16 Dhjetor, 2018 - 11:20 pm
Çdo shkrimtar ka një rutinë ditore pune, një strategji të përcaktuar mirë për të “luftuar me letrën e bardhë”. Të gjithëve, edhe shkrimtarëve më të njohur, u ndodh të kenë atë që rëndom quhet bllok i shkrimtarit.
Ose thjesht nuk kanë motivimin e duhur për të shkruar diçka. Në raste të tilla, secili ka mënyrat e tij për të rigjetur frymëzimin… dhe disa janë mjaft të zakonshme, ndërsa disa të çuditshme…
Mark Tuein shkruante në shtrat
Dhe jo vetëm ai, por edhe Xhorxh Oruell, Edith Uarton, Marsel Prust shkruanin ndërsa rrinin shtrirë në shtrat. Autori i njohur amerikan Truman Kapote e cilësoi veten një herë si “shkrimtar horizontal”, sepse nuk mund as të mendonte e as të shkruante nëse nuk shkrihej më parë në shtrat.
Ernest Hemingueji shkruante në këmbë
Në ndryshim të plotë nga shkrimtarët e mësipërm, Hemingueji, Dikens, Virxhinia Ulf, shkruanin në këmbë. Kjo metodë mund të jetë e mirë edhe për arsye shëndetësore, duke marrë parasysh problemet që shkakton për shpinën qëndrimi i gjatë ulur.
Vladimir Nabokov shkruante në letra treguese
Vladimir Nabokov, autori i “Lolitës”, i ka shkruar të gjithë librat e tij në letra të vogla treguese, të cilat i mbante në kuti të vogla ose edhe nën jastëk, kur shkruante natën.
Aleksandër Dyma përdorte një sistem ngjyrash
Autori francez Aleksandër Dyma i shkroi romanet e tij të njohur “Tre musketierët” dhe “Konti i Monte Kristos” duke përdorur një sistem ngjyrash. Duket e çuditshme dhe e vështirë apo jo? Jo për Dyman, i cili përdorte ngjyrat për llojet e shkrimeve: blunë për shkrimet e tij fiksion, rozën për artikujt dhe të verdhën për poezinë.
Viktor Hygo shkruante lakuriq
Ndërsa po i afrohej afati për të dorëzuar dorëshkrimin e “Katedralja e Parisit”, Hygo e kuptoi se nuk kishte gjë në vijë, kështu që urdhëroi shërbyesin personal t’ia merrte të gjitha rrobat dhe të ikte nga shtëpia. Në këtë mënyrë ai nuk do të ishte në gjendje të dilte nga shtëpia. Kur kishte ftohtë, Hygoi mblidhej me një batanije dhe shkruante. Ia vlejti ama, e dorëzoi librin në kohë.
Honore de Balzak pinte kafe, shumë kafe
Romancieri francez Honoré de Balzak pinte rreth 50 filxhanë kafe në ditë. Mëlçinë mund ta kishte copë, ama sasia e kafeinës e mbante të motivuar për të shkruar. Disa studiues thonë se ai thuajse nuk kishte fjetur gjatë kohës që shkroi kryeveprën e tij “Komedia njerëzore”. Përveç Balzakut, edhe Volteri ishte i varur nga kafeina./botimeshqip