.com / Gazeta Shqip