20 Maj, 2019 - 11:57 am
Zgjidhen pesë finalistët që do garojnë për çmimin e madh Kadare. Anëtarët e jurisë vijnë në një reflektim mbi institucionin e gjykimit.
Për çmimin letrar “Kadare” tashmë janë përzgjedhur pesë finalistët. Juria e përbërë nga shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, shkrimtari, dramaturgu e gazetari shqiptar Bashkim Hoxha, dhe drejtoresha e “UET PRESS”, njëherësh edhe koordinatore e këtij çmimi, Alda Bardhyli, kanë përzgjedhur finalistët.
Ndërkaq fituesi i çmimit të madh shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që do të mbahen të premten e parë të qershorit në fshatin që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.
Ky është edicioni i pestë i çmimit letrar “Kadare”. Themeluesit e çmimit konsiderojnë se në katër vjet ky konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin e letërsisë, dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe. Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim ka nxitur dhe nxit shkrimin e prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë edicion.
Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi.
Prof. Diana Kastrati vjen me “Mbi sublimitetin e të gjykuarit të veprës letrare”
“Te libri Kuptimi i estetikës (1973) Jan Mukařovský (profesor, semiolog, kritik letrar e teorik i artit çekosllovak 1891 – 1975) shkruante: “Arti përligjet pikërisht prej faktit se nuk synon tek asnjë qëllim i vetëm”. Në fakt, qëllimi i vetëm i secilës dije është të zhvilluarit e kuptimit të humanitetit te njeriu. E, një estetikë që nuk do të merrte në konsideratë një gjë të tillë, do të kishte një vlerë tejet të kufizuar”, – shkruan ajo për Gazetën Liberale
Mehmet Kraja “Dorëshkrimet, dhunë diktatoriale dhe frustrime seksuale”
“Çmimi “Kadare” për dorëshkrime veprash në prozë, i ideuar dhe i themeluar nga “Instituti Europian Pashko” pranë Universitetit Europian të Tiranës tashmë ka bërë emër si çmimi më prestigjioz i letërsisë në mbarë hapësirën shqiptare. Që çmimi ta arrijë këtë prestigj, ka pasur ndikim ndarja e tij e rregullt për pesë vjet radhazi, numri relativisht i madh i dorëshkrimeve dhe i autorëve që kanë konkurruar, si dhe vlera monetare e çmimit, që është më e madhja e një çmimi letrar në mbarë hapësirën ballkanike”, – shkruan Mehmet Kraja.
“Përgjegjësia e çmimit me emrin Kadare”, nga Bashkim Hoxha
“Është një përgjegjësi e madhe juria e çmimit “Kadare”.
Në fillim është rëndesa e emrit që mban ky çmim. Emri Kadare është e natyrshme që duhet të bashkëshoqërojë një vepër me vlera të spikatura, atë, siç quhet, “letërsia e madhe”.”
Pse çmimet letrare janë të rëndësishme?
Alda Bardhyli
“Seepersad Naipaul, shkrimtari fitues i çmimit “Nobel” (1971), i njohur në shqip përmes romanit “Qyteti bri lumit”, do të shprehej 10 vite më parë, në një tetor të zakonshëm para shpalljes së çmimit “Nobel”, se çmime të tilla nuk janë vetëm një trofe i madh në jetën e një shkrimtari, por jetë për letërsinë”, – shkruan Alda Bardhyli.
Këto dhe shumë të tjera i gjeni sot në suplementin “Leteratura” të “Gazetës Liberale” në print. /Gazeta Liberale / KultPlus.com