Zhvillohet edicioni i tretë i Panairit të Librit ‘Kamza lexon’ – pjesë e diskutimit mbi median dhe letërsinë edhe drejtoresha e KultPlus

11 Maj, 2024 - 6:41 pm

Dje ka hapë dyert edicioni i tretë i Panairit të Librit  “Kamza Lexon”, në Kamzë të Shqipërisë, panair që ka sjellë tituj nga shtëpi të ndryshme botuese, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion janë realizuar edhe takime me tema të ndryshme, ku mes tjerash është diskutuar edhe për rolin e medieve në letërsi, panel që ka mbledhë drejtues të medieve që japin kontribut në mbështetje të letërsisë dhe artit në përgjithësi.

Paneli që u udhëhoq nga Liridon Mulaj, kishte në përbërje: Ardianë Pajaziti nga KultPlus, Bujar Hudhri nga ExLebris, Anna Latannzi dhe Albert Vataj, të dy poashtu nga fusha e medies. 

Në këtë panel u vu në pah domosdoshmëria e mbështetjes së medieve për letërsinë, sikurse që u vlerësua roli i medieve që tashmë veç mbështesin artin dhe kulturën: KultPlus që është me seli në Prishtinë dhe ExLibris me seli në Tiranë.

Bujar Hudhri si drejtues i ExLibris ka thënë mes të tjerash se promovimi i librit në një medium të shtypur sikurse është ExLibris, është me rëndësi të madhe, ku sipas tij një rëndësi të madhe ka edhe ballina e kësaj gazete, sepse ballina është edhe një matës i cilësisë.

Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti ka treguar para të pranishmëve për rolin e KultPlus me një shtrirje gjjthëkombëtare, ku përpos qe mbështetet libri, ajo ka thënë se promovim dhe mbështetje gjen edhe fusha e teatrit, filmit, trashëgimisë…

Përpos rolit të gazetës, Pajaziti ka folur para të pranishmëve edhe për dy shtyllat e tjera të KultPlus: “Ta zbardhi ftyrën” dhe “KultStrofa”, projekte këto që tashmë po hyjnë në vitin e shtatë dhe që e para sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nga shtetet e jashtme, kurse e dyta ka karakter garues të poezisë në nivel mbarëkombetar.

Liridon Mulaj rolin e Ardianë Pajazitit e ka krahasuar me luftën e Don Kishotit, por që në këtë rast Don Kishot, sipas tij është një grua.

Anan Latannzi ka folur për rëndësinë e promovimit të letërsisë shqipe në gjuhën italiane, gjë që e bën nëpërmjet punës së saj në Itali. Përderisa Albert Vataj ka thënë se secilit t’i jepet mundësia dhe hapësira, e pastaj lexuesi të vlerësojë se nëse është apo jo pjesë e letërsisë.

Kamza Lexon në këtë edicion që ka përfshirë shumë panele e shumë diskutime është mbyllë sot me prezantimin e librit “Girl of Monday”, libër që ka përmbledhë disa poetë shqiptarë./ KultPlus.com

Të ngjajshme