12 Dhjetor, 2022 - 2:43 pm
Fituesi i edicionit të parë të Çmimit Kadare me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” vjen rishtas për lexuesin shqiptar me një tjetër roman të spikatur. Kritikët e cilësojnë si romanin më të mirë të autorit, e të tjerë e rendisin mes atyre që qëndrojnë në plejadën e letërsisë shqie. Heroina e romanit të Rudolf Markut tërhiqet në tokën shqiptare, për të tejkaluar Penelopën greke.
Ai që kishte nisur si një udhëtim njohës dhe eksplorues, do të ndryshonte kryekëput jetën e Rozës, adoleshentes së bukur gjermane. Gjatë kthimit me shoqet nga Amerika në Dubrovnik, një violinist i famshëm do t’i vardisej gjimnazistes së lindur dhe rritur në Mynih, por do të ishte pikërisht një shqiptar që do t’i rrëmbente zemrën. Martini, një inxhinier simpatik dhe sportiv i diplomuar në vendin e saj, nuk i premtoi asnjë gjë nga ato që përjetoi vajza e re në tokën e huaj, por në fund të fundit, askush nuk ishte i përgatitur për atë që iu bëri komunizmi të përjetonin.
Edhe pse duket sikur tematika e historive, vuajtjeve, dhimbjeve, privimeve dhe humbjeve të jetëve që solli diktatura komuniste në vendin tonë janë përfolur dhe shkruar, romane si ai i Rudolf Markut kumbojnë fort duke treguar se dritëhijet dhe të pathënat janë akoma të shumta. Kanë qenë aq të shumta fatet tragjike njerëzore, sa gjithmonë mbetet diçka e re për t’u thënë e parrokur më parë, por mbi të gjitha ky autor sjell dimensione krejt të reja.
“Hapje e stinës së letërsisë për të huajt”, do ta cilësonte shkrimtari Marsel Hila romanin “Zemra është një vend i vetmuar”, në promovimin e tij në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Sipas tij, duhet më shumë sensibilizim, për të marrë përsipër trajtimin e fateve tragjike të të huajve që komunizmi i izoloi në Shqipëri.
“Është një inagurim i madh që personazhi kryesor është një i huaj që vuan padrejtësisht. Duhet ta përgëzoj autorin dhe inkurajoj të tjerët ta ndjekin, pasi kjo tokë rezervon surpriza. Është një mision t’i sjellësh këto personazhe në letërsi, e kryesisht gratë”, vazhdoi ai më tej.
Autori i disa vëllimeve poetike, romaneve, shkrimeve publicistike dhe përkthyes i shumë shkrimtarëve të njohur të shekullit XX, njëkohësisht fitues i dica çmimeve letrare, vendos në qendër të veprës një heroinë, një grua dhe nëpërmjet historisë së saj sjell tmerret e një kohe, por pavarsëisht se deri ku shkon e keqja, fundin e rezervon shpresa. Autori thotë se romani ka shtrirje kohore dhe gjeografike. Ngjarjet vendosen në disa qytete, si Berlini, Dubrovniku, Lezha e Shkodra, dhe në tre periudha kohore, para, gjatë dhe pas komunizmit. Heroina e romanit, është më shumë se Penelopa e famshme e antikitetit grek që priste Odiseun nga lufta, pasi e goditur nga përdhunimi dhe shkelja e dinjitetit njerëzor, kapej më fuqishëm pas dashurisë për burrin e saj të mbyllur në burgjet e komunizmit, duke e pritur atë për 3 dekada.
Siç do të vlerësonte kritiku Bujar Gjoka, romani ka në sfond luftën, por në vetëvete trajton dashurinë. Duke cituar Kunderën, që thoshte se nëse e keqja harrohet ka tendencën të përsëritet në formë edhe më të tmerrshme, Gjoka u shpreh se ne ende gjendemi në një zhgjëndërr sepse ëndrra e pas viteve ’90 nuk ishte e tillë. Sipas tij është i nevojshëm ky kthim pas, ky digresion estetik, për të kujtuar. “Mbeti shumçka, por prapë ne kemi pengje që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin. Duhet t’i ndajmë siç ndahet buka, siç ndahet koha, siç ndahen kujtimet. Është padyshim romani më i mirë i Rudolfit: udhëton në ferr për të sjellë dritë, udhëton në makabritet për të sjellë dashuri, udhëton në shkatërrimin e qenies njerëzore për të dhënë shpresë”.
Pedagogu dhe kritiku letrar, Gëzim Basha në parathënien e librit shkruan se është romani më i mirë i Rudolf Markut por padyshim hyn edhe në romanet më të mirë të letërisë shqipe, në jo vetëm 3 dekadat e fundit. Dy kozmopolitë në një vend të izoluar, të cilët paguajnë një tagër të rëndë thotë më tej kritkiu, duke e cilësuar si një roman për fatet njerëzore.
“Me një prozë poetike plot precizion, ky roman fatidik eksploron pasojat që shkaktojnë tek individi kthesat e papritura të fatit, traumat e mbijetesës nën peshën e poshtërimit, rrëzimet e befta dhe përpjekjet e mundimshme për ta ruajtur integritetin personal si esence humane, jashtë ethosit politik të ditës”, shkruan Basha.
Autori falenderoi miqtë e tij, por edhe botuesin Henri Çili për sensibilitetin që ka për të promovuar letërsinë shqiptare, duke iu dhënë hapësirë autorëve në vend. Sipas tij, krijohet një disproporcion në kurrizin e letërsisë shqipe, duke u fokusuar te të huajt apo nobelistët, që sipas Markut është tregues i psikologjisë së izolimit që shqiptarët ende nuk e kanë hequr prej trupit të tyre. “Nuk është një një libër për diktaturën, qëndron mbi politikën”, thotë autori.
“Është një libër për të keqen që ka pasur dhe ka shoqëria shqiptare, për njëlloj ashpërsie të pazakonshme. Për një ferr që ne e kemi ndërtuar me duart tona. Një shoqëri që është më e vrazhdë se ferri i Dante Aligherit”, shprehet Marku. Romani është një fiction mbi realitetin. “Personazhet i kam njohur realisht dhe historia e tyre më ka prekur dhe më ka shtyre për të shkruar këtë libër”, shton ai duke theksuar se nuk ka pretenduar të vërtetën, pavarësisht se letërsia dhe arti kanë një borxh estetik ndaj të saj./bota.al / KultPlus.com