15 Prill, 2021 - 7:58 pm
Zef Pllumi qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.
I pagëzuar Prenkë, lindi më 28 gusht 1924, i biri i Gjergj Tomës dhe Luke Mrisë, u lind nga e ëma në një zabel në tëbanin e tyne në bjeshkë. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t’iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prenkës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës – bajrak ky i fundit ku ishte nip. Xhaxhai i Prenkës, Pashko Toma, ishte i pari i shtëpisë dhe burrë i shquar në ato male si plak, kuvendar e bukëdhanës. Gjatë fëminisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon.
Më poshtë po sjellim këtë thënie të Zef Pllumit që është aktuale gjithmonë:
“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet” / KultPlus.com