29 Prill, 2019 - 10:30 am
Mediat angleze bëjnë me dije se dorëshkrimi i një libri që do të pasonte veprën më tipike postmoderniste Clockwork Orange (Portokalli me kurdisje), u gjet në arkivën personale të shkrimtarit Anthony Burgess.
Sipas tyre, dorëshkrimi titullohet A clockwork condition (Një situatë me kurdisje) dhe është rreth 200 faqe.
Në të Burgess shpreh idetë e tij mbi situatën njerëzore dhe vazhdon të shtjellojë temat e Clockwork Orange, që fokusohej në metodat e përdorura nga shteti për kurimin e një krimineli adoleshent – shkruan Dita.
Ndryshe nga paraardhësi i tij letrar, dorëshkrimi nuk është roman.
Ai përbëhet nga shënime në formën e esesë dhe është pjesërisht filozofik dhe pjesërisht autobiografik. Vetë Burgess e ka konsideruar dorëshkrimin e pabotuar si “një qasje filozofike mbi situatën e njeriut në ditët tona”, duke përmendur shqetësimet e tij rreth ndikimit të teknologjisë, sidomos medias, filmit dhe televizionit mbi njeriun modern.
Duhet shtuar se dorëshkrmi komenton edhe polemikat shkaktuar nga shfaqja e filmit të Stanley Kubrick A Clockwork Orange në vitin 1971, adaptimi nga romani me të njëjtin titull.
Sipas prof. Andrew Biswell, drejtor i fondacionit ndërkombëtar Anthony Burgess, “Clockwork Condition shpreh idetë e Burgess mbi krimin, ndëshkimin dhe ndikimin manipulues që mund të ketë kultura vizuale”.
Po sipas tij, Burgess hoqi dorë nga përfundimi dhe botimi i dorëshkrimit pasi ai e konsideronte veten romanicier dhe jo filozof.
Kjo ishte arsyeja edhe pse ai në vitin 1974 botoi romanin The Clockwork Testament (Testamenti me kurdisje) ku prek edhe disa nga temat e lartpërmendura. / KultPlus.com