11 Korrik, 2021 - 12:00 am
Edgar Allan Poe
(Tale Heart-1843)
-Është e vërtetë. Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë. Por, ju pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur?
A s’e shihni se unë jam plotësisht në rregull? A s’është e qartë që s’jam i çmendur? Sëmundja vërtet m’i ka bërë më të forta e më të fuqishme mendjen, shqisat e ndjenjat. Sidomos shqisën e dëgjimit, edhe më të fuqishme. Unë dëgjoj zëra që s’i kisha dëgjuar më parë. I dëgjoj zërat nga parajsa, zërat nga ferri.
-Dëgjo! Dëgjo, do të të tregoj si ndodhë. Ke për të parë e për të dëgjuar sa e kam mendjen në vend.
E pashpjegueshme si erdhi në fillim ideja në kokën time.
Nuk arsyetohet ajo çfarë bëra. S’e kam urryer plakun. Përveçse e kam dashur. Nuk më ka lënduar. S’i kam dashur paratë e tij. Mendoj se ishin sytë e tij. Dukeshin si sygrabitës, sytë e atyre shpezëve të trishtueshme që shikojnë e presin derisa kafsha ngordh dhe më pas e hedhin poshtë të bëhet copa për ta ngrënë.
Kur më shikoi plaku me ata sygrabitësi, një ndjesi e ftohtë m’u ngjit poshtë e lartë shpinës, derisa edhe gjaku u ftoh. Kështu që, përfundimisht vendosa t’i mbyllja ata sy: ta vras plakun!
Pra, ju mendoni se jam i çmendur? Një i luajtur mendsh nuk planifikon. Por, ju më keni ndjekur mua. Gjatë gjithë javës, shoqërohesha me plakun, isha i afërt, i dashur me të, pra, aq sa mund të isha.
-Çdo natë rreth orës dymbëdhjetë ngadalë e hapja derën e tij. Dera ishte e hapur aq sa mund të futja brenda dorën, pastaj, kokën. Në dorë mbaja një dritë të mbuluar me një cohë që s’e lejonte të shpërndahej më shumë. Qëndrova qetësisht. Pastaj, kujdesshëm, largova cohën pakëz, që të kalonte tek ata sy një vijëz e hollë dhe e vogël e dritës.
-Shtatë net e bëra këtë, shtatë net të gjata, cdo herë në mesnatë. Pasiqë sytë ishin gjithmonë të mbyllur, e kisha të vështirë të kryeja punë. Sepse nuk ndjeja ta vrisja plakun, ishte syri i tij. Syri i tij i Djallit.
– Dhe çdo mëngjes shkoja në dhomën e tij, e pyesja si kishte fjetur, me një të folur të ngrohtë e miqësore. Ai as që e merr me mend se çdo natë, në orën dymbëdhjetë, hyja brenda dhe e shihja si flinte. Në natën e tetë, që kur e hapa derën, isha më shumë se zakonisht i kujdesshëm. Akrepat e orës lëvizën më shpejtë se sa dora ime. Asnjëherë më parë nuk e kisha ndjerë kaq fort fuqinë time; për sukses tani isha i sigurt.
Plaku rrinte shtrirë, pa imagjinuar se jam në derë. Befas lëvizi në shtrat. Ju mendoni se u frikësova. Por, jo. Errësira ishte e madhe në dhomë. E dija që s’e shihte hapjen e derës. Unë vazhdova ngadalë e lehtë, të shtyeja derën. E futa kokën. E futa dorën me dritën e mbuluar. Papritmas plaku u drejtua në shtrat dhe qau, “Kush është aty”??!
Ende qëndrova i heshtur. Nuk lëviza për disa orë. As s’e dëgjova të shtrihej prapë në shtrat. Veç rrinte duke dëgjuar. Pastaj, dëgjova një zë nga plaku, një klithmë, një e qarë frikeje. E dija që rrinte ulur, mbushur me frikë në shtrat; e dija se ai e dinte që isha aty. S’më shihte. S’më dëgjonte. Më ndiente. E dinte se Vdekja ishte aty.
Dalëngadalë, pak nga pak, derisa një dritë e vogël të binte në ata sygrabitës, e largova cohën. Mënyra se si më shikonte drejt, me sy të shqyer, sa e shtonte zemërimin tim. Fytyrën e plakut s’e shihja. Vetëm atë sy, syrin e kaltër të errët dhe në trupin tim m’u ngri gjaku.
A s’ju pata thënë se të dëgjuarit u bë i fortë, në mënyrë të pazakontë? Si tingullin e një ore përtej murit, dëgjoj tinguj të shpejtë, të ulët, të lehtë.
