28 Dhjetor, 2017 - 6:29 pm
Në familjen Agolli është i pari Vit i Ri, pa shkrimtarin. Kur po afrohet 1-vjetori i ikjes së tij, familja e ndjen ende më shumë mungesën, kur kolltuku në dhomën e drunjtë, ku shkrimtari rrinte para një gote rakie me cigare në dorë, është bosh.
“Muaji i dhjetorit, muaji përmbyllës i vitit, për familjen tonë ngjyrosej me larmi kuptimesh, ndjesish, emocionesh. E ndërsa ditët ndiqnin njëra-tjetrën, shumë shpejt nisnin porositë për kartolina, bisedat për gjelin e detit, për verën e porositur e për shumëçka lidhej me natën e ndërrimit të viteve”, kujton e bija, Elona Agolli, teksa rrëmon në sënduqet e t’et. I kujtohen fraza bisedash të mbetura prej pothuaj pesë dekadave pranë babait. “Po ‘Klik’-u nuk ka bërë sivjet kartolina? – thoshte ai tërthorazi, si për t’i drejtuar kërkesën e kartolinave të urimit. “Im atë askurrë nuk harronte t’u shkruante e dërgonte për miqtë e të njohurit e tij. Vitet e fundit i ndante një pjesë me Sadijen, mamanë time, pasi dora i lodhej më shpejt dhe gërmat formonin figura të çuditshme, me të cilat edhe vetë habitej, por edhe argëtohej jo rrallëherë”, rrëfen Elona. Imazhe prej kartolinave e dorëshkrimeve që botohen sot në “Gazeta Shqiptare” për herë të parë, kujtojnë jo vetëm zakonin e përvitshëm të shkrimtarit, por edhe marrëdhënien e tij me ata që deshi më shumë.
Për Agollin, shkrimi i kartolinave të urimit niste nga më të afërmit e dashur, e më pas vijonte me miq e shokë. Ja një prej tyre, drejtuar Elonës: “E dashur guguçja ime e bukur dhe e shumëmira Lonë, Unë, ati yt dhe Babagjyshi i Vitit të Ri, të uroj jetë të lumtur dhe të gëzuar me të pamposhturin Luan dhe të shkathëtin tigër Luel.
Gëzuar 2010-ën
Dritëroi”.
Një tjetër kartolinë, i drejtohej së mbesës, Annës, një prej njerëzve që e deshi fort, mbase edhe sepse e pat rritur pothuajse vetë. Kartolina për ‘vajzën e gjyshërve’ është shkruar kështu:
“E dashur Anna, me dy n, të uroj Vitin e Ri 2011, urime të kesh edhe në vitin 2122, kur të bëhesh mbi 100. Gjyshi dhe nëna të kanë ëngjëllushe dhe kur nuk je ti në Tiranë themi: ‘Ku është dhe çfarë bën ëngjëlli?’
Të puthëm.
Gjyshi dhe nëna.
31.12.2010”
Tri vite më vonë, Dritëroi ishte po aq i përzemërt ndaj mbesës.
“E dashur Anna,
Unë dhe nëna të urojmë gëzuar Vitin e Ri 2014. Ne gëzohemi për arritjet e tua në universitet dhe jemi të bindur që këto arritje do të shumëfishohen; se ne të duam aq sa kur të pritet pak gishti, na dhëmbin neve të 20 gishtat, 10 të gjyshit e 10 të nënës. 20.12.2013”.
FLETË
DITARI
E ndërsa kënaqësia e të shkruarit të urimeve përmbushej, natën vonë, kur asgjë nuk pipëtinte, niste të frymëmerrte ditari i shënimeve. Dukej ato çaste më i sinqertë se kurrë, kur i vetëm para një flete, me shkrimin që e tradhtonte, shënonte përjetimet e orëve të vona. Ishin orët kur ishte i vetëm përballë vetes. / KultPlus.com