18 Gusht, 2023 - 12:00 pm
Zjarri dhe pasioni i një letre që Honore de Balzak i shkruante konteshës polake Ewelina Hanska, qershor 1835.
Jam aq i çmendur për ju e më shumë se kaq nuk mund të jem. Nuk të arrij të mendoj as dy gjëra të vetme, pa ju menduar edhe juve ngatërruar mes tyre.
Nuk arrij të mendoj asgjë tjetër veç jush. Megjithëse përpiqem të qëndroj, imagjinata më çon gjithnjë te ju. Ju përqafoj, ju puth, ju përkëdhel dhe mijëra përkëdhelje dashurie pushtojnë qenjen time.
Mund t’ju them se do jeni gjithnjë e pa diskutim në zemrën time. Brenda saj ju ndjej në një mënyrë kaq të këndshme. Por, Zot, ç’do të ndodhë me mua nëse ju më hiqni dashurinë tuaj, qëllimin e ekzistencës sime? Ky është mendimi më i tmerrshëm i vetmisë që më tmerron këtë mëngjes.
Ngrihem papritur duke i thënë vetes: “Do shkoj te ajo!” Por ulem përsëri i shtrënguar nga detyrimet që kam. Brenda meje kam një konflikt të frikshëm. Kjo nuk është jetë. Nuk jam ndjerë kurrë kështu. Më keni gllabëruar plotësisht.
Sa herë mendoj për ju ndjej një gëzim prej të çmenduri. Shoh e rishoh një ëndërr aq të bukur sikur në një moment të vetëm arrij të jetoj një mijë vjet. Ç’tmerr i vërtetë!
Pushtuar nga dashuria që më ka hyrë në çdo por, e duke jetuar vetëm për dashurinë, e shoh veten të konsumuar nga dhimbja e si të mbështjellë në një rrjetë merimange.
Eva ime e dashur, ju nuk e dinit. E mora letrën tuaj. E kam këtu para dhe po ju flas njësoj si t’ju kisha edhe ju këtu. Ju shoh njëlloj si dje, të bukur, çmendurisht të bukur!
Mbrëmë i përsërisja vetes pa pushim: Ajo është e imja! Ah! Nuk besoj se engjëjt në parajsë janë më të lumtur sesa isha unë dje! / Nga Albert Vataj / KultPlus.com