9 Prill, 2019 - 9:40 pm
Studiuesi i gjuhës shqipe, Xhevat Lloshi, për “Shekullin” bën një analizë të problematikave reale të gjuhës shqipe. Mësues që nuk njohin gjuhën letrare, mangësitë në administrata dhe qeveritarë që përdorin fjalë të huaja, pa ditur se ç’thonë. Përfshirja e gjuhës shqipe në universitete, hallka e fundit e procesit
Anila Dedaj
Përvetësimi i gjuhës shqipe është një cikël i plotë, ku përfshirja e kësaj lënde në programet universitare, do të ishte hapi i fundit i procesit ose kurorëzimi i tij, siç e quan studiuesi i gjuhës shqipe Xhevat Lloshi. Për gjuhëtarin, krahas teksteve zanafilla e kësaj problematike, duhet kërkuar tek mësimdhënësit. “Në asnjë shkollë të ciklit të parë, ose siç quhet ndryshe fillore, të mos ketë mësues që nuk dinë të flasin gjuhën letrare!”, shprehet studiuesi për “Shekulli”-n, duke theksuar se është e pamundur që një mësues që nuk di mirë gjuhën letrare, t’ia përçojë atë nxënësit. Një fenomen ky, që sipas tij, nuk haset në asnjë vend tjetër të Evropës. Ndërsa, instancat përkatëse nëse duan realisht të zgjidhin problemin duhet t’i japin prioritet. Kërkesa, apo deklarata e fundit e kryeministrit Edi Rama (duke qenë se një vendim i tillë nuk është brenda kompetencave të tij, pasi duhet të vijë nga bota akademike), se:“Duam që ta fusim gjuhën shqipe në universitet, në të gjitha degët”, specialistëve të fushës, u sjell ndërmend një tjetër iniciativë verbale të tij. Ishte viti 2012, kur ai premtoi përfshirjen e stafit redaktorial për të bërë korrigjimin dhe vëzhgimin e dokumentacioneve për çdo institucion publik. Një nismë që si shumë të tjera, nuk funksionoi dhe ngeli në kuadër të propagandës. Sipas gjuhëtarit Xhevat Lloshi, njohja e mirë e gjuhës shqipe nga ana e funksionarëve publikë është e domosdoshme. “Në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, ku njerëzit që shkruajnë dokumente zyrtare i bëjnë me gabime”, shprehet ai, duke nënvizuar nevojën e një teksti të posaçëm për administratat, që të përshtatet me stilin e veprimtarisë shtetërore.
Zoti Lloshi, kryeministri Rama ditët e fundit ka propozuar përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjitha degët universitare. Sa efikase mendoni se mund të jetë një nismë e tillë për minimizimin e problematikave të gjuhës shqipe?
Nuk ka asnjë dyshim, që në të gjitha shkollat e larta kryesore të vendeve që njohim ne, në vitin e parë jepet detyrimisht gjuha, por jo në atë kuptim që shumë kujtojnë. Pra nuk flitet për zgjedhime e lakime, por për një fushë që quhet “Ndërtimi i teksteve”. Unë kam bërë një vepër të tërë që quhet “Stilistika e gjuhës Shqipe”, ku e kam shtjelluar hollësisht këtë gjë. Domethënë nëse shqyrtojmë degët juridike, unë kam një krye të veçantë në këtë libër apo cili është stili i veprimtarisë shtetërore administrative dhe kështu me radhë. Domethënë, jo një përsëritje të disa gjërave thjesht mekanike. Kurse në shkollën nëntëvjeçare që kemi tani, çështja themelore duhet të jetë patjetër në të mësuarit e drejtshkrimit dhe të gramatikës, kryesisht morfologjisë. Në shkollën e mesme do të zgjerohet më tej, për shembull me elementë më shumë të sintaksës e kështu me radhë. Pra, është një cikël i plotë, i cili në universitet merr kurorëzimin e vet.
Cili duhet të jetë hapi i parë që duhet ndërmarrë për përvetësimin e gjuhës shqipe nga të rinjtë sipas jush?
Mendoj se fillimisht duhet të përcaktohet një plan nga Ministria e Arsimit, që për shembull brenda 5 vjetëve, në asnjë shkollë të ciklit të ulët ose të quajtur ndryshe fillore, të mos ketë më mësues, që nuk dinë të flasin gjuhën letrare. Duhet filluar që këtu, nëse kërkohet realisht zgjidhje, sepse nuk mund të mendohet që mësues, që nuk dinë mirë gjuhën letrare, t’ia përçojnë atë nxënësve. Kjo është diçka e pamundur! Mendoj se në një shtet që pretendon të zhvillohet diçka e tillë nuk duhet të ekzistojë… Në asnjë vend të Evropës nuk të fut njeri mësues, nëse nuk di gjuhën letrare.
Problematika jo të vogla janë hasur edhe në gjuhën e përdorur në administratat publike, në dokumentacione, letra apo komunikata të ndryshme zyrtare. Në 2012-ën, po nga ky kryeministër u premtua përfshirja e një stafi redaktorial në institucione. Si e shikoni një situatë të tillë dhe çfarë do të sugjeronit për rregullimin e saj?
