“Zërat e Kulturës”, takim me aktorët kyç të industrisë së librit

11 Nëntor, 2024 - 8:26 pm

“Zërat e Kulturës”, bashkëorganizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqata Shqiptare e Kombeve të Bashkuara (UNAA) vijon takimet me skenën kulturore në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këtë herë takimi ishte për sektorin e librit, i cili e gjen veten në pikëprerje me shumë nga artet dhe praktikat artistike në vend.

Takimi në Sallën Franceze të Qendrës “Sotir Kolea”  bashkoi aktorët kyç të industrisë së librit në Shqipëri, duke përfshirë botues, autorë, përkthyes dhe librarë.

Pjesëmarrës qenë shumica e botuesve shqiptarë, të cilët sollën perspektivat e tyre për sfidat e sektorit, ndërkohë që autorët dhe përkthyesit diskutuan gjithashtu shqetësimet dhe sugjerimet përkatëse, në kohë sfiduese për këtë sektor.

Diskutimi pati në qendër tema si promovimi i letërsisë bashkëkohore shqiptare, ndihmesat e aplikueshme nga qeveria, programet e financimit si dhe çështje të së drejtës së autorit.

Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe rreth projektligjit të ri për librin, duke mbledhur gjithashtu komentet e profesionistëve.

Pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre, duke kontribuar në dialogun për formësimin e politikave që do të mbështesin rritjen dhe zhvillimin e industrisë së librit në Shqipëri.

Ky takim përbënte një hap të rëndësishëm për bashkimin e komunitetit letrar dhe nxitjen e një dialogu të hapur dhe të frytshëm. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme