7 Korrik, 2019 - 4:52 pm
Fernando Pessoa, Libri i shqetsimit nga Bernardo Soares
*
Vëzhgoj me vëmendje njeriun dhe vërej se asht i pavetdijshëm si një qen apo një mace; flet nga një pavetdije e një lloji tjetër; organizohet në shoqni nga një mosvetdije e një lloji tjetër, absolutisht inferiore ndaj rendit shoqnor të milingonave dhe bletëve. Dhe atëbotë inteligjenca që krijon dhe kryp botën më shfaqet përmes një drite të kjartë ma shum se përmes ekzistencës së organizmave, ma shum se përmes ekzistencës së ligjeve të preme fizike a intelektuale.
Më ndërmendet atëbotë, saherë që ndjej kshtu, fjalia e vjetër e nuk di cilit skolastik: Deus est anima brutorum, Zoti asht shpirti i brutëve. Autori i kësaj fjalie të mrekullt ka dashtë me shkoqitë ksodore sigurinë me të cilën instikti i udhëheq kafshët inferiore, ato që nuk zotnojnë inteligjencën ose zotnojnë veç një skicë të saj. Por jemi të gjitha kafshë inferiore; me folë dhe me mendue janë vetëm instikte të reja, ma pak të sigurta se tjerat ngase të reja. Dhe fjalia e skolastikut, aq e drejtë në bukurinë e saj, zgjanohet, dhe thom: Zoti asht shpirti i gjithçkaje
*
Fernando Pessoa, Libri i shqetsimit nga Bernardo Soares
Fernando António Nogueira Pessoa lindi në Lisbonë në vitin 1888. Njihet si poet, prozator dhe novator i letërsisë moderne portugeze e asaj botërore.