Përpara se të bëhet diçka e tillë, unë mendoj se do të ecim në rrugën e vendeve të tjera. Në Francë pothuajse çdo vit botohet një libër që quhet “Stili administrativ”, domethënë është e meta jonë, e gjuhëtarëve, e specialistëve që nuk kemi përgatitur një libër, që të jetë pikërisht për stilin e veprimtarisë shtetërore. Aty të japim modelet kryesore dhe të shtrojmë çështjet themelore. Madje po ju rrëfej, se në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Nuk ka shtete të këtilla, vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, që njerëzit të cilët shkruajnë dokumente zyrtare, i bëjnë me gabime. Domethënë, detyra e parë është e jona. Pastaj, sigurisht që duke e bërë këtë detyrë tonën, në mënyrë të organizuar, kualifikohen njerëz të caktuar të institucioneve, të cilët janë në gjendje ta bëjnë këtë. Shembulli më i mirë është ky: Për shumë vite, jo më për një vit, në Kuvendin Popullor ka pasur dhe vijon të ketë redaktor gjuhësor, i cili, sjell në formë korrekte gjuhësore ligjet dhe materialet e tjera.
Edhe pse gabime të vogla ndonjëherë janë njerëzore, dua të theksoj se problematikave u dilet përpara me njerëz të përgatitur për këtë punë. Të cilët gjithashtu duhet të kenë në duar materialet përkatëse, mbi të cilat duhet të mbështeten. Nuk janë punë që bëhen sipas mendjes së njërit, apo tjetrit.
Ju keni propozuar gjithashtu të hapet një muze për albanologjinë…
Unë kam hedhur idenë se duhet të ngremë një kënd me buste të albanologëve. Të njerëzve të huaj që kanë lartësuar popullin dhe kulturën tonë. Dhe unë do ta quaja këtë “Kopshti i albanologjisë”. Është një ide e mundur, tani për shembull që është menduar të bëhet një bibliotekë kombëtare, ose që kemi Bulevardin e ri që sapo është hapur. Natyrisht që nuk mendohet të fillohet me një milion, por mund të fillohet me një. Mjafton të caktohet nga Bashkia vendi ku do të bëhet. Të jetë një kopsht i kulturës, që me kalimin e kohës, kur të shtohet me një, dy…, katër buste, të shoqërohet edhe me fletëpalosje, ku të thuhet diçka nga biografia e tyre. Kështu fëmijët të sillen në atë kopsht, të shëtisin dhe të shohin se kush ka kontribuar për shqipen, për kulturën tonë. Unë kam bërë një libër të titulluar “Shqipja qysh u është dukur?”, ku kam përmbledhur thëniet më të mira të shqiptarëve dhe të të huajve për gjuhën shqipe. Pra mundësitë janë dhe nëse bëhej do të ishte diçka e këndshme.
Aktualisht në Fakultetin e Histori Filologjisë, për degën e redaktimit nuk ka kërkesa, kjo edhe për shkak të tregut. Si e shikoni një fenomen të tillë?
Kjo sigurisht është një gjë jo e mirë për kulturën tonë, por bënë pjesë në të gjitha ato mangësitë e mëdha që kemi në këtë fushë. Unë kam shkruar dhe kam folur vazhdimisht dhe dëshiroj t’ju them këtë fjali shumë të rëndësishme: Rënia e nivelit të shkollës dhe rënia e kujdesit për gjuhën nuk janë dukuri të veçuara, janë dukuri shoqërore. Kemi nevojë të ngremë interesimin e përgjithshëm të shoqërisë, për kulturën në përgjithësi dhe për kulturën e gjuhës. Në këtë fushë kanë një vend shumë të rëndësishëm pikërisht edhe mjetet e komunikimit masiv, gazetat, televizioni dhe radio. Në radhë të parë, unë mendoj, se për këto duhet të ngulim këmbë. Që tek gazetat, të cilat dalin përditë, televizionet që japin filma e lëndë tjetër të shkruar, atje duhet në radhë të parë të jetë kujdesi më i madh. Sepse, mjetet e komunikimit masiv, si të thuash me një fjalë “e bombardojnë” përditë vëmendjen e njerëzve edhe nga ana gjuhësore.
Përdorimi i anglicizmave apo ndërkombarizmave, veçanërisht nga brezi i ri ndikon negativisht në përdorimin korrekt të gjuhës shqipe, si në ligjërim ashtu edhe në gjuhën e shkruar?
Mendoj se nuk është brezi i ri që fut fjalë të huaja. Unë ngul këmbë në idenë time, që e kam shprehur edhe më parë, se nuk mund të ngrihet kultura e gjuhës shqipe, nëqoftëse njerëzit nuk përvetësojnë në mënyrë të drejtë e të rregullt gjuhët e huaja. Tani sapo është bërë me dije sondazhi, se “Në Shqipëri vetëm 17% e njerëzve dinë anglisht”. Thënë shqip, sipas meje, fjalë të huaja përdorin ata që nuk i dinë mirë gjuhët e huaja. Nuk është puna thjesht tek brezi i ri, se këtu ka deri edhe parlamentarë, anëtarë të Qeverisë që përdorin fjalë të huaja, pa kuptuar se çfarë thonë.
Mendoni se zgjidhja e këtij problemi duhet të vijë nga bota akademike dhe albanologët, e jo nga Qeveria (parlamentarët), ndoshta edhe për problemin që ju cekët më sipër?
Nuk përjashtohet Qeveria, sepse për mendimin tim, Shteti është shkresë. Nëqoftëse shteti nuk i ka në rregull shkresat, nuk është shteti në rregull. Prandaj nuk është thjesht çështje gjuhe, është çështje e veprimtarisë shtetërore. Ju e dini fare mirë, se në gjyqe debati shpesh herë është thjesht gjuhësor. Kakëtë kuptim, është përdor kështu, është thënë ashtu etj. Pra, Shteti është i interesuar drejtpërdrejtë për të pasur një gjuhë të rregullt në veprimtarinë e tij. Një shtet pa gjuhë të rregullt në veprimtarinë e tij, nuk është si shtet në rregull. Dhe pastaj mund t’u thuhet gjuhëtarëve, pse s’na i kini zgjidhur këto probleme?