Ishte e rrahura e zemrës së plakut. Provova të heshtë. Por, tingulli rritej më shumë. Frika e plakut duhet të ketë qenë më të vërtetë e madhe. Sa rritej tingulli, zemërimi im bëhej më i madh e më lëndues. Ishte më shumë se zemërim.
Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë, në heshtjen e errët të dhomës së gjumit, për zemrën që rrahte zëshëm, e të cilën isha i sigurt se dikush duhej ta dëgjonte. Erdhi koha! Duke qarë, u vërsula në dhomë, “Vdis! Vdis!” Plaku lëshoj një klithmë frike, ndërsa unë u hodha mbi të dhe ia lidha shtrëngueshëm çarçafin sipër kokës. Zemra i rrahte ende; por buzëqesha sikur isha afër suksesit. Zemra i rrahu për disa minuta; por, më në fund e rrahura ndaloi. Plaku vdiq. Largova çarçafët dhe i mbështeta veshët mbi zemrën e tij. Nuk tingëlloi asgjë. Po! Vdiq! I vdekur si guri. Syri i tij s’ka për të më shqetësuar!
– Pra, ju thoni, jam i çmendur? Më keni parë sa i kujdesshëm isha kur e futa trupin aty ku asnjëri s’e gjen. Në radhë të parë i këputa kokën, pastaj krahët dhe këmbët. S’e lashë asnjë pikë gjaku të binte në dysheme, isha i kujdesshëm. Pjesët e trupit i futa në dyshemenë ku i hoqa tri dërrasa. Më pas, kujdesshëm, shumë kujdesshëm, i rivendosa dërrasat dhe asnjë sy njeriu s’i vëren se kanë lëvizur.
Kur përfundova punë, dëgjova se dikush ishte tek dera. Tash ishte katër e mëngjesit, por ende terr. Sido që të jetë, nuk frikësohesha, shkova poshtë të hapja derën. Në derë ishin tre njerëz, tre oficerë policie. Njëri prej fqinjëve kishte dëgjuar plakun duke klithur dhe kishte njoftuar policinë; këta të tre erdhën për të bërë pyetje dhe për të kontrolluar shtëpinë.
-I ftova policët brenda. Kam klithur në ëndërr, u thashë. Plaku ishte larg, u thashë, ka shkuar të vizitoj në fshat një shok. Kërkova nga ta të kontrollonin nëpër krejt shtëpinë, të kontrollonin mirë. Më në fund i shoqërova brenda dhomës së gjumit të plakut. Po bisedonim gjatë, u kërkova të uleshin, sikur luaja lojë me ta.
I bëra policët të besojnë tregimin tim nga sjellja ime e lehtë dhe e qetë. Kështu që, ata po rrin ulur dhe bisedonin në mënyrë shoqërore me mua. Por, u përgjigja njëjtë, gjithashtu, shpresoja të ikinin sa më shpejt. Në veshët e mi ishte një tingull i çuditshëm dhe më dhimbte koka. Flisja më shumë e më shpejt. Tingulli u bë më i theksuar. Ata ende rrinin e flisnin.
Papandehur e dija se, tingulli nuk ishte në veshët e mi, ishte veçse brenda kokës. Në atë moment duhet të jem zbehur. Flisja më shpejt dhe më fort. Gjithashtu, edhe ai u bë më i fortë. Një tingull që e njihja mirë, i shpejtë, i ulët, i lehtë, si tingulli i një ore përtej murit. U bë më i fuqishëm e më i fortë. Pse nuk shkojnë burrat? Më fuqishëm, më fort. U ngrita, rreth e rreth dhomës ecja shpejt. Që ta mbuloja tingullin e tmerrshëm, të bëja më shumë zhurmë, e shtyeja karrigën nëpër dysheme. Flisja edhe më fort. Burrat ende rrinin, flisnin, buzëqeshnin. A ishte mundur që nuk po dëgjonin??
Jo! Ata dëgjuan! Isha i sigurt. Ata e dinin. Ishin tash ata që po luanin me mua. Nga buzëqeshjet e tyre dhe nga ky tingull po vuaja më shumë se sa mund ta përballoja. Fort, më fort, edhe më fort! Papandehur, s’e përballova dot. Bëra me gisht nga dërrasat dhe qava, “Po! Po, unë e vrava atë. Ngritni dërrasat dhe do të shihni. Unë e vrava. Por, pse nuk ndalon zemra e tij së rrahuri?! Pse nuk ndalon!?”
Nga Albulenë Krasniqi / KultPlus.com