Zigmund Frojd: Vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten

23 Shtator, 2022 - 11:16 am

Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon te thote ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.

Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.

“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.

Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.

Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.

Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”

… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.

Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.

***

Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.

Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.

Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.

Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.

Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.

Ai ishte Zigmund Frojd. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Të ngjajshme