7 Gusht, 2020 - 1:18 pm
I privilegjuar apo i ndjekur nga regjimi?! Kjo është pyetja që ngrihet prej 30 vitesh rreth figurës së shkrimtarit Ismail Kadare.
Në këtë pikë opinionet ndahen. Vitet e fundit janë të shumta botimet, dokumentet që kanë dalë rreth ndjekjes dhe spiunimit që i bëhej Ismail Kadaresë, por kanë qenë fragmente dëshmish, raportesh, që mund të linin vend për interpretim. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim. Është vetë ish-kryehetuesi, Qemal Lame, që dëshmon me përgjegjësi të plotë që Kadare jo vetëm ishte i ndjekur, por për të ka pasur edhe urdhërarreste të anuluara në momentet e fundit. Qemal Lame, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë përgjatë dhjetë viteve, në vitet 1981-1992, dëshmon se kanë qenë krerët më të lartë të shtetit që janë marrë me çështjen “Kadare”.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Hekuran Isain e Ramiz Alinë, por vetë Enver Hoxhën, i cili ia ka komunikuar gojarisht atij vendimin për eliminimin e shkrimtarit. Në librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Neraida”, Lame pretendon të hedhë dritë mbi këtë çështje, duke u mbështetur në dokumente origjinale. Përveç risjelljes së disa momenteve me rëndësi në jetën politike të Shqipërisë gjatë diktaturës, Lame publikon edhe pjesë nga ditari që ai ka mbajtur gjatë kohës kur shërbente si kryehetues.
Sipas tij, Kadaresë i ishte përgatitur më e keqja. “Janë dhënë dy urdhra konkretë nga Enver Hoxha për arrestim, të cilët u anuluan në çastin final të ekzekutimit të tyre. Në Arkivin e Shtetit dhe të institucioneve të tjera administrohen qindra dokumente. Fati i tij është paragjykuar, ishte përgatitur arkivoli, predikimi ligjor në sallën e gjykimit të burgut, ekzekutimi në errësirën e mesnatës, zhdukja që të mos i gjendeshin as eshtrat dhe as një varr për ta kujtuar familjarët, njëlloj si me ish-kryeministrin”, shprehet Lame.
Me mjaft interes janë takimet dhe bisedat telefonike me Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain, të cilat i publikon gazeta “Panorama”.
Nga të dhënat, për shkak të funksioneve që kam pasur, vërtetohet se Ismail Kadare do të arrestohej dhe do të dënohej si tradhtar, agjent i zbulimeve perëndimore, bashkëpunëtor i komplotit të kryesuar nga Mehmet Shehu.
Janë dhënë dy urdhra konkretë nga Enver Hoxha për arrestim, të cilët u anuluan në çastin final të ekzekutimit të tyre. Në Arkivin e Shtetit dhe të institucioneve të tjera administrohen qindra dokumente. Fati i tij është paragjykuar, ishte përgatitur arkivoli, predikimi ligjor në sallën e gjykimit të burgut, ekzekutimi në errësirën e mesnatës, zhdukja që të mos i gjendeshin as eshtrat dhe as një varr për ta kujtuar familjarët, njëlloj si me ish-Kryeministrin.
Pas kërkesës për azil politik në Francë, Ismail Kadare u deklarua tradhtar e dezertor nga Ramiz Alia. Opinioni publik në Shqipëri nuk e mbështeti këtë akuzë absurde.. shtetet e demokracive perëndimore e mbrojtën shkrimtarin dhe demaskuan vazhdimin e diktaturës së maskuar me reformat për demokratizim. Shekspiri me dramën e “Makbethit” jep mesazhe aktuale për krimet e fshehta dhe mbrojtjen prej tyre. Ndërsa nga “Makbethi” i Tiranës mësojmë pasojat e pushtetit absolut, egërsinë e eliminimit me ceremoni zyrtare, me vendime publike apo të fshehta gjyqësore, me vrasje ose “vetëvrasje” mafioze të agjenturës së fshehtë të kundërshtarëve të politikë potencialë, me të cilët u njësuan edhe shokët e përbetuar për miqësinë e besnikërinë e përjetshme me udhëheqësin.
Qëllimi i punës së gjatë hulumtuese dhe të përvojës personale për të vërtetën e publikuar me botimin e këtij libri, me temë sa të rëndësishme aq edhe sensibilizuese, është hedhja dritë tej propagandës politike dhe njohja e anës së errët të pushtetit gri që viktimizoi padrejtësisht personalitetet e njohura dhe kolosët e letërsisë e artit shqiptar. Me përgjegjësi profesionale, morale, intelektuale e qytetare, vendosa të shkruaj dhe përfundova këtë libër mbështetur në fakte, më 14 dhjetor 1990. Këto probleme kanë qenë objekt i detyrës sime që t’u jepja zgjidhje ligjore.
Prandaj, ato janë dokumente origjinale. Për arsye të caktuara, botimi nuk u realizua në atë kohë. Për ta aktualizuar, pasqyruam dhe analizuam edhe ngjarjet e temat e diskutuara deri kohët e fundit. Me këtë dëshiroj të jap ndihmesën e mëtejshme për sqarimin e problemeve që dalin përpara lexuesve e studiuesve me interes për historinë, shkencën, letërsinë, mendimin politik, juridik e shoqëror.
Një punë e tillë mendoj se do të ishte e dobishme të bëhej edhe nga përfaqësues të organeve të tjera të diktaturës. Bashkërisht të japim kontributin e mundshëm për të vërtetën që meriton të fiksohet në historinë e shtetit, të popullit e të letërsisë, të mos lëmë pikëpyetje, të cilat kemi për detyrë dhe janë kushtet për t’i qartësuar në nderim të brezave të ardhshëm.
* * *
Urdhrat për arrestimin e Ismail Kadaresë
Ismail Kadare ka qenë dy herë në kushtet e urdhrit për arrestim.
Ndjekja dhe realizimi i arrestimit dhe dënimit si armik i shkrimtarit ka qenë veprimtari e fshehtë e agjenturës.
Në kushtet e caktuara, kur mendohet se ishin krijuar rrethanat për goditjen e tij, është përgatitur me kujdes edhe testimi i opinioneve dhe reagimeve. Këto janë bërë objekt i diskutimeve e njohjes së qëndrimeve në elitën e familjeve të Bllokut e me radhë në ato të lidhjeve të tyre familjare e shoqërore.
Në vitin 1980 është përhapur lajmi se Ismail Kadare ishte agjent i Perëndimit. Në fakt, fillimisht është diskutuar në familjet në Bllok dhe më pas kjo legjendë u përgojua në rrethe të ngushta shoqërore.
Lajmi nuk është një njoftim zyrtar i bazuar në një dokument. Njëkohësisht nuk është as një thashetheme i diskutuar me kuriozitet në familjet e udhëheqjes në Bllok. Njoftime me të dhëna të klasifikuara të kësaj natyre të veprimtarisë së spiunazhit përbëjnë sekret shtetëror.
Diskutimi i tyre tregon se në udhëheqjen politike është diskutuar për veprimtarinë e spiunazhit dhe më pas është përhapur edhe në familjet e tyre. Paragjykimi i personave më të njohur dhe më të rrezikshëm fillonte pikërisht nga Blloku. Të diskutoheshe për akuzën më të rëndë të tradhtisë me anë të spiunazhit, do të thotë se ishe realisht i dënuar dhe pritej vetëm momenti politik i përshtatshëm për ta ligjëruar formalisht me Hetuesinë dhe Gjykatën.
Në vitin 1992, Bashkim Shehu ka publikuar se “në vitin 1982, pyetjen në mes të natës nga zëvendësministri Rexhep Kolli’.
Të quanin ‘armik të vjetër e të rrezikshëm’, por nuk ia ‘hidhje dot’, se ‘Partia të kishte njohur prej kohësh’, të kishte dhënë dorën disa herë, kurse tani nuk kishte ‘ku të vejë më’ etj.
Kërkonin të dinin çfarë mendimi kishe ti për regjimin, çfarë kishe thënë kundër Enver Hoxhës, madje të implikonin dhe në çështje agjenturore, ngaqë më kanë pyetur nëse ti ke shkuar ndonjëherë në Francë i dërguar nga Mehmeti dhe kë ke takuar atje”.
Takimi me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain
E hënë, më 3 maj 1982, 8:00
Hekuran ISAI: Nga hetimet dhe puna operative kanë dalë implikime me rëndësi për komplotin kundër Partisë. Vërtetohet fajësia për disa drejtues të Sigurimit, disa ministra të besuar të Mehmetit etj. Rexhepi më solli një raport agjenturor edhe për implikimin e Ismail Kadaresë. Hetuesit po marrin raportet agjenturore dhe dokumentet që kemi dhe po punohet për t’u zbardhur kërkesat ligjore procedurale për procesverbalet e pyetjeve të të pandehurve e dëshmitarëve, kallëzimet dhe arrestimet.
Ramiz ALIA: Është i domosdoshëm objektiviteti në pyetjet e të pandehurve, dëshmitarëve, si formulimi korrekt i akuzave të bazuara në prova sipas kritereve procedurale..Shoku Enver është në dijeni. Më ka thënë të veprojmë..
Hekuran ISAI: Të analizoj dokumentet, shoku Ramiz. Kërkohet kohë. Janë të dhëna të administruara në disa dosje voluminoze. Në përfundim do të jap mendim.
Ramiz ALIA: Mirë. Por mos u mendo shumë. Ka porositur vetë shoku Enver…
Hekuran ISAI: Problemi tjetër është qenia në detyrë aktualisht e personave të dyshuar nga Sigurimi i Shtetit. Kjo e bën edhe më të vështirë studimin e dokumenteve…
Ramiz ALIA: Po, ashtu është.
Hekuran ISAI: Janë të njëjtët persona që drejtojnë Hetuesinë dhe Sigurimin e Shtetit. Në kushtet që dyshimet janë edhe për disa kuadro të lartë të organeve të Punëve të Brendshme, normalisht duhen analizuar të dhënat e tyre dhe të mbështetësve që ata kanë..
Ramiz ALIA:-Do ta bisedoj me shokun Enver…
Shënim: Në qershor 1982 u bënë ndryshime të rëndësishme masive. Drejtuesit e Sigurimit të Shtetit e të Drejtorisë së Hetuesisë, në qendër e në rrethe, u larguan nga detyrat, duke i nxjerrë në pension, transferuar në detyra të ulëta, larguar nga organet e Punëve të Brendshme etj/Panorama/ KultPlus.com