30 Prill, 2020 - 1:45 pm
Tregim nga Ibrahim Berisha
Soliteri u përmbyt pak pas orës tetë.
Sipër gërmadhës, era frynte, si një gjysmë murlan i keq, i cili endej nëpër ajrin e angusht, që nuk kish lëvizë dy javë të plota.
Kur humbi shpresa e fundit se kishte ndonjë frymë të gjallë për të dalë nga rrënoja, zogu i plotë, u ra shpatullave, që andej bataniave të shtrira shkretë mbi tela unazorë dhe eci me këmbët e holla e të verdha, duke treguar trupin e zhveshur e të gjakosur, pa pupla.
Vazhdonte të ngrihej pluhuri si një dëshmitar, i cili nëpër rrugën veriore, ndërronte gjendjen plotësisht, ndërsa zogu ende bënte udhëtim të vështirë, duke shkuar më larg, ndërkohë që kalimtarëve të habitur u futej në kokë kaosi i rrënimit, i vërejtshëm edhe nëpër lëvizje nervoze të punëotrëve që prisnin në këmbë; punëtorët kishin qëlluar dëshimtarë të pamjes sëmëëparshme ime zogun, ajo iu shndërrua në trishtim, ngjyrosur me cermoninë fatale të shpendit, që ende pandehte se kishte pupla me ngjyrë veneze, dhe nxitonte të ecën dhe t’i shkundë krahët fluturues, të cilët ishin tashmë shpatulla të gatshme për fërgim.
Pluhuri nuk e lejoi qoftë edhe një njeri t’i hapte sytë serbez, ekzistonte ngjyra e tij e ftohtë, e cila derdhej grimca e xixa nëpër vija të holla për të mbërri deri në dritaret të drunjta në soliterët e vjetër afër; edhe aty, nëpër trarë betoni, në tjegulla të plakura përplasur e thyer copë – copë, por gjithkah, tashmë treguese e boshësisë, te gjendjes së re, që nuk kish qenë dhe as që paramendohej të bëhej e tillë vetëm disa minuta më parë.
Përmasat inerte kishin rënë mbi themelin e vet. Të porsandodhurit e parë aty panë një zhdukje të shpejtë e masive të gjësendeve, por nuk u rrekën e as nuk u nxitën qoftë me një gjest, të ndërronin sadopak gjendjen.
Qentë ikën frikësuar deri në palcë, një nga një, pa u hetuar dhe pa shikuar fare prapa.
Edhe dhembja për gjendjen e mëparshme, më shumë ishte shqetësim për të papriturën e ardhshme; tashmë në kokë u mbetej fotografia e soliterit pesëkatësh i ndërtuar më 1947 për milicët dhe administratorët e taksave; nuk ishte i zhurmshëm asnjëherë, as në zhegun e verës dhe as në acarin e dimrit.
Nga andej kishte vite nuk lëvizte dhe as nuk ndërronte asgjë, por sikur të ishte krijuar baraspesha e rrejshme e përsëritjes së plotë paqësore.
Pluhuri mënjanohej në ajër, siç ndodh nëpër punishte, i përhershëm dhe i padëshirueshëm, i gjysmëhumbur, për të fshehur gjurmë, që duken të prera nëpër copa xhami vezulles ende, nëpër trupa të imagjinuar njerëzor pak të vërshëllyer; gjest i dukshëm i gishtit të fëmijës, i cili kërkon edhe në atë rrënim, kthimin brenda, hapësirën e sigurt të dhomës që ka mundur si përherë të zbardhë pjesën e trupit të madh e të qetë të soliterit, kthyer në një grumbull pikëllues të kujtimeve të klientëve të kafenesë “Drita”.
Përballë, kamarierët ende tundnin kokën nga frika e zhurmës rrënuese, ende nuk shërbenin, megjithëse kishte kaluar një gjysmë orë e plotë nga çasti i hatashëm; ndonjërit nga ata picërrakë, pasi secili linte përshtypjen e njeriut të pahetueshëm e të pafuqishëm, donte ujë. Ai, kaherë mungonte në kroje, andaj, kënaqësia mbetej vetëm në cermoninë e heshtur të pritjes, duke dëgjuar nga kaseta muzikën e bendit “Kuadratet e verdha”.
Prej nga ai zog? Kuzhinieria e kafesë “Drita”, Lule Halimi, me bindje u thoshte nga përpara derës kurreshtarëve, duke shikuar kah rrënojat: Ka pasur çerdhen në ndonjë plasë të soliterit. Shihni si sillet rrotull. Zogjtë e vegjël i kanë mbetur brenda dhe shpreson se do t’i nxjerrë nga andej. E njoh, e kam parë shpesh kur fluturonte i lirë.
Zogu kish dhjetë herë që bredhte me pakënaqësinë e kërcënuesit, sillej i lodhur dhe i pashpresë përreth gërmadhës ku mund ta kishte një çerdhe të vogël, por të vërtetë; nëpër brendinë e gjetheve të thara, pikërisht në barin dhe në puplat e veta të shtrira me kujdes dikur, zogjtë e vegjël, mund të jetë se nuk kanë ende tri ditë jetë, janë pajtuar përgjithmonë duke mbyllur sytë e shterur me therje, ngjashëm me futjen e majës së thikës që porsa del nga këllefi i lëkurës.
Derisa një grup fëmijësh vrapon përreth gërmadhës,janë fëmijë, ndoshta janë pikërisht fëmijë me kënaësi të mëdha, kërcënimi i zogut në brendinë e gjetheve, sikur vulos katastrofën; ia humb atij shpendi të vogël mundësinë për t’u futur në çerdhe brenda hijes së rrënuar të soliterit, ku pandehë se e ka shtëpinë jo aq të madhe të voglusheve, të mbështjellur ngurtë e përbashkët me fund të paimagjinueshëm.
Ndërkohë erdhën shumë makina dhe shumë punëtorë filluan heqjen e copave interte, por asnjëri, as nga kurreshtarët shikues, përveç kuzhinieres, nuk përmendi zogun dhe ecjen e tij përreth, derisa ai qëlloi një hekur me trupin e zhveshur lëshoi një klithmë shpendi të padëgjuar ndonjëherë dhe pastaj nuk u duk më. / KultPlus